Duhani dhe (in)fertiliteti femëror
Elton Peci, mjek obstetër-gjinekolog
Konsumi i duhanit në mënyrë aktive, por edhe ne mënyrë pasive ka një efekt negativ në fertilitetin e femrës. Konsumi i duhanit shoqërohet me më tepër shanse për humbje të shtatzënisë, shtatzëni ektopike (jashtë mitre), infertilitet dhe menopauzë të parakohshme. Sipas një studimi të botuar në revistën Fertility & Sterility në vitin 2000, tek femrat që konsumojnë duhan në mënyrë aktive, infertiliteti takohet 54% më shpesh sesa tek femrat që nuk konsumojnë duhan.
Femrat lindin me një rezervë të caktuar vezësh, e cila me kalimin e viteve reduktohet në mënyrë graduale deri sa femra hyn në menopauzë. Rezerva ovariale (vezët ose ovaciitet) janë shumë të ndjeshme ndaj ekspozimit në mënyrë të vazhdueshme ndaj substancave toksike. Tymi i duhanit përmban substanca të ndryshme toksike të cilat ndikojnë negativisht fertilitetin e femrës në disa nivele. Një vezë e cila mund të “dëmtohet” nga këto substanca toksike por që arrin të fertilizohet, bën që të rritet mundësia për abort spontan. Nga ana tjetër, këto substanca janë përgjegjëse edhe për reduktimin më të shpejtë të rezervës ovariale duke vështirësuar arritjen e shtatzënisë pas moshës 35-vjeçare dhe përshpejtuar hyrjen në menopauzë./ JoTabu.al

Leave a Reply