Atlasi i Kontracepsionit 2019/ Shqiptarët informohen nga faqe interneti jo të mbështetura nga qeveria
Është lançuar edicioni i tretë i Atlasit të Kontracepsionit – harta që pasqyron 46 shtete të ndryshme të Evropës lidhur me aksesin në metodat moderne të kontracepsionit. Atlasi rendit shtetet sipas aksesit të tyre në metodat moderne kontraceptive, këshillimin për planifikimin familjar dhe sigurimin e informacionit online mbi kontracepsionin.
Shtetet janë të renditura sipas ngjyrave: e gjelbër, jeshile e hapur, e verdhë, portokalli, e kuqe dhe e kuqerremtë.
Shqipëria është futur te kategoria e dytë, me ngjyrë jeshile e hapur, që do të thotë se ka një mbulim të mirë të metodave kontraceptive dhe ka pasur një përmirësim të aksesit nga viti në vit. Kategoritë me ngjyrë të kuqe dhe të kuqerremtë tregojnë për performancë shumë të dobët lidhur me aksesin në metodat moderne kontraceptive, ku bëjnë pjesë 12 shtete, përfshirë edhe Kosova.
Sa i përket informacionit online mbi kontracepsionin, Atlasi tregon se shqiptarët e marrin këtë informacion nga uebsajte jo të mbështetura nga qeveria.
Është viti i tretë që ky Atlas prezantohet nga Forumi i Popullsisë dhe Zhvillimit në Parlamentin Evropian në bashkëpunim me Third-i, ndërkohë që metodologjia është bërë nga ekspertë të shëndetit seksual dhe riprodhues.
Sipas këtij Atlasi të Kontracepsionit, 43% e shtatzënive në Evropë janë të padëshirueshme, ndërkohë që vetëm 69% e grave përdorin metodat e kontracepsionit./ JoTabu.al


Leave a Reply