Diabeti i shtatzënisë, rreziku tek nëna dhe foshnja
Elton Peci, gjinekolog
Diabeti gestacional (ose i shtatzënisë) presupozon një rritje të nivelit të glukozës (sheqerit) në gjakun e nënës gjatë shtatzënisë. Nivelet e glicemisë në gjak rriten në ato raste kur trupi i njeriut nuk prodhon në sasi të mjaftueshme një hormone të quajtur insulinë. Insulina ndihmon:
- Muskujt dhe indet e trupit tuaj që të përdorin glukozën në gjak për energji.
- Organizmin të ruajë çdo “tepricë” glukoze e cila nuk nevojitet.
Gjatë shtatzënisë trupi juaj duhet të prodhojë insulinë shtesë, sidomos në gjysmën e dytë të shtatzënisë. Shtatzëna ka nevojë për insulinë shtesë për shkak të hormoneve placentare që ulin përgjigjen ndaj insulinës (ndjeshmërinë ndaj saj). Kjo do të thotë se kemi insulinë-rezistencë. Nëse trupi juaj nuk arrin dot ta përmbushë këtë “detyrë”, atëherë nivelet e glukozës në gjak do të rriten dhe ju mund të zhvilloni diabet gestacional (të shtatzënisë).
Nivelet e rritura të glukozës në gjak mund të shkaktojnë problem për ju (komplikacione materne) dhe për bebin (komplikacione fetale). Për këtë arsye shtatzënia me diabet gestacional konsiderohet shtatzëni me rrezik të lartë dhe kërkon një kujdes më të madh.
Sa i shpeshtë është diabeti i shtatzënisë?
Mendohet që diabeti gestacional shfaqet 3-10% të shtatzënave.
A vazhdon edhe pas shtatzënisë?
Jo! Në shumicën e rasteve diabeti i shtatzënisë kalon pas lindjes së bebit. Pra, ndryshon nga diabeti tip 1 apo tip 2, që zgjasin gjatë gjithë jetës nëse shfaqen.
A mund të parandalohet?
Nuk ka mjekim që mund të parandalojë shfaqjen e diabetit gestacional. Megjithatë, ka disa mënyra jetese të cilat mund të reduktojnë rrezikun për shfaqjen se diabetit të shtatzënisë.
- Të ushqehesh në mënyrë të shëndetshme; që do të thotë të planifikoni vaktet tuaja me sa më shumë karbohidrate me çlirim të ngadaltë (sheqeri kaf, pastat me drithëra integrale). Mundohuni të zëvendëoni mishin e kuq me atë të bardhë (pulë / peshk). Po ashtu, mundohuni të zgjidhni mishin në zgarë sesa atë të skuqur.
- Të bëni ushtrime fizike, gjithashtu ndihmon në ruajtjen e glukozës në nivele normale. Është e lejuar në shtatzëni të bëni joga, not apo shëtitje çdo ditë.
- Të mbani peshën tuaj nën kontroll.
Si trajtohet diabeti i shtatzënisë?
Pas vendosjes së diagnozës së diabetit gestacional, mjeku do t’ju rekomandojë ndryshimet e nevojshme në mënyrën e jetesës dhe ushqyerjes, dietën e duhur dhe ushtrimet fizike të lejuara (30 minuta në ditë).
Një grua shtatzënë me diabet gestacional ka nevojë për më tepër ekografi për të pasur nën kontroll rritjen e bebit dhe nivelin e lëngut amniotik.
Gjithashtu në këto raste rekomandohet edhe matja (gjurmimi) ditore e lëvizjeve fetale nga ana e shtatzënës. Një ndjesi që bebi lëviz më pak, duhet të referohet tek mjeku.
Nëse dieta dhe ushtrimet nuk mjaftojnë për të mbajtur në normë nivelin e glukozës, atëherë mund të jetë nevoja për trajtim me insulinë, dozën e të cilit e vendos mjeku endokrinolog./JoTabu.al
Leave a Reply