Zëri i të Rinjve: Njihuni me Kristian Boci
“Të rinjtë dhe vullnetarizmi janë një ndër pasuritë më të mëdha në një organizatë, prandaj është shumë i rëndësishëm motivimi i tyre në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Mund të më flasësh pak për veten? (Mosha, arsimimi, eksperienca pune apo përfshirja në grupet vullnetare).
Jam Kristian Boci, 24 vjeç. Kam mbaruar studimet në Universitetin e Mjekësisë, dega Shëndet Publik. Eksperienca ime e punës është 3-vjeçare me organizata të ndryshme, ku përveç trajnimeve apo kërkimeve shkencore, kemi organizuar dhe evente të rëndësishme, siç është projekti Youth Voice.
Puna ime në organizata ka startuar si vullnetar, duke asistuar në organizimin e aktiviteteve të ndryshme apo kërkimeve shkencore.
Kur mendon për fjalët “vullnetarizëm” dhe “vullnetar”, çfarë të vjen ndër mendje? Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo të “punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?
Fjala vullnetar dhe vullnetarizëm është një pjesë shumë e rëndësishme e çdo organizate, për shkak se është suporti më i madh që behet si nga ana e burimeve njerëzore, por edhe ekonomike. Për të rinjtë në vendin tonë, ky koncept perceptohet pozitivisht dhe ka kërkesa për të marrë pjesë si vullnetar në organizata.
Të jesh vullnetar…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Është një eksperiencë shumë pozitive, që më ka ndihmuar shumë në formimin tim dhe gjithashtu ka hapur shumë rrugë të reja, ku unë mund të shfrytëzoj aftësitë e mia.
Çfarë të nxiti/ inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetar: vullnetarizimi, eksperienca që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizatat…
Mua më kanë nxitur në fakt të gjitha këto që përmenden më sipër, por besoj që nxitja kryesore vjen nga dëshira për t’u zhvilluar si nga ana e aftësive, ashtu edhe për njohuritë.
Mendon se ia vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetar? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë? Çfarë të ka pëlqyer dhe jo nga ajo?
Ja ka vlejtur sepse kam zhvilluar shumë aftësi si dhe kam krijuar kontakte të cilat më shërbejnë shumë për t’u realizuar në jetë. Më kanë pëlqyer shumë trajnimet si dhe eventet e ndryshme ku kemi përvetësuar aftësi, por edhe kemi ndryshuar diçka në shoqërinë tonë.
Mendon se ka organizata në Shqipëri që janë shumë të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar? Çfarë bëjnë ato, sipas mendimit tënd, për t’i tërhequr apo përfshirë të rinjtë në grupet vullnetare?
Mendoj që ka organizata shumë të mira, dhe, sipas mendimit tim, mënyra më e mirë për t’i përfshirë të rinjtë në grupet vullnetare është motivimi i duhur.
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje.
Këshilla ime inkurajuese është që çdo i ri i cili kërkon të zhvillojë karrierën, aftësitë dhe eksperiencën e tij, kjo është mënyra më pozitive për t’i realizuar dhe për të investuar në to.
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet të bëhet për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Këshilla ime është që të rinjtë dhe vullnetarizmi janë një ndër pasuritë më të mëdha në një organizatë. Siç e përmenda edhe me sipër, suporti më i madh që një organizatë të jetë e suksesshme është që ajo të ketë vullnetare që punojnë dhe organizohen në mënyrë të duhur. Promovimi më i mirë që mund të bëhet është motivimi në mënyrën e duhur./ JoTabu.al

Leave a Reply