Dashuria e mund dhunën! Të rinjtë si agjentë ndryshimi kundër dhunës me bazë gjinore
“Dashuria e mund dhunën!” “Jo grushta që dhembin, e as fjalë që lëndojnë!” “Dhuna nuk të bën burrë!” Këto janë vetëm disa nga mesazhet sensibilizuese që të rinjtë shqiptarë kanë dhënë në kuadër të nismës ndërkombëtare për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore.
“16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” është një fushatë ndërkombëtare e cila zhvillohet çdo vit, duke filluar nga 25 nëntori (Dita Ndërkombëtare e Eliminimit të Dhunës ndaj Grave) deri më 10 dhjetor (Dita Ndërkombëtare e Të Drejtave Të Njeriut).
YMCA i është bashkuar kësaj nisme me moton “Dashuria e Mund Dhunën” dhe ka ftuar të gjithë meshkujt, djemtë dhe burrat, të bëhen pjesë e kësaj fushate duke bërë një foto me një mesazh personal dhe duke nominuar 3 meshkuj të tjerë të bëjnë të njëjtën gjë.
Thirrjes i janë bashkuar shumë të rinj, brenda dhe jashtë Shqipërisë, të cilët kanë postuar në rrjetet sociale foto të tyren me një mesazh personal kundër dhunës, si dhe kanë ftuar miqtë të tjerë që të bëhen pjesë e kësaj nisme.
Në përfundim të fushatës online, vullnetarët e YMCA Tirana, me mbështetjen e UNFPA Albania, kanë realizuar këtë video, që mund ta ndiqni më poshtë.

Leave a Reply