Infertiliteti, shkaqet dhe trajtimi
Për Jo Tabu, Dr. Marsel Haxhia, embriolog klinik
Infertiliteti përkufizohet si dështimi për të konceptuar (pavarësisht shkaqeve) pas 1 viti marrëdhëniesh të pambrojtura. Infertiliteti prek afërsisht 10-15 % të çifteve në moshën riprodhuese.
Zhvillimi i shpejtë në këtë fushë të mjekësisë ka bërë që të gjenden gjithmonë e më shumë shkaqe të kësaj sëmundje. Në shoqëri ku u jepet prioritet zhvillimit të karrierës profesionale, disa gra e vonojnë lindjen e fëmijëve deri në të 30-tat ose më vonë. Si rezultat, këto gra mund të kenë më shumë vështirësi për të konceptuar dhe një risk më të madh për aborte. Në gra më të mëdha se 35 vjeç, është mirë të bëhet një vlerësim i plotë pas 4-6 muajsh përpjekjesh për të konceptuar, sepse përgjigja e tyre ndaj trajtimit mund të jetë suboptimale për shkak të uljes së rezervës ovariane. Përparësitë e mëdha në trajtimin e infertilitetit kanë bërë të mundur që shumë çifte të kenë fëmijë me asistencë mjekësore, pavarësisht origjinës së problemit që mund të jetë prej faktorit mashkull ose femër. Përparësitë në teknikat e ruajtjes së kulturës kanë rezultuar në përmirësimin e shkallës së shtatzënisë duke përdorur teknologjitë e riprodhimit të asistuar (ART).
Shkaqet e infertilitetit
Riprodhimi kërkon bashkëveprimin dhe integritetin e trakteve riprodhues mashkullor dhe femëror të cilët përfshijnë (1) lëshimi i oociteve normale preovulatore, (2) prodhimi i mjaftueshëm spermatozoidve, (3) transportimi normal i gametave për në pjesën ampulare të tubit të Fallopit (ku ndodh fertilizimi), dhe (4) transporti pasues i embrioneve të ndara në kavitetin endometrial për implantimin dhe zhvillimin.
Infertiliteti shkaktohet nga faktorët mashkull dhe/ ose femër. Faktorët mashkull dhe femër llogariten secili për rreth 35 % të rasteve. Shpesh, ekziston më shumë se një faktor, me kombinim të faktorëve mashkull e femër që shkaktojnë 20 % të infertilitetit. Në 10 % të rasteve të mbetura etiologjia është e panjohur dhe këta kategorizohen si infertilitet i paspjeguar ose çifte normal infertil (NIC). Faktorë të tjerë të mënyrës së jetesës që lidhen me një risk të lartë të infertilitetit përfshijnë faktor ambientalë dhe profesionalë; efektet toksike që lidhen me duhanin, marijuanën, ose droga të tjera; ushtrim fizik i tepruar; dieta jo e përshtatshme, që jep shtim ose rënie ekstreme të peshës; dhe mosha e madhe.
Faktori femër të infertilitetit
Faktorët fermëror të infertilitetit mund të ndahen në disa kategori: cervikal ose uterinë, ovarian, tubar, dhe të tjerë.
Faktori cervikal i infertilitetit
Faktori cervikal i infertilitetit mund të shkaktohet nga stenoza ose anomali të bashkëveprimit mukus-sperm. Cerviksi uterinë luan një rol kryesor në transportin dhe kapacitimin e spermës pas marrëdhënies.
