Zëri i të Rinjve: Njihuni me Kesilda Gjoka
Bisedoi: Blertina Koka
Vullnetarizmi, falënderimi i ndjerë që merr nga njerëzit, të cilët me kontributin tënd të sado paktë, i ke lumturuar sado pak, kanë qenë shtysa kryesore për përfshirjen e saj në shoqërinë civile si vullnetare.
Studimet Bachelor për Sociologji dhe Master për Marrëdhënien me Publikun ia kanë kultivuar edhe më shumë këtë vullnet të sajin për të qenë pjesë gjithmonë e sipërmarrjeve për të lobuar dhe ngritur zërin për shqetësimet që njerëzit kanë.
Eksperiencën e saj si vullnetare Kesilda e krahason me ndjesinë që të jep atmosfera e fundvitit, ku përzihen një sërë emocionesh dhe gjithçka që kujton prej tyre është dashuria që fal dhe merr nga të tjerët.
Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, realizuar nga shoqata Together for Life me mbështetjen e UNFPA Albania, Kesilda Gjoka flet më shumë për përfshirjen e saj në shoqërinë civile si vullnetare, eksperiencat që ka fituar dhe çfarë duhet të bëhet për promovimin e vullnetarizmit si një eksperiencë pozitive për të rinjtë.
Një prezantim për të gjithë ata që s’të njohin…
Jam Kesilda Gjoka, 27 vjeç. Kam përfunduar studimet Bachelor për Sociologji dhe Master për Marrëdhënie me Publikun. Mbase dhe nga degët që kam studiuar, që mund të kenë ndikuar tek unë, por dhe dëshira ime për t’u përfshirë në çështjet sociale që hasim çdo ditë, më kanë shtyrë të përfshihem në shoqërinë civile si vullnetare. Tani që jam pjesë e shoqatës “Together For Life” më ndihmon të jem më afër këtyre çështjeve dhe të jap kontributin tim, të sado paktë, për njerëz që kanë nevojë.
Kur mendon për fjalët “vullnetarizëm” dhe “vullnetar”, çfarë të vjen ndër mendje? Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo të “punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?
Më vijnë ndërmend shumë djem dhe vajza që brenda mundësive të tyre mblidhen dhe mundohen t’u falin shpresë atyre që u mungon dhe kanë nevojë qoftë dhe për një dorë, një buzëqeshje një fjalë të ëmbël që t’i bëjnë të mos ndihen të vetmuar apo të braktisur. Megjithatë, ka dhe shumë të rinj që të punosh si vullnetar, pra pa pagë, i bën të ngurojnë t’i afrohen, mbase duhet kuptuar pak dhe situata e tyre. Por, kam shumë vajza dhe djem që unë i njoh dhe janë vullnetarë “model”, pasi mbi të gjitha e bëjnë me pasion.
Të jesh vullnetare…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Do ta krahasoja me ndjesinë që të jep atmosfera e festave të fund vitit, siç jemi tani….. është ftohtë, bie shi, ndonëse ka dhe ditë me diell, apo ditë jo shumë të ftohta, por në fund jemi në dimër, e megjithatë ti do të mbash mend vetëm ditët që kanë qenë të ngrohta dhe të mbushura me dashuri. Ashtu do ta përshkruaja të qenët vullnetar.
Çfarë të nxiti/ inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetar: vullnetarizimi, eksperienca që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizatat…
Mbase fakti që kur shoh çdo ditë njerëz që vijnë pranë shoqatës sonë për të kërkuar ndihmë, të bën të mendosh: çfarë mund të bëj për ta, pse nuk mundohem të ndryshoj pakëz realitetin e tyre. Kështu që do të thosha nuk janë trajnimet dhe as eksperiencat, por çfarë është vetë vullnetarizmi dhe çfarë të mirash ti bën për një individ apo një grup individësh, në fund ai falënderimi aq i pastër dhe i sinqertë të mbush më ndjesi pozitive dhe të nxit të bësh më shumë.
Mendon se ia ka vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetare? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë?
Kur e bën diçka më dëshirë, çdo gjë ja vlen dhe është e vërtetë që nuk sheh “shpërblimet” të çfarëdolloj forme. Kur mamatë gatuajnë për ne mendoni se pyesin veten: a ia ka vlejtur? Jo, sepse e bën nga dashuria dhe dëshira për t’u kujdesur për familjen e saj. Kështu është dhe të qenët vullnetar, thjesht e ndjen dhe