USHQIMET MË TË MIRA PËR SHËNDETIN VAGINAL
Shtimi i disa ushqimeve dhe lëndëve ushqyese në dietën tuaj mund të ndihmojë në përmirësimin e shëndetit vaginal. Mësoni cilat ushqime duhet të provoni dhe cilat të eleminoni.
Të ushqyerit është një komponent thelbësor i kujdesit për shëndetin tuaj të përgjithshëm. Ajo që hani mund të ndikojë në shëndetin e pjesëve specifike të trupit, përfshirë vaginën.
Hulumtimet tregojnë se ka disa ushqime që mund të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të vaginës. Për shembull, disa ushqime mund të ndihmojnë në parandalimin e infeksionit, ndërsa të tjerat mund të ndihmojnë në mbajtjen e vaginës të lubrifikuar.
Ushqimet më të mira për shëndetin vaginal
Ndërsa një dietë e ekuilibruar e pasur me ushqime të plota është shpesh qasja më e mirë e përgjithshme për të ushqyerit, ka ushqime ose lëndë ushqyese specifike që mund të ndihmojnë në shëndetin vaginal.
Ushqime të pasura me probiotikë
Probiotikët janë mikroorganizma të gjallë (baktere) që mund të ofrojnë një sërë përfitimesh shëndetësore: nga ndihma e tretjes deri te përmirësimi i përgjigjes imune të trupit. Probiotikët gjithashtu përmirësojnë shëndetin vaginal.
Vagina përmban një sërë mikroorganizmash, duke përfshirë baktere të dobishme si probiotiku Lactobacillus. Lactobacillus mbron nga mikroorganizmat e tjerë që mund të çojnë në infeksione vaginale si vaginoza bakteriale (BV), infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST) dhe infeksionet e majave.
Probiotikët që përmbajnë Lactobacillus mund të gjenden në ushqimet e fermentuara si:
• Kos
• Lakër turshi
• Turshitë
• Pastë soje
• Produkte soje
Këto probiotikë mund të merren edhe në formë suplementi.
Hulumtimet kanë treguar se marrja e suplementeve probiotike që përmbajnë Lactobacillus mund të rrisë sasinë e Lactobacillus në vaginë, mund të zvogëlojë gjithashtu nivelin e baktereve të dëmshme në vaginë. Efektet fillojnë të shfaqen një javë pas fillimit të suplementit. Probiotikët gjithashtu mund të prodhojnë antimikrobikë, të cilët janë agjentë që vrasin ose ndalojnë rritjen e baktereve të tjera dhe forcojnë sistemin imunitar për të mbajtur një ekuilibër të baktereve “të mira” dhe “të dëmshme” në vaginë.
Ushqime me GI të ulët
BV është çrregullimi më i zakonshëm gjinekologjik, që prek 29% të grave të moshës riprodhuese. BV është një infeksion që mund të ndodhë kur ka një çekuilibër të baktereve në vaginë.
Simptomat e BV mund të përfshijnë erë vaginale, rrjedhje, kruajtje dhe djegie. Këto simptoma janë shpesh të pranishme pa skuqje dhe ënjtje.
Ngrënia e ushqimeve me indeks të ulët glicemik mund të ndihmojë në parandalimin e BV.
Indeksi i glicemisë është një shkallë që mat se sa shpejt ushqimet që përmbajnë karbohidrate lëshojnë glukozën (sheqernat) në qarkullimin e gjakut dhe rrisin sheqerin në gjak. Ushqimet me indeks të ulët glicemik çlirojnë glukozën ngadalë, gjë që mund të ndihmojë në ruajtjen e qëndrueshme të sheqerit në gjak.
Shembuj të ushqimeve me indeks të ulët glicemik janë:
• Drithërat integrale si tërshëra, elbi
• Karota dhe perime të tjera jo niseshte
• Mollë, portokall dhe fruta të tjera
• Shumica e arrave, bishtajoreve dhe fasuleve
• Qumështi
• Kosi
Ushqimet me indeks të lartë glicemik çlirojnë shpejt glukozën, duke shkaktuar një rritje të sheqerit në gjak. Ky efekt mund të rrisë rrezikun e BV.
Marrëdhënia midis BV dhe niveleve të glukozës nuk është kuptuar plotësisht. Një teori është se glukoza ndikon në lëngjet vaginale dhe nivelet e larta të glukozës mund të rrisin inflamacionin, të dobësojnë funksionin imunitar dhe të lejojnë bakteret të rriten.