Faktori cervikal llogaritet në rreth 5-10 % të infertilitetit. Prodhimi dhe karakteristikat e mukusit cervikal ndryshojnë në varësi të përqendrimit të estrogjenit ne gjak gjatë fazës folikulare të vonë. Në fillim të ciklit menstrual, mukusi cervikal është i pakët, viskoz, dhe shumë qelizor. Mukusi formon një strukturë si rrjetë që nuk lejon kalimin e spermës. Sekretimi i mukusit rritet gjatë fazës së mesme folikulare dhe arrin maksimumin e tij afërsisht 24-48 orë para ovulimit. Përqendrimi i ujit dhe kripës rritet, duke ndryshuar karakteristikat fizike të mukusit. Mukusi bëhet i hollë, i ujshëm, bazik, joqelizor, dhe elastik për shkak të rritjes së përqendrimit të NaCl. Në këtë moment, mukusi vetë- organizohet, duke formuar mikrokanale kështu që spermatozoidi mund të kalojë nëpër të. Gjatë këtij udhëtimi, spermatozoidi i vetë nënshtrohet aktivizimit dhe kapacitimit. Gjithashtu mukusi vepron si filtër për spermatozoidet anormal dhe për mbeturinat qelizore prezente në semen. Sekretimi i mukusit mund të alterohet nga ndryshimet hormonale dhe medikale, veçanërisht ilaçe si clomiphene citrate, i cili redukton prodhimin. Hypoestrogjenizmi mund të shkaktojë trashje të mukusit cervikal, gjë që dëmton kalimin e spermës. Stenoza cervikale mund të shkaktojë infertilitet duke bllokuar kalimin e spermës nga cerviksi për në kavitetin intrauterinë. Stenoza cervikale mund të jetë me etiologji kongenitale ose e fituar, duke rezultuar nga ndërhyrjet kirurgjikale, infeksionet, hypoestrogjenizmi, dhe terapia rrezatuese.
Faktorët uterinë të infertilitetit
Uterusi është destinacioni final për embrionin dhe vendi ku fetusi zhvillohet deri në lindje. Kështu që, faktorët uterin mund të lidhen me infertilitetin primar ose me dështime të shtatzënisë dhe lindjet e parakohshme. Faktorët uterin mund të jenë kongenital ose të fituar. Ato mund të prekin endometrin ose miometrin dhe janë përgjegjës për 2-5 % të rasteve me infertilitet.
Faktorët kongenitalë
Zhvillimi i dukteve mullerian është përgjegjës për konfigurimin anatomik normal të uterusit, tubujve të fallopit, cerviksit, dhe vaginës së sipërme. Spektrumi i plotë i anomalive kongenitale\mulleriane varion nga mungesë e plotë e uterusit dhe vaginës(sindromi Rokitansky-Küster-Hauser) në defekte të vogla si uterusi arkuat dhe septa vaginale (transverse ose longitudinale). Pjesa më e madhe e malformimeve uterine të depistuara gjatë 40 viteve të fundit kishin si shkak medikamentet. Një shembull i tillë është diethylstilbestrol (DES), i cili midis viteve 1950-1970 përdorej për trajtimin e pacientëve me aborte të shpeshta, u pa se ishte përgjegjës për malformime të cerviksit uterin, çrregullime të kavitetit uterin, keqfunksionim të tubit të fallopit, çrregullime menstruale, dhe zhvillimin e karcinomës me qeliza të qarta të vaginës. Lindja e parakohshme është lidhur me inkompetencën cervikale, unikornuat uterus i lidhur me bririn e verbër, dhe septum uterusi. Septum uterusi mund të jetë gjithashtu përgjegjës për probleme në implantim dhe aborte të të tremujorit të parë.
Defekte të fituara
Endometritis i lidhur me lindjen traumatike, dilatacionin dhe kyretazhin, dhe instrumentime (p.sh. miomektomi) të kavitetit endometrial që mund të krijojë adhezione intrauterine ose synechiae, me obliterim total ose parcial të kavitetit endometrial.
Polipet placentare mund të zhvillohen nga mbetjet placentare Fibroidet intrauterine dhe submukozale janë shumë të shpeshta, duke prekur 25-50 % të grave. Ato mund të shkaktojnë distorsion të kavitetit dhe demtojnë furnizimin me gjak. Ato gjithashtu mund të shkaktojnë dështim të implantimit, aborte të hershme, lindje të parakohëshme, dhe rupturë të placentës.
