Infeksionet vaginale mykotike: Faktorët e riskut, simptomat dhe parandalimi
3 në 4 gra do të kalojnë infeksion vaginal mykotik të paktën një herë gjatë jetës së tyre.
Infeksionet vaginale mykotike ndryshe njihen edhe si vaginiti vulvular dhe shkaktohen nga Candida albicans. Candida hyn në familjen e kërpudhave dytrajtëshe pasi rritet në dy forma, si kërpudhë dhe si myk. Myku gjendet natyrisht në çdo pjesë të trupit, sidomos në zonat e lagështa dhe të ngrohta të trupit si goja, zorrët dhe vagina. Por kur ka mbiprodhim të tij, mund të shkaktojë infeksion.
Laktobacilet janë bakterie normale dhe të shëndetshme që ndodhen në vaginë. Këto bakterie “të mira” ruajnë balancën e aciditetit ose pehashit (pH) në vaginë, gjë që mban në kontroll mykun duke mos e lejuar që të shkaktojë infeksion.
Nëse kjo balancë prishet (nuk ka mjaftueshëm laktobacile në vaginë ose bakteriet e “këqija” shtohen), atëherë mund të zhvillohet një infeksion mykotik.
Po çfarë e shkakton këtë prishje të balancës? Hormonet, ilaçet apo ndryshimet në sistemin imunitar të një personi mund të ndryshojnë mjedisin vaginal në një mënyrë që shkakton rritjen e mykut.
Faktorët e riskut për zhvillimin e mykut vaginal përfshijnë:
- Marrja e antibiotikëve – ilaçet vrasin bakteriet “e këqija”, por gjithashtu mund ta bëjnë këtë dhe me bakteriet “e mira” që duhen për të kontrolluar mykun. Për më tepër, çdo gjë që ul imunitetin e një personi, mund të rrisë rrezikun për zhvillimin e një infeksioni mykotik.
- Diabeti dhe sheqeri i pakontrolluar i gjakut – myku ushqehet me glukozën e gjakut.
- Përdorimi i kontraceptivëve oralë ose zëvendësuesve hormonalë.
- Shtatzënia
- Larja e vaginës me sapun, me shumë ujë, pudrosja etj – vagina është vetë-pastruese dhe nuk ka nevojë ta lajmë me ndonjë gjë tjetër.
- Veshja e të brendshmeve të ngushta – krijimi i një mjedisi të lagësht e të ngrohtë shkakton mbirritjen e bakterieve.
- Ndërrimi i rrallë i produkteve të higjienës femërore (tamponë, peceta higjienike).
Simptomat e infeksioneve mykotike vaginale:
- Kruajtje vaginale
- Sekrecione vaginale të bardha, të trasha
- Skuqje dhe ënjtje e vulvës dhe vaginës
- Dhimbje gjatë seksit
- Dhimbje gjatë urinimit
Parandalimi i infeksioneve mykotike vaginale:
- Reduktoni përdorimin e produkteve të ndryshme (aromatike) gjatë dushit pasi këto ndikojnë tek ekuilibri vaginal dhe mund të rezultojnë në infeksioni mykotike.
- Gjatë ciklit menstrual ndryshoni shpesh tamponin apo pecetën higjienike.
- Ndërroni kostumin e banjos apo rrobat e djersitura pas notit dhe stërvitjes.
- Mbajeni të thatë zonën gjenitale.
- Vishni të brendshme pambuku.
- Kontrolloni nivelin e sheqerit në gjak.
- Shmangni përdorimin e antibiotikëve të panevojshëm.
- Hani kos.
Burimi: Prevention/ JoTabu.al
Leave a Reply