Ushqime me fibra të larta
Ngrënia e ushqimeve me fibra të lartë mund të mbështesë rritjen e baktereve Lactobacillus në vaginë, e cila mban nën kontroll bakteret e dëmshme. Një konsum më i lartë i fibrave mund të ndihmojë gjithashtu në parandalimin e BV.
Ushqimet e pasura me fibra përfshijnë:
• Drithërat integrale si tërshëra, elbi
• Shumica e fasuleve, bishtajore, arra dhe fara
• Angjinarja e gatuar
• Patate e ëmbël e gatuar
• Manaferrat dhe frutat e tjera
Ushqimet me vitaminë D
Një tjetër lëndë ushqyese kryesore që mund të ndihmojë me disa faktorë të shëndetit vaginal është vitamina D.
Vitamina D gjendet në:
• Salmon i gatuar
• Trofta
• Sardelet
• Vezët
• Qumështi i pasuruar me vitaminë D
• Djathë
Mund të jetë sfiduese për të marrë mjaftueshëm vitaminë D vetëm nga ushqimi në baza ditore. Shumë njerëz mund të marrin suplemente për të përmbushur nivelet e rekomanduara ditore.
Sipas një rishikimi të vitit 2022, vitamina D mund të ulë thatësinë vaginale, të balancojë nivelet e pH në vaginë dhe të përmirësojë rritjen dhe diversitetin e qelizave në rreshtimin e brendshëm të vaginës tek gratë në menopauzë.
Marrja e një doze të shtuar ditore të vitaminës D mund të ndihmojë gjithashtu në trajtimin e BV tek ata që kanë nivele të mangëta të vitaminës D. Kjo ndodh sepse vitamina D mund të ndihmojë në rritjen e sistemit imunitar të trupit, i cili nga ana tjetër mund të ndihmojë në mbështetjen e shëndetit të përgjithshëm vaginal.
Mollët
Disa studime tregojnë se mollët mund të mbështesin funksionin e shëndetshëm seksual. Një studim tregoi se gratë që hanin të paktën një mollë në ditë kishin përmirësuar lubrifikimin vaginal dhe përjetuan kënaqësi më të lartë seksuale krahasuar me gratë që hanin më pak se një mollë në ditë.
Për të përfshirë më shumë mollë në dietën tuaj për përfitime shëndetësore vaginale:
• Shtoni një mollë të copëtuar në bollgur, kos, smoothie ose sallata.
• Piqni mollët për një ëmbëlsirë me pak sheqer.
Ushqimet që duhen kufizuar
Kur ruani shëndetin vaginal, merrni parasysh kufizimin e ushqimeve shumë të përpunuara.
Një studim zbuloi se ngrënia e rregullt e ushqimeve të pasura me sheqer, vajra të ngurta, mish të kuq, patate të skuqura, drithëra të rafinuara lidhet në mënyrë thelbësore me një gjasë më të lartë të BV.
Disa kërkime kanë treguar se ushqimet me indeks të lartë glicemik mund të rrisin rrezikun e BV.
Ushqimet me indeks të lartë glicemik përfshijnë:
• Bukë e bardhë
• Drithërat e përpunuara si drithërat me sheqer, tërshëra e menjëhershme dhe ushqime të lehta
• Oriz i bardhe
• Sheqeri
Për të shmangur ushqimet shumë të përpunuara, zëvendësoni pijet me sheqer me ujë; bukën me fruta të freskëta dhe arra ose perime me humus; dhe zgjidhni vakte ushqyese të bëra me perime, proteina pa yndyrë dhe drithëra si të skuqura, sallata dhe supa.
Përmbledhje
Disa ushqime ose lëndë ushqyese mund të luajnë një rol në shëndetin e vaginës suaj. Mollët mund të ndihmojnë në mbajtjen e vaginës të lubrifikuar, ushqimet e pasura me probiotikë mund të ndihmojnë në rregullimin e mikroorganizmave në vaginë tuaj dhe ushqimet me fibra të larta mund të ndihmojnë në parandalimin e BV. Cilësia e përgjithshme e dietës suaj mund të ndikojë gjithashtu në shëndetin vaginal. Për shembull, një dietë që është e lartë në ushqime të përpunuara mund të çojë në një shans më të madh të BV.
Vetëm ushqimi ka të ngjarë të mos parandalojë ose trajtojë infeksionet ose kushte të tjera. Nëse jeni të shqetësuar për një aspekt të shëndetit tuaj vaginal, konsultohuni me një mjek.
Burimi:Health /Përktheu për JoTabu.al: Anjela Hajdari

Leave a Reply