Faktorët ovarian të infertilitetit
Oogjeneza ndodh në ovare që prej tre-mujorit të parë të jetës embrionale dhe kompletohet me 28-30 javë mbarsje. Deri atëherë janë të pranishme afërsisht 7 milionë oocite. Ato janë të stopuara në stadin e profazës të ndarjes së parë mejotike. Më vonë, numri i oociteve ulet për shkak të një procesi të vazhdueshëm të atrezisë. Në lindje, sasia e oociteve ulet te rreth 2 milionë. Në menarkë janë rreth 500,000 oocite. Këto oocite përdoren përgjatë viteve riprodhuese deri në menopauzë. Procesi ovulues niset dhe kontrollohet nga boshti hypotalamo- hypofizo- ovarian. Prej folikujve të pranishëm çdo muaj, selektohet vetëm një oocit, i cili vendos dominimin, dhe zhvillohet deri në stadin preovulues. Arritja e pikut të LH bën të mundur stimulimin r procesit të ovulimit, duke rifilluar mejozën e oocitit, dhe stimulon formimin e korpus luteum dhe stimulimin pasardhës të progesteronit. Çrregullime të ovulimit përkufizohen si një alterim të frekuencës dhe kohëzgjatjes të ciklit menstrual. Dështimi i ovulimit është shkaku më i shpeshtë i infertilitetit.
Mungesa e ovulimit mund të lidhet me amenorrenë primare dhe sekondare, ose oligomenorreja. Amenorreja primare mund të ndahet në 2 kategori: hypogonadizëm hypergonadotropik dhe hypogonadizëm hypogonadotropik. Amenorreja sekondare lidhet më shpesh me çrregullime të sistemit endokrin, ku mund të lidhet me çrregullime të tiroideve, gjëndrave mbiveshkore, hipofizës, duke përfshirë dhe tumoret. Një shkak i shpeshtë i amenorresë sekondare është dështimi ovarian prematur, që është humbja e funksionit të ovareve rreth moshës 40 vjec. Oligoamenorreja, që vjen si pasojë e çrregullimit të funksionit hypotalamo- hypofizo- avarian, është shkaku më i shpeshtë i çrregullimeve të ovulimit që lidhet me infertilitetin. Pacientët mund të kenë dhe simptoma të hyperandrogjenizmit, akneve, hirsutizmit, dhe rënies së flokëve. Obeziteti lidhet shpesh me të dhe përkeqson prognozën. Megjithëse këta pacient nuk janë steril, aftësia fertilizuese e tyre ulet, dhe rezultati obstetrikal është i varfër për shkak të një rritje të riskut për humbje të shtatzënisë. Shumica e këtyre grave kanë sindromën e ovareve polikistikë.
Mosha e madhe
Prevalenca e infertilitetit rritet në mënyrë dramatike me rritjen e moshës. Gjithashtu fertiliteti ulet me zgjatjen e martesës për shkak të marrëdhënieve më të rralla dhe\ ose prej kontracepsionit. Fakte të
ngjashme vijnë edhe nga eksperienca e programeve të shumta të IVF. Anomali kromozomike dhe cilësi e varfër e oociteve janë 2 shkaqe të cilësisë së ulët të embrioneve, shkallës së ulët të implantimit, rritje të aborteve, dhe ulje të shkalës së lindjeve.
Faktorët tubar Tubujt e fallopit luajnë një rol të rëndësishëm në riprodhim pasi në të bëhet transportimi i embrionit nga ampulla ku ndodh fertilizimi për në kavitetin uterin ku ndodh implantimi. Anomali ose dëmtime të tubit të fallopit lidhen me fertilitetin dhe janë përgjegjës për implantimin anormal (p.sh. shtatzëni ektopike). Bllokimi i fundit distal të tubujve të fallopit rezulton në akumulimin e likidit tubal të sekretuar normalisht, duke krijuar distendim të tubit me dëmtim pasues të të cilieve epiteliale (hydrosalpinx) Faktorë të tjerë tubar të lidhur me infertilitetin janë si kongenital dhe të fituar. Mungesa e lindur e tubujve të fallopit mund të jetë torsioni spontan in utero e ndjekur nga nekroza dhe riabsorbimi. Ligatura tubare e dëshiruar dhe salpingektomia janë shkaqe të fituara.
