Si parandalohet infeksioni HIV?
Njerëzit mund të zvogëlojnë rrezikun e infektimit me HIV duke kufizuar ekspozimin ndaj
faktorëve të rrezikut.
Mënyrat kryesore për parandalimin e HIV-it, të cilat shpesh janë përdorur në kombinim me
njëra- tjetrën përfshijnë:
- Përdorimin e prezervativit/kondomit
Përdorimi korrekt i prezervativit/kondomit gjatë marrëdhënieve seksuale vaginale ose anale
mund të mbrojë kundër përhapjes së infeksioneve seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV.
- Testimin dhe këshillimin për HIV dhe IST
Testimi për HIV dhe IST-të e tjera këshillohet me forcë për të gjithë personat e ekspozuar ndaj
faktorëve të rrezikut. Në këtë mënyrë ata mësojnë shpejt statusin e tyre të infeksionit, mënyrat
parandaluese të nevojshme dhe shërbimet e trajtimit. OBSH-ja rekomandon gjithashtu ofrimin e
testimit edhe për partnerët.
- Rrethprerjen mashkullore vullnetare mjekësore
Rrethprerja mashkullore mjekësore (syneti), kur bëhet në mënyrë të sigurt nga profesionistë
shëndetësorë të trajnuar mirë, zvogëlon rrezikun e infektimit te meshkuj me rreth 60%.
- Përdorimin e terapisë antiretrovirale (ARV) për parandalimin
Terapia antiretrovirale si parandalim. Studimet kanë konfirmuar se nëse një person HIV
pozitiv i përmbahet një trajtimi efektiv ARV, rreziku i transmetimit të HIV-it te partneri i tij
seksual i painfektuar mund të reduktohet me 96%.
Profilaksia para ekspozimit për HIV. Profilaksia para ekspozimit me HIV është përdorimi i
përditshëm i barnave nga persona të painfektuar për të penguar infektimin me HIV. Shumë
studime kanë treguar efektivitetin e profilaksisë para ekspozimit me HIV në reduktimin e
transmetimit të HIV-it te një sërë popullatash, përfshirë meshkujt që bëjnë seks me meshkuj, ata
që injektojnë droga etj.
Profilaksia pas ekspozimit për HIV. Profilaksia pas ekspozimit është përdorimi i barnave
ARV brenda 72 orëve të ekspozimit ndaj HIV-it për të parandaluar infeksionin. Profilaksia pas
ekspozimit përfshin këshillimin, testimin për HIV dhe marrjen për 28 ditë të barnave
antiretrovirale me një ndjekje të kujdesshme.
- Reduktimin e dëmit për përdoruesit intravenozë të drogës
Personat të cilët injektojnë droga mund të marrin masa paraprake kundër infektimit me HIV duke
përdorur pajisjet sterile injektuese, përfshirë age dhe shiringa për çdo injeksion.
- Eliminimin e transmetimit të HIV-it nga nëna te fëmija
Transmetimi i HIV-it nga një nënë HIV-pozitiv te fëmija i saj gjatë shtatzënisë, lindjes, apo
ushqyerjes me gji quhet transmetim vertikal, apo nga nëna te fëmija. Transmetimi i HIV-it nga
një nënë HIV-pozitiv te fëmija mund të parandalohen gati plotësisht në qoftë se të dy, si nëna
dhe fëmija, marrin barna antiretrovirale./ JoTabu.al

Leave a Reply