Infeksionet seksualisht të transmetueshme
Infeksionet seksualisht të transmetueshme janë infeksione të cilat transmetohen përmes marrëdhënieve seksuale. Mikroorganizmi që shkakton infeksionin mund të kalojë nga personi i infektuar në partnerin e shëndoshë nëpërmjet gjakut, spermës apo sekrecioneve vaginale.
Një pjesë e këtyre infeksioneve mund të kalojnë nga nëna tek fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes, transfuzionit të gjakut ose përdorimit të shiringave të infektuara. Në shumë raste, këto infeksione nuk shfaqin simptoma dhe njerëzit që i mbartin janë të shëndetshëm në dukje.
Shenjat dhe simptomat më të shpeshta janë:
-plagë në pjesën gjenitale, orale apo rektale
-urinim i dhimbshëm, djegie gjatë urinimit
-rrjedhje sekrecionesh nga penisi
-sekrecione vaginale
-dhembje në fund të barkut
-enjtje dhe dhembje e gjëndrave, sidomos në rrëzë të kofshës
Simptomat mund të shfaqen disa ditë, javë apo vite më vonë, kjo në varësi të organizmit. Ato mund të qetësohen brenda disa javësh edhe pa trajtim, por do të rikthehen më vonë duke dhënë komplikacione.
Infeksionet seksualisht të transmetueshme shkaktohen nga:
-Bakterie (gonorrea, sifilizi, klamidia)
-Parazitë (trikomoniaza)
-Viruse (papilloma virus, herpes gjenital, HIV)
Faktorët që ndikojnë në përhapjen e infeksioneve janë:
-Marrëdhënie seksuale të pambrojtura, vaginale apo anale, qoftë edhe me një akt të vetëm seksual. Vendosja jo mirë e kondomit, mospërdorimi i vazhdueshëm i tij rrisin mundësinë e përhapjes së infeksioneve. Seksi oral ka më pak rrezik, por përsëri mund të lejojë kalimin e infeksioneve, nëse nuk përdoret kondom apo perde dentare lateksi (për të parandaluar kontaktin lëkurë-mukozë-lëkurë).
-Marrëdhënie seksuale me shumë partnerë: sa më shumë partnerë seksualë, aq më të ekspozuar ndaj infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
– Infeksione të mëparshme seksuale: një bartës i një infeksioni seksual është më i prirë për t’u infektuar me infeksione të tjera: p.sh., nëse dikush është i prekur nga sifilizi apo gonorrea, ka më tepër mundësi të preket nga HIV apo të ri-infektohet nga partneri, nëse ai nuk është i mjekuar.
-Përdorimi i alkoolit dhe drogave: substanca të tilla, duke frenuar kontrollin dhe gjykimin, përbëjnë rrezik për të patur marrëdhënie apo sjellje të rrezikshme.
-Injeksionet: përdorimi i ageve të përdorura mbart rrezikun për HIV, hepatit B, C.
-Marrëdhëniet në moshë të re: tek vajzat adoleshente, qafa e mitrës nuk është e maturuar, e përbërë nga qeliza që janë në ndryshim të vazhdueshëm. Këto qeliza të paqëndrueshme e bëjnë qafën e mitrës më vulnerabël ndaj sëmundjeve infektive.
Në përgjithësi, infeksionet seksualisht të transmetueshme janë më të shpeshta në disa grupe të caktuar, si: të rinjtë, homoseksualët, komunitetet e vogla të pazhvilluara. Mendohet që partnerët seksualë janë pjesë e të njëjtit rrjet shoqëror dhe të të njëjtës moshë.
Transmetimi nga nëna te fëmija
Infeksione të tilla si gonorrea, klamidia, HIV dhe sifilizi mund të kalojnë nga nëna tek fëmija gjatë procesit të lindjes, duke dhënë komplikacione të shumta. Për këtë arsye të gjitha gratë shtatzëna janë të detyruara të depistohen (kryerja e ekzaminimeve për një infeksion, edhe nëse nuk ka asnjë shenjë apo simptomë) për IST, duke bërë:
-testet e gjakut
-analizat e urinës
-analizat e sekrecioneve
Trajtimi
Infeksionet seksualisht të transmetueshme, të shkaktuara nga bakteret, janë më lehtësisht të trajtueshme. Infeksionet virale mund të mbahen nën mbikëqyrje, por jo gjithmonë kurohen. Në varësi të infeksionit, përdoren:
-antibiotikë, trajtojnë sëmundjet bakteriale dhe infeksionet parazitare: gonorrea, sifilizi, klamidia, trikomonazia. Duhet theksuar se mjekimi duhet të merret i plotë deri në trajtimin e plotë të infeksionit.
-antiviral, përdoret për trajtimin e herpesit primar dhe mund të mbajnë infeksionin HIV nën kontroll për shumë vjet. Sa më herët të nisë mjekimi, aq më efektiv është.
Parandalimi
-Abstenimi: mënyra më efektive për të shmangur IST.
-Monogamia: marrëdhëniet për një kohë të gjatë me një partner të painfektuar.
-Vaksinimi i hershëm, më herët se nisja e marrëdhënieve seksuale.
-Pritja: të shmangen marrëdhëniet anale apo vaginale me partner të ri, sa të testohen të dy partnerët për praninë e infeksioneve.
-Përdorimi i kondomëve apo pendeve dentale, në mënyrë të rregullt gjatë çdo marrëdhënie anale, vaginale apo orale.
-Të mos pihet alkool apo droga të tjera, pasi ulet shkalla e gjykimit dhe rritet rreziku për sjellje të pakontrolluara.
-Të shmangen marrëdhëniet rastësore.
-Edukimi në familje. Që në moshën e adoleshencës duhet që prindi të krijojë marrëdhënie të drejta me fëmijët, duke i ndihmuar të kuptojnë kohën e nisjes së marrëdhënieve seksuale, masat mbrojtëse, të mirat dhe të këqijat që sjell ky ndryshim në jetën e tyre.
-Rrethprerja (synetllëku) ul shanset për t’u infektuar me HIV deri në 50% dhe parandalon transmetimin e herpesit gjenital.
Klamidia
Është infeksion bakterial i aparatit gjenital, i cili shpesh herë është vështirë të diagnostikohet, pasi në stadet e hershme mund të mos japë shenja apo simptoma. Nëse një person infektohet, shenjat e para do të jepen 1 deri në 3 javë më vone:
-urinim i dhimbshëm
-dhembje të fundit të barkut
-rrjedhje apo sekrecione vaginale
-rrjedhje nga penisi te meshkujt
-dhembje gjatë marrëdhënieve seksuale
-dhembje të testikujve tek meshkujt
Gonorrea
Është infeksion bakterial, shenjat e para të të cilit shfaqen 2 deri në 10 ditë pas infektimit, por ka raste që mund të shfaqen deri disa muaj më pas. Shenjat janë:
-sekrecione vaginale të trasha, të turbullta
-dhembje, djegie gjatë urinimit
-hemorragji
-enjtje dhe dhembje e testikujve
-dhembje e zorrëve
-djegie anale
HIV
Është një infeksion i shkaktuar nga virusi i imunodefiçencës. Ky virus interferon me aftësitë e trupit për të luftuar infeksionet virale, bakteriale apo mykotike, duke çuar në një sëmundje kronike vdekjeprurëse. Shenjat e para shfaqen 2 deri në 6 javë pas infektimit
-ethe
-dhembje koke
-dhembje fyti
-zmadhim i gjëndrave limfatike
-lodhje
Këto shenja zhduken brenda javës apo muajit, por gjatë kësaj periudhe personi i infektuar është infektues për të tjerët. Shenjat e tjera shfaqen pas 10 ose më shumë vitesh nga infeksioni primar. Më pas, kur virusi shumohet dhe shkatërron sistemin imun, shfaqen shenjat e sëmundjes kronike:
-gjëndra limfatike të zmadhuara
-diarre
-rënie në peshë
-ethe
-kollë dhe problem të frymëmarrjes
Herpesi gjenital
Shkaktohet nga virusi herpses simplex. Ai depërton në organizëm nëpërmjet të çarave të vogla të lëkurës apo përmes mukozës. Shumica e njerëzve nuk e dinë që janë infektuar për një kohë të gjatë, por mund të ketë përsëritje të shfaqjes së sëmundjes:
-vezikula të vogla, puçrra të kuqe apo plagë të hapura në zonat gjenital
-dhembje dhe të kruara në zonat gjenitale, në të ndenjura dhe në pjesën e brendshme të kofshës
Sifilizi
Është infeksioni i shkaktuar nga një bakter spiroket, treponema pallidum, i cili prek organet gjenitale, lëkurën, mukozat, apo edhe pjesë të tjera të trupit, si zemrën dhe trurin. Shenjat janë:
-plagë në lëkurë
-ethe
-lodhje
-dhembje dhe kruajtje
Nëse ky infeksion lihet pa trajtuar, bakteret mund të përhapen, duke sjellë dëmtime të organeve të brendshme deri në vdekje./ JoTabu.al

Leave a Reply