Faktorët peritoneal Uterusi, ovaret, dhe tubat e fallopit ndajnë të njëjtën hapësirë në kavitetin peritoneal. Defekte anatomike ose çrregullime fiziologjike të kavitetit peritoneal, duke përfshirë dhe infeksionet, adhezionet si pasojë e ndërhyrjeve kirurgjikale pelvike të mëparshme, mund të shkaktojnë infertilitet. Sëmundja inflamatore pelvike, adhezionet peritoneale, endometrioza, dhe rupturë e kistit të ovarit, të gjitha kompromentojnë motilitetin e tubujve të fallopit ose prodhojnë bllokim të fimbrieve me zhvillimin e hydrosalpinx. Mioma të mëdha, masa pelvike, ose bllokim të culde-sac interferojnë me akumulimin e likidit peritoneal dhe ndërhyjnë me lirimin e oociteve normale gjatë ovulimit, duke u bërë një faktor mekanik për infertilitetin.
Faktori mashkull i infertilitetit
Faktori mashkull i infertilitetit mund të ndahet me etiologji pretestikulare, testikulare, dhe posttestikulare.
Faktorë që prekin të dy sekset
Faktorë mjedisor dhe profesional
Po rritet shqetësimi në lidhje me impaktin e mjedisit në fertilitet. Të dhënat e analizave të semenit në 2005 konfirmojnë 20 % ulje të përqendrimit të spermatozoideve në raport me të dhënat e 1985. Rrezatimi i tepërt dëmton qelizat burimore. Ekspozimi gjithashtu ndaj plumbit, metaleve të tjera të rënda, dhe pesticideve është lidhur me infertilitetin mashkullor. Shumë faktorë të tjerë, si ekspozimi i tepruar në të nxehtë, rrezatimi ndaj mikrovalëve, ultrasonografisë, dhe rreziqe shëndetësor të tjerë janë për tu diskutuar si faktorë që shkaktojnë infertilitet.
Efekte toksike të lidhura me duhanin, marijuanën, dhe droga të tjera
Duhanpirja është lidhur me infertilitetin si në meshkuj ashtu edhe në ferma. Në eksperimente të kryera në kafshë, nikotina dhe hidrokarburet aromatik policiklik bllokojnë spermatogenezën dhe zvogëlojnë përmasat e testikujve. Në gra, duhani çrregullon mukusin cervikal dhe epitelin ciliar dhe prek transportin e gametave. Marijuana dhe metaboliti i saj, delta-9-tetrahidrocannabiol-i, frenojnë sekretimin e LH dhe FSH, duke dhënë çrregullime të ovulimit dhe të fazës luteale te gratë. Përdorimi i marijuanës prek meshkujt duke i ulur numrin e spermatozoidëve dhe cilësinë e spermës. Heroina dhe kokaina shkaktojnë efekte të ngjashme por e vendosin përdoruesin në një rrezik të lartë ndaj sëmundjeve inflamatore pelvike dhe infeksionit HIV. Alkoolizmi kronik mund të shkaktojë çrregullime të ovulimit, duke çuar në infertilitet. Përdorimi i alkoolit nga meshkujt interferon me sintezën e testosteronit dhe ka një impakt në përqendrimin e spermës. Alkoolizmi mund të frenojë përgjigjen seksuale dhe të shkaktojë impotencë.
Ushtrimi fizik
Ushtrimi fizik duhet të kryhet si pjesë e një aktiviteti normal. Gjithsesi, aktiviteti i tepruar fizik është i dëmshëm, veçanërisht në vrapuesit e distancave të gjata. Vrapi i lehtë stimulon sekretimin e endorfinave; sekretimi i tepërt i endorfinave interferon me prodhimin normal të FSH dhe LH, duke sjellë si pasojë çregullime të ovulimit dhe të fazës luteale, të cilat çojnë në mungesë të implantimit të embrionit dhe aborte të tre-mujorit të parë. Në meshkuj, aktiviteti i tepruar fizik është lidhur me oligosperminë. Dieta e çrregullt e lidhur me humbje ose shtim ekstrem në peshë Obeziteti është një problem madhor shëndetësor në USA. Pesha ka një impakt në fertilitet në të dy ekstremet e saj. Megjithëse humbja e peshës lidhet me anoreksinë nervoze ose buliminë shkakton amenorre hipotalamike, obeziteti mund të lidhet me mos-ovulimin dhe oligomenorrenë. Në meshkuj, obeziteti është lidhur me ulje të cilësisë së spermës.
Leave a Reply