Fazat e pubertetit, shenjat e para te vajzat
Puberteti është periudha gjatë së cilës trupi i një fëmije ndryshon. Vajzave iu zhvillohet gjoksi dhe iu vijnë periodat, ndërsa djemve iu trashet zëri dhe fillojnë të marrin pamjen e një të rrituri.
Mosha mesatare për fillimin e pubertetit tek vajzat është 11, ndërsa për djemtë mosha mesatare është 12. Megjithatë, nuk ka një moshë fikse, prandaj nuk duhet të shqetësoheni nëse fëmija arrin pubertetin më herët ose më vonë se shokët e tij/saj. Është krejtësisht normale që puberteti të nisë nga mosha 8 deri në 14 vjeç. Procesi merr rreth 4 vjet.
Puberteti i hershëm ose i vonuar
Fëmijët që hyjnë në periudhën e pubertetit si shumë herët (para moshës 8 vjeç) ose shumë vonë (pas moshës 14 vjeç) duhet të bëjnë një vizitë mjekësore për të kontrolluar nëse vuajnë nga ndonjë sëmundje e fshehur.
Shenjat e para të pubertetit te vajzat
- Shenja e parë e pubertetit te vajzat është zakonisht zhvillimi i gjoksit. Është normale që njëri gjoks të fillojë të zhvillohet (shfaqet një kokërr) disa muaj para tjetrit.
- Fillojnë të rriten edhe qimet në zonën pubike, ndërkohë që shtohen edhe qimet në këmbë dhe duar.
Shenjat e tjera të pubertetit
Rreth një vit pas të fillimit të pubertetit, dhe për disa vite të ardhshme, shfaqen këto shenja të pubertetit:
- Gjoksi fillon të rritet edhe më shumë
- Rreth 2 vite pas fillimit të pubertetit, vajzave iu vijnë periodat.
- Qimet në zonën pubike fillojnë të trashen.
- Shfaqen qime në sqetulla. Disa vajzave fillojnë t’u shfaqen qime edhe në pjesë të tjera të trupit, si në gjymtyrët e sipërme. Kjo është diçka krejt normale.
- Djersitin më shumë.
- Shfaqen akne në lëkurë, sidomos në fytyrë, në formë puçrrash, pika të zeza dhe të bardha.
- Shfaqen sekrecione vaginale të bardha.
- Në këtë periudhë vajzat zgjaten më shumë. Nga koha që iu vijnë periodat, vajzat rriten 5-7.5 cm në vit, gjatë dy viteve të ardhshme.
- Shumë vajza në këtë moshë shtojnë edhe në peshë – është normale që kjo të ndodhë – duke qenë se ndryshon forma e trupit.
4 vite pas kalimit në pubertet
- Gjoksi fillon të marrë formën e një të rriture
- Qimet fillojnë të përhapen edhe në kofshë
- Gjenitalet zhvillohen plotësisht
- Vajzat nuk zgjaten më.
Burimi: NHS
One Comment
-
Ndryshimet në humor gjatë pubertetit | Jo Tabu
