A jam shtatzënë?
Shenjat/simptomat më të zakonshme që tregojnë që një grua është shtatzënë janë ndërprerja e ciklit menstrual, njolla gjaku vaginale, të përziera & të vjella kryesisht në orët e mëngjesit dhe ndjesi e theksuar lodhje.
Por si të kuptoni nëse jeni apo jo shtatzënë?
Të kuptuarit nëse jeni shtatzënë apo jo varion nga personi në person dhe përkatësisht kemi gra të cilat mund të themi që e njohin shumë mirë trupin e tyre dhe arrijnë të kuptojnë që janë shtatzënë qysh në ditët e para të shtatzënisë, një tjetër kategori, ku përfshihen edhe shumica, që dyshojnë për shtatzëni vetëm në momentin që kanë ndërprerje të ciklit menstrual, dhe një kategori më e vogël janë ato gra që ju duhen ndoshta edhe muaj që të kuptojnë që janë shtatzënë.
Një grua e cila ka ndërprerje të ciklit menstrual dhe që kryen jetë të rregullt seksuale duhet të kryejë testin e shtatzënisë si dhe të vihet menjëherë në kontakt me mjekun specialist sepse kujdesi prenatal (përpara lindjes) është shumë i rëndësishëm si për shëndetin e nënës ashtu edhe të bebit.
Cilat janë 5 shenjat e zakonshme të Shtatzënisë?
Më poshtë gjeni 5 nga shenjat që konsiderohen si shenjat e zakonshme të shtatzënisë. Këtu duam të nënvizojmë faktin që gratë mund të ndodhë të kenë të gjitha këto shenja bashkë, disa apo edhe asnjë nga këto shenja, dhe kjo ka të bëjë me faktin që shenjat e shtatzënisë variojnë në sipas personave.
Mungesë e ciklit menstrual: Kjo konsiderohet si një ndër shenjat më tipike dhe të zakonshme që lidhet me shtatzëninë, por nuk është gjithmonë shenjë e shtatzënisë. Stresi, aktivitet fizik i tepruar, dietat, disbalanca hormonale apo edhe faktorë të tjerë mund të çojnë në çrregullimin e ciklit menstrual.
Urinim i shpeshtë: Edhe më përpara se të konstatojnë mungesë të ciklit menstrual, shumë gra shtatzëna raportojnë që përjetojnë urinim të shtuar, epidsode këto që përsëriten edhe gjatë natës. Nevoja për urinim të shpeshtë ndodh kur embioni implantohet në uterus dhe fillon të prodhojë hormonin e shtatzënisë, hormoni Beta HCG i cili çon në urinim të shpeshtë.
Ndjesi e theksuar lodhje: Një ndër shenjat e hershme të shtatzënisë është edhe një ndjesi e theksuar lodhje e cila vjen si rezultat i rritjes së nivelit të hormonit progresteron.
Të përziera & të vjella sidomos në mëngjes, por me raste edhe mbasdite apo natën: Episodet me të përziera & të vjella nuk janë të limituara vetëm gjatë mëngjesit. Shumë gra shtatzëna përjetojnë këto shqetësime jo vetëm në mëngjes por edhe gjatë orëve të tjera të ditës. Të vjellat mund të fillojnë në javën e dytë deri në muajin e dytë pas konceptimit dhe bazuar në statistika, afërsisht gjysma e grave shtatzënë përjetojnë këto shqetësime. Vetëm një pjesë e vogël prej tyre mund të përjetojnë episode shumë të rënda, pra kanë te vjella që mund të çojnë deri në dehidrim apo kequshqyerje.
Gjoks i ndjeshëm: Në shtatzëni gjoksi i gruas bëhet më i ndjeshëm, më i dhimbshëm dhe kemi edhe rritje të përmasave. Dhimbja e gjoksit është pak a shumë të ngjashme me periudhën përpara ciklit menstrual. Po kështu edhe thithat e gjirit fillojnë të marrin një ngjyrë më të errët dhe të zmadhohen. Në momentin që trupi i gruas fillon të mësohet me rritjen e hormoneve, atëherë reduktohet edhe dhimbja e gjoksit.
Cilat janë shenjat e tjera të Shtatzënisë?
Këtu përfshihen:
Njolla gjaku ( të ashtuquajtura edhe gjakderdhja e implantimit); Disa gra ndodh të kenë njolla gjaku të lehta apo gjakderrdhje nga vagina. Këto episode mund të ndodhin në kohën që duhet gruaja duhet të kishte ciklin menstrual dhe mund të zgjasin nga disa ditë deri në disa javë.
Neps dhe Uri e vazhdueshme: Disa gra fillojnë të kenë neps për ushqime të caktuara, kanë vazhdimisht uri ose evitojnë ushqime që më parë kanë qenë të preferuarat e tyre.
Shije metalike në gojë: Shumë gra ankohen se gjatë apo në fazat e hershme të shtatzënisë kanë një shijë metalike në gojë.
Dhimbje koke dhe marramendje: Dhimbje koke dhe ndjesi marramendje janë shenja të zakonshme në fazat e hershme të shtatzënisë dhe kjo vjen si rezultat i ndryshimeve hormonale dhe ndryshimeve në volumin e qarkullit të gjakut.
Krampe (ngërçe): Disa gra përjetojnë ngërçe të ngjashme me ato të ciklit menstrual. Në rast se këto ngërçe janë të lokalizuara vetëm në njërën anë apo janë shumë të forta atëherë duhet të kontaktoni menjëherë me mjekun./ Jotabu.al

Leave a Reply