Si mundet të shpëtojë një vajzë nga tabutë shqiptare?
Informimi i të rinjëve mbi tema të shëndetit seksual dhe riprodhues konsiderohet tabu në ditët e sotme, më së shumti në zona të thella. Familja, shkolla, shoqata në mbrojtje të shëndetit të njeriut, media dhe aktorë të ndryshëm të shoqërisë kanë detyrë dhe rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin e të rinjve dhe jo vetëm.
Falë mentalitetit dhe traditave që shoqëria shqiptare trashëgon ende, shumë të reja martohen në moshë të re, bëhen nëna kur janë ende vajza, vdesin gjatë lindjes për shkak se nuk janë të rritura mjaftueshëm për të përballuar lindjen, nuk arrijnë të kuptojnë çdo të thotë të jesh fëmijë.
Shumë vajzave iu hiqet e drejta për t’i marrë vendimet vetë dhe për të plotësuar veten. Më poshtë sjellim shembullin e një vajzë që nuk ka fatin e atyre që martohen në moshë të re. 22 vjeçarja që jeton në Kamëz na sjell shembullin e mirë, të një vajze të pavarur dhe të informuar. Ajo di histori të shoqeve të saj që janë martuar dhe bërë nëna në moshë të re, por diferenca bën ndryshimin në jetët e tyre.
Intervista ekskluzive per Jo Tabu:
Çfarë moshe ke dhe arsimi?
22 vjeç, arsim i lartë
Kur ke marrë për herë të parë informacione mbi shëndetin seksual dhe riprodhues?
Në biologjinë e klasës së shtatë, edhe nga prindi im.
Në çfarë zone jeton? Sa e vështirë është të diskutosh në ditët e sotme mbi tema në lidhje me shëndetin seksual dhe riprodhues në zonën tënde?
Jetoj në zonën e Kamzës në Tiranë, me prindin tim mund të flas, por përsa i përket zonës është e vështirë të flitet për këto tema.
Në periudhën e adoleshencës a kishe dijeni mbi pubertetin, ndryshimet që ndodhin, shqetësimet dhe shëndetin seksual etj?
Po, pasi përveç mamit i kemi mësuar edhe në shkollë.
Po në shkollë, në periudhën e gjimnazit a është zhvilluar ndonjë lëndë ose orë mësimore ku flitej mbi edukimin seksual dhe sa vend të rëndësishëm zë edukimi i të rinjve mbi këto tema?
Kemi pasur lëndë të tilla ku trajtoheshin si biologjia, edukimi dhe qytetaria dhe mendoj që në shkollë janë trajtuar përgjithësisht ndërsa tema më specifike nuk janë prekur.
A je e martuar?
Jo
Kur mendon se është koha e duhur për të marrë një vendim të tillë?
Pasi të mbaroj të gjithë periudhën e studimeve, që do të thotë pas masterit.
Në gjykimin tënd, sa e pengon martesa një vajzë që të jetë e realizuar, e fuqizuar dhe e pavarur?
Normalisht që një vajzë sidomos ato që martohen në moshë shumë të re humbasin shumë gjëra nga jeta, si pavarësinë dhe vetërealizimin duke qenë se i përkushtohen në atë masë familjes sa harrojnë veten e tyre dhe sidomos edukimin e tyre që është shumë i rëndësishëm në mirë edukimin e fëmijëve të tyre, por edhe për të pasur një jetë të shëndetshme mendore.
Ti si e shikon veten krahasuar me moshataret e tua që mund të jenë të martuara?
Mendoj se jam shumë në favor në krahasim me ta pasi kam arritur të plotësoj vetëm time në shumë fusha dhe të kuptoj si mund të jem e dobishme për veten dhe për të tjerët. Pa arsimim mendoj se kjo gjë është shumë e vështirë për t’u arritur.
A ke dëgjuar për fenomenin e shtatzanisë në adoleshencë, dhe si ndikon në zhvillimin e shoqërisë?
Kam dëgjuar, madje kam pasur shoqe të miat të gjimnazit që janë martuar në moshë të vogël dhe janë bërë nëna po në moshë shumë të hershme. Duke pasur kompleksitete me veten e tyre duke qenë se nuk kanë arritur pjekurinë e duhur mendoj se në shoqëri shtatëzanitë në moshë të hershme ndikojne negativisht.

Leave a Reply