Këshilla për një gjumë të qetë gjatë shtatzënisë
Ndërkohë që barku rritet gjatë shtatzënisë, gjumi fillon të bëhet edhe më i parehatshëm. Duket sikur gjithçka po jua prish gjumin: barku i madh, bebja që gjuan, ndryshimet hormonale, nevoja për të shkuar në tualet 24 orë në 7 ditë, aciditeti i lartë në stomal, stresi, madje edhe vesi i ri i gërhitjes.
Më shumë se 70% e grave shtatzëna ankohen për gjumin e parehatshëm, tregojnë studimet. Kështu, nëse ju mund të bëni një gjumë të rehatshëm, pa këto zgjimet natën, konsiderojeni veten me shumë fat. Nëse jo, mos u mërzisni.
Thjesht lexoni këshillat nga ekspertët për të bërë një gjumë të rehatshëm, pavarësisht në çfarë muaji jeni shtatzënë. Është e mundur, ju premtojmë!
Kujdes çfarë hani apo pini para gjumit
Zgjoheni gjatë gjithë kohës natën për të urinuar? Shumë nëna zgjohen gjatë natës për shkak të lëvizjeve të vrullshme të fetusit, i cili me duart apo këmbët e vogla shtyp fshikëzën e urinës, duke shkaktuar nevojë urgjente për të urinuar. Duke qenë se fshikëza shtypet nga mitra dhe bebi, shumë gra zgjohen për të urinuar thuajse çdo orë gjatë tremujorit të tretë.
Në këtë rast nuk keni çfarë të bëni, megjithatë disa ndryshime në dietë mund t’ju ndihmojnë. Kështu, shmangni konsumimin e kafeinës, ushqimet e ëmbla dhe pijet para se të flini, që të mos keni nevojë të zgjoheni shumë shpesh natën.
Kujdes me kohën kur hani darkën (dhe orarin e fjetjes)
Gjatë shtatzënisë rriten predispozitat për të pasur nivel më të lartë të aciditetit në stomak (refuks). Që mos të keni probleme të tilla para se të flini, konsumoni një darkë të lehtë dhe herët.
Dhoma të jetë e errët gjatë natës
Ekspozimi në dritë mund t’ju prishë orën e brendshme të trupit, duke e bërë të vështirë fjetjen sërish. Prandaj, edhe nëse ju del gjumi gjatë natës, përpiquni të mos e ndizni dritën apo mos e përdorni telefonin.
Vendosni një jastëk mes këmbëve
Mundohuni të flini në anën e majtë, duke vendosur një jastëk mes këmbëve (preferohet jastëku i shtatzënisë) për të mbështetur mirë pjesën e poshtme të shpinës dhe ijëve.
Burimi: Shape / JoTabu.al

Leave a Reply