Zëri i të Rinjve: Njihuni me Arlinda Rexhmati
Bisedoi: Blertina Koka
Arlinda Rexhemati vazhdon studimet për Shëndet Publik. E reja nga Kukësi është përfshirë që në moshë të vogël në nismat humanitare, duke dhënë kontributin e saj si vullnetare në qytetin e saj të lindjes. Një vajzë pozitive dhe fjalëpak, që arrin të përcjellë të gjithë dashamirësinë dhe thjeshtësinë e saj tek njerëzit.
Së fundmi ajo i është bashkuar Shoqatës Together for Life në fushatën “PërSHËNDETje”, duke dhënë një kontribut të vyer në informimin e komunitetit mbi sëmundjet kronike jo-infektive, faktorët e rrezikut dhe krijimin e sjelljeve të shëndetshme.
Këshilla e saj për organizatat që kanë në ekip të rinj vullnetar: Të krijojnë hapësira për secilin nga këta të rinj, ku të dëgjohet zëri i tyre, të shprehin atë që mendojnë dhe çfarë ndryshimi duan të sjellin me kontributin e tyre.
Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, realizuar nga shoqata Together for Life me mbështetjen e UNFPA Albania, Arlinda Rexhmati flet më shumë për përfshirjen e saj në shoqërinë civile si vullnetare, eksperiencat që ka fituar dhe çfarë duhet të bëhet për promovimin e vullnetarizmit si një eksperiencë pozitive për të rinjtë.
Jam Arlinda Rexhmati, 22 vjeç, nga qyteti i Kukësit. Aktualisht studioj në degën Shëndet Publik, viti i dytë Master, pranë Fakultetit të Mjekësisë.
Që në moshë të vogël më ka pëlqyer gjithmonë të merresha me punë vullnetare, kryesisht në aktivitete të organizuara nga shkolla dhe jo vetëm. Kur fillova studimet në Tiranë, kjo gjë mu bë edhe më e dukshme, ndoshta dhe nga vetë dega që zgjodha për të studiuar, degë që më njohu me organizata të ndryshme, në të cilat fillova të aktivizohesha si vullnetare. Gjithashtu kam marrë pjesë në shumë trajnime, workshope, konferenca e fushata të ndryshme, nga të cilat mund të përmend fushatën “PërSHËNDETje”, te realizuar nga shoqata Together for Life si më të fundit. Kjo ishte një fushatë intensive disaditore, në disa zona të Dibrës, me qëllim informimin e komunitetit mbi sëmundjet jo-infektive, faktorët e rrezikut dhe krijimin e sjelljeve të shëndetshme.
Të jesh vullnetare…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Padyshim një eksperiencë shumë e veçantë. Njeh njerëz të rinj, mëson aftësi të reja e bëhesh pjesë e diçkaje të rëndësishme, që synon të bëjë një ndryshim në shoqëri. Është në një farë mënyre dhe një sfidë me veten, që të ndihmon të rritesh si person.
Çfarë të inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetare: vullnetarizimi, eksperienca që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizatat…
Përveç eksperiencës, që padyshim kam fituar nëpërmjet vullnetarizmit apo të ndjerit e vlerësuar, çfarë më inkurajon më shumë është se kjo është mënyra ime për të sjellë një ndryshim. Një ndryshim që ndoshta është i vogël, por sigurisht pozitiv.
Mendon se ia ka vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetare? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë?
Për mua ia ka vlejtur plotësisht aktivizimi im si vullnetare. Ndonjëherë shpërblimi më i mirë që mund të marrësh nuk është ai monetar, por mirënjohja, buzëqeshjet dhe fjalët e mira që fiton gjatë rrugës dhe punës tënde. Pastaj, siç e përmenda dhe më sipër, mos të harrojmë dhe eksperiencën dhe aftësitë që fiton, të cilat janë gjithashtu shumë të rëndësishme.
Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo të “punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?
Ka shumë që e perceptojnë ”vullnetarizmin” si një veprimtari pozitive, që të ndihmon të bëhesh një njeri më i mirë, me anë të së cilës mund të bësh një ndryshim aty ku ti mendon se ka më shumë nevojë. Por, si çdo medalje, dhe kjo ka dy anë. Ka dhe atë pjesën tjetër, që e mendon “vullnetarizmin” thjesht si një humbje kohe, që sipas tyre nuk shpërblehet. Megjithatë, mendoj që shumica e të rinjve kanë filluar ta kuptojnë rëndësinë e “vullnetarizmit” dhe numri i atyre që e mendojnë atë si diçka pozitive sa vjen e po rritet. Ndoshta kjo ka të bëjë dhe me shtimin e informacionit mbi këtë çështje dhe lehtësinë për ta gjetur atë tashmë.
Sa të interesuar i sheh të rinjtë e Kukësit për t’u përfshirë në nismat humanitare si vullnetar?
Tashmë mundësitë për t’u përfshirë në nisma të ndryshme humanitare si vullnetar janë rritur. Kjo jo vetëm për ata të rinj nga Kukësi që kanë filluar studimet ne Tiranë dhe tashmë jetojnë këtu, por edhe për ata që jetojnë në Kukës. Sigurisht, me rritjen e mundësive është rritur edhe interesi. Në ditët e sotme nuk habitem më për shembull që në një aktivitet apo veprimtari ku mund të marr pjesë të takoj dhe të rinj të tjerë nga Kukësi.
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje.
Sigurisht që po! Dëshiron të bësh një ndryshim? Mendon se diçka mund të bëhet më mirë? Do te kontribuosh në shoqëri? Vullnetarizmi, sipas eksperiencës time, është një nga mënyrat më të mira. Nuk është një humbje kohe, por një shfrytëzim sa më i mirë i saj.
Mendon se ka organizata në Shqipëri që janë shumë të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar? Çfarë bëjnë ato, sipas mendimit tënd, për t’i tërhequr apo përfshirë të rinjtë në grupet vullnetare?
Nëse ka diçka që Shqipërisë nuk i mungon, janë organizata nga më të ndryshmet. Por jo të gjitha janë të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar. Sigurisht ato që e bëjnë mirë këtë dallohen dhe nga vetë puna dhe veprimtaria që kanë. Ndoshta janë më aktive, kanë marrëdhënie më të mira brenda organizatës etj. Nuk mjafton vetëm që ta promovosh punën si vullnetar, por dhe të mundohesh ta bësh atë sa më tërheqëse si organizatë.
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet të bëhet për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Këshilla ime është që të krijojnë hapësira për secilin nga këta të rinj vullnetarë, ku të dëgjohet zëri i tyre, të shprehin atë që mendojnë dhe çfarë ndryshimi duan të sjellin me punën që po bëjnë. Mundohuni që të krijoni një mjedis sa më të ngrohtë në organizatën tuaj, që këta të rinj mos të zhgënjehen e ta bëjnë atë që bëjnë me kënaqësi./ JoTabu.al

Leave a Reply