Gjimnazistët, pa njohuri të shëndetit seksual dhe riprodhues: edhe mësuesit, paragjykues
Diskutimet për çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues vazhdojnë të ngjallin debat në shoqërinë shqiptare.
Mungesa e informacionit dhe paragjykimet për këto çështje janë ndër problemet kryesore. Rezulton se të rinjtë janë të papërgatitur për të ardhmen sepse çështje të tilla nuk diskutohen brenda familjes, duke shkaktuar një zinxhir problemesh, pasi informacioni që nuk merret nga familja do të merret patjetër nga një burim tjetër që mund të jetë ose jo i saktë. Raportet tregojnë se 85% e adoleshentëve flasin “rrallë” ose “asnjëherë” me familjet e tyre për çështje të shëndetit seksual dhe riprodhues.
“Together for Life”, mbështetur financiarisht nga Ambasada Franceze, prezantoi më 31 maj 2022 gjetjet e raportit “Të drejtat e shëndetit seksual dhe riprodhues të adoleshentëve në Shqipëri”. Shoqata mblodhi në një tryezë të përbashkët të gjithë aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë që fokusojnë punën e tyre tek të rinjtë dhe adresimin e çështjeve që lidhen me të drejtat seksuale dhe riprodhuese në Shqipëri. Qëllimi i raportit ishte të jepte të dhëna të përditësuara dhe rekomandime për të përmirësuar aksesin e institucioneve publike dhe shoqërisë civile në aktivitetet e shëndetit seksual dhe riprodhues të të rinjve në vend.
Në takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Rinisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare: Këshilli i Evropës, UNFPA, UN Women etj. Përfaqësues të Ambasadës Zvicerane në Shqipëri, të cilët Pjesë e takimit ishin edhe ata që prej vitesh mbështesin sistemin shëndetësor në vend.
Në diskutime u përfshinë të gjithë pjesëmarrësit. Prindërit kërkuan që shëndeti seksual dhe riprodhues, për shkak të rëndësisë së tij, të jetë i detyrueshëm dhe jo lëndë me zgjedhje në shkolla. “Kemi hasur në vështirësi me mësuesit që japin lëndët e shëndetit seksual dhe riprodhues. Është e nevojshme të kemi trajnime për ta”, tha drejtoresha e shkollës së mesme “Partizani” në Tiranë, duke kërkuar nga shoqëria civile të aplikojë në projekte që u japin mësuesve mundësi për të rritur kapacitetet e tyre.
E pranishme në takim, Shkëlqesia e saj Elisabeth BARSACQ, Ambasadorja e Francës në Shqipëri, në fjalën përshëndetëse theksoi se “është e rëndësishme që të gjithë të kenë akses të plotë në shërbime shëndetësore cilësore, si dhe të jenë të informuar, pasi informacioni është çelësi i zgjidhjes së shumë problemeve, duke përfshirë aksesin në metodat moderne të kontracepsionit pa u përballur me diskriminim apo vështirësi”.
Përfaqësues të institucioneve shëndetësore vlerësuan raportin, duke e cilësuar të vlefshëm dhe të domosdoshëm për situatën aktuale. Ekspertët që hartuan raportin u shprehën se duhet pranuar se mungesa e informacionit nuk i sjell dobi askujt, as prindit, as fëmijës dhe as shoqërisë. Është e nevojshme që fëmijët të arsimohen dhe ky edukim të vijë nga burime të besueshme: familja, shkolla, mjeku.
Çështjet e shëndetit seksual dhe riprodhues vazhdojnë të jenë tabu brenda familjes shqiptare, por edhe brenda shoqërisë: prindërit nuk flasin me fëmijët e tyre, mësuesit kanë kufizimet e tyre dhe sigurisht, shumica prej tyre kanë të njëjtën psikologji si prindërit, që do të thotë se ata kanë vështirësi për të folur, janë paragjykues dhe të papërgatitur për të komunikuar me nxënësit për sa i përket shëndetit seksual dhe riprodhues. Kështu, megjithëse shkolla është burimi kryesor i informacionit për adoleshentët, informacioni i marrë është i pamjaftueshëm, duke bërë që të rinjtë t’i drejtohen internetit, por edhe miqve, të cilët ndërkohë nuk kanë marrë informacion nga burime të besueshme dhe janë në të njëjtën situatë.
Gjithashtu, në Shqipëri ka mungesë të mirëkuptimit brenda popullatës shqiptare për ngacmimin seksual dhe dhunën seksuale (ose ngacmimin dhe dhunën si term i gjerë) dhe një stigmë të përhapur ndaj viktimave të ngacmimit seksual dhe dhunës seksuale. Si shoqëri patriarkale, gruaja, vajza shihet si një qenie e dobët që duhet t’i shërbejë dhe t’i bindet seksit të kundërt. Pra, shumë vajza dhe gra të reja nuk janë në gjendje të kuptojnë se kur duhet të ndihen të dhunuara apo të ngacmuara dhe cilat janë format e ndryshme të shkeljes, ngacmimit apo bullizmit.
Informimi për këto çështje do t’u mundësojë të rinjve të kenë informacionin e duhur, mendësinë e duhur dhe të jenë partnerë dhe prindër të shëndetshëm të së nesërmes. Duhet kuptuar se kur flasim për çështje të shëndetit seksual dhe riprodhues nuk kemi të bëjmë me çështje personale, por me një çështje shumë të rëndësishme sociale.
Leave a Reply