
Diabeti në shtatzëni, rreziqet dhe trajtimi
Një grua gjatë shtatzënisë mund të kërcënohet nga disa sëmundje, mes të cilave edhe diabeti. I kaluar në këtë moment të jetës, ai quhet diabet i barrës dhe mund të shfaqë mjaft komplikacione si për nënën ashtu edhe për bebin.
Rreziqet më kryesorë janë: lindjet e parakohshme ose të paskohshme, abortet spontane, stimulimi i problemeve me hipertensionin, keqformimet fetale, lindjet mbipeshë etj.
Dashamir Gjergji, mjek endokrinolog pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr.3, tregon se rreth 10% e grave vuajnë diabetin e barrës gjatë shtatzënisë. Megjithëse zhduket me lindjen, ekziston rreziku që tek 50% e tyre të riinstalohet përsëri pas 10 vitesh.
Ajo çfarë duhet patur parasysh janë ekzaminimet para dhe gjatë shtatzënisë, ku më kryesoret janë bilanci i sheqernave në gjak, sidomos për muajt e parë deri në muajin e 6 të shtatzënisë.
Çfarë është diabeti i shtatzënisë?
Diabeti i shtatzënisë është diabeti që prek gratë shtatzëna. Konsiderohet diabet i barrës vetëm kur sëmundja e diabetit i prek gratë në periudhën e shtatzënisë, pra që nuk njiheshin si diabetike para shtatzënisë. Sipas statistikave, afërsisht 10% e grave gjatë shtatzënisë vuajnë diabetin e barrës, megjithëse po të kërkohet më tej, kjo shifër do të ishte ndoshta më e lartë. Diabeti i barrës i ngjan diabetit të tipit të 2, pavarësisht se trajtohet me insulinë. Gjëja më e mirë do të ishte që çdo femër para se të përgatitet për një shtatzëni, të bëjë një bilanc paraprak analizash/ ekzaminimesh, ku më kryesori është bilanci i sheqernave në gjak, dhe në momentin që ngelen shtatzënë, sidomos në muajt e parë deri në muajin e 6, të bëjnë testet e ngarkesës së sheqerit për të përcaktuar nëse kanë ose jo diabet, pasi një nënë me diabet gjatë shtatzënisë nënkupton probleme jo vetëm për atë vetë, por edhe për foshnjën.
Cilat do të ishin këto probleme/ rreziqe për nënën dhe foshnjën në këtë rast?
Rreziqet për nënën qëndrojnë tek fakti se shtatzënia mund të komplikohet. Ndodh që të bëjnë aborte spontane, fëmija mund të rritet më tepër se sa duhet dhe të krijojë probleme në jetën intrauterine, mund të kemi lindje të parakohshme ose të pakohshme, që janë edhe më të zakonshme në diabetin e shtatzënisë. Mund të stimulojë një hipertension të mëvonshëm, që zakonisht ne i themi eklampsi ose pre-eklampsi kur gjenden të dyja bashkë si hipertensioni ashtu edhe diabeti, e shumë të tjera.
Ndërsa tek foshnja mund të hasim defekte që në jetën intrauterine, pra bebi nuk bën një zhvillim të mirë duke qenë i ekspozuar me nivele të larta të sheqerit nga gjaku i nënës. Zakonisht këta fëmijë lindin mbipeshë, afërsisht mbi 4 kg dhe me kokë më të madhe se normalja. Dhe në momentin që lindin, duke qenë se në jetën intrauterine janë mësuar me nivele të larta të sheqerit në gjak, mund të pësojnë hipoglicemi neonatale, pra rënie të sheqerit, apo edhe vuajtje të tjera për shkak të organeve të mëdha. Këta fëmijë kanë predispozitë të lartë të vuajnë diabetin gjatë jetës së tyre.
Cilat janë shkaqet që e çojnë një grua shtatzënë në diabet?
Sigurisht diabeti i shtatzënisë nuk ka një shkak të vetëm, ka shumë shkaqe, por ne do i ndajmë në 50% faktorë të brendshëm, ku vetë predispozita gjenetike e nënës që mbart fëmijën në një stres të caktuar fizik siç është shtatzënia, nuk arrin dot ta menaxhojë siç duhet nivelin e sheqerit në gjak. Nga ana tjetër, vetë placenta prodhon disa hormone të cilat nga ana e tyre jo vetëm që shkaktojnë pjesën e stresit fizik, por janë edhe në kundërshtim në një farë mase me mbajtjen në normë të nivelit të sheqerit në gjak. Pra, me pak fjalë predispozojnë nënën për të bërë diabet.
Me çfarë simptomash shfaqet diabeti i shtatzënisë?
Jo çdo e sëmurë me diabet shfaq shenja dhe jo gjithmonë këto shenja janë tipike për çdo individ, por rregulli që i përmbledh dhe që në këtë rast vlen edhe për diabetin e shtatzënisë, manifestohet me simptomat klasike të diabetit, ku mund të përmendim: etjen e shtuar, urinimin e shpeshtë, rënien e pashpjegueshme nga pesha, ndjesinë e lodhjes, përgjumjen, shfaqjen e nervozizmit etj.
Si bëhet ndjekja/ monitorimi i një nëne me diabet gjatë shtatzanisë?
Në qoftë se në kushte normale diabeti monitorohet lehtësisht, në kushtet e një shtatzënie matjet duhen bërë 3-4 herë në ditë, e sidomos kur është nën mjekim me insulinë për të parë se si lëviz niveli i sheqerit në gjak (maksimumi dhe minimumi), në mënyrë që mos të kemi ekspozime të tepërta të fëmijës ndaj niveleve të tilla.
Për sa i përket trajtimit, organizatat e specializuara botërore kanë qenë të prera për trajtimin me insulinë të këtyre rasteve. Deri para pak vitesh nuk preferohej të jepeshin barna nga goja për shkak të efekteve anësore që mund të kenë tek fëmija, duke qenë se shumica e kalojnë barrierën palcentare, megjithatë studimet e fundit kanë treguar që për disa barna që merren nga goja, kur nuk japin dëmtime dhe nëse nivelet e sheqerit në gjak janë të pranueshme, mund të trajtohen pa probleme gjatë gjithë shtatzënisë.
Ç’ndodh pas shtatzënisë, a vazhdon të qëndrojë i instaluar diabeti tek këto femra?
Në fakt, tek këta femra me largimin e barrës edhe diabeti zhduket, por këtu ka një tjetër të vërtetë madhore. Afërsisht 50% e këtyre grave pas 10 vitesh ribëhen me diabet përsëri, pra riinstalohet diabeti dhe këtë herë ai tip 2. Ndaj ne theksojmë me të madhe që gjatë kësaj kohe të bëhet kujdes me dietën, të bëjnë vazhdimisht matje, pra të ndiqen sikur ta kenë rrezikun që janë me diabet.
Për vetë foshnjën duhet gjithashtu një kujdes i mirë në lindje që të mos vuajnë pasojat momentale apo pasojat e shtatzënisë me nivelet e tepërta të sheqerit, por që pas lindjes nuk është se kanë nevojë për monitorim të mëtejshëm, megjithëse duhet theksuar se ka një lloj risku që këta fëmijë të vuajnë vetë nga diabeti më vonë, qoftë të tipit 1 qoftë të tipit 2, por më tepër bëhet fjalë për këtë të fundit i cili është edhe më i trashëgueshëm.
Cilat duhet të jenë vlerat normale të sheqerit në gjak, tek kjo grua shtatzënë?
Në qoftë se për të sëmurët me diabet ne kemi limite 126 mg/dl para ushqimit dhe 200 mg/dl pas ushqimit, tek gratë shtatzëna kjo shifër nuk duhet të kalojë më shumë se 95 mg/dl pa ngrëne dhe jo më shumë se 140 mg/dl dy orë mbas ushqimit. Pra kriteret janë më strikte tek një grua shtatzënë. Arsyeja është që të mbajmë nivele sa më normale të sheqerit në gjak, në mënyrë që të mos transmetojmë probleme tek bebi.
Çfarë kujdesi duhet treguar në drejtim të dietës?
Normalisht gratë shtatzëna të cilat vuajnë sëmundjen e diabetit duhet të jenë më selektive dhe më të kujdesshme në përzgjedhjen e ushqimeve që marrin, por edhe të vakteve. Përveç tre vakteve kryesore të detyrueshme, tek këto femra rekomandohet edhe marrja e dy vakteve të ndërmjetme. Për mëngjesin tek një grua shtatzënë me diabet ne rekomandojmë kryesisht marrjen e proteinave (vezë, djathë,krem kikiriku, arra etj) dhe limitimin e karbohidrateve. Frutat apo lëngjet e frutave rekomandohet të lihen përgjatë ditës.
Sigurisht ne i orientojmë të marrin vetëm produkte natyrale, të papërpunuara dhe që nuk kanë përqindje të lartë sheqeri (GI indekes) të tilla si: qumështi, kosi, drithërat, orizi dhe makaronat integrale, perimet, zarzavatet dhe sigurisht frutat. Meqenëse tani është edhe sezoni, ne këshillojmë pjeprin dhe shalqinin, pavarësisht frikës se mund të jenë shumë të ëmbla, duhet të theksojmë që GI indeksi i tyre nuk dhe aq i lartë, por mbi të gjitha sepse janë të pasura më lëngje , mjaft të nevojshme për një grua shtatzënë. Gjithsesi, nuk duhet ta teprojnë me sasinë e tyre dhe të frutave në tërësi.
A vlerësohet diabeti i shtatzënisë sa duhet?
Në përgjithësi nuk vlerësohet sa duhet. Jo vetëm nga pacientët, por fatkeqësisht edhe në nivel profesional them se duhet më tepër ndërgjegjësim në drejtim të informimit, ku më e mira do të ishte për çdo grua e cila dëshiron të ketë një fëmijë apo është shtatzënë, t’i
nënshtrohet paraprakisht disa ekzaminimeve reale për matjen e nivelit të sheqerit në gjak, për të parë nëse kanë predispozitë, apo janë të rriskuara për tu prekur nga diabeti.
Megjithatë, do të doja të theksoja edhe diçka këtu, jo vetëm nënat që duhet të jenë më të kujdesshme, të kërkojnë ndihmë, të vetë ofrohen për matje të sheqerit, por edhe vetë bluzat e bardha duhet të hulumtojnë për të gjetur raste të grave me diabet në mënyrë që të
parandalohen probleme të mëvonshme.
Sqarojmë se diabeti është më i shpeshtë në grupe të caktuara të popullatës si te personat mbipeshë, tek personat që kanë të afërm me diabet, tek gratë që kanë lindur më parë fëmijë mbi 4kg, personat mbi 40 vjeç etj. Këto janë fokuset kryesore të popullatës dhe këtu duhet kërkuar më tepër diabeti, dhe në rastin konkret edhe ai i barrës.
Leave a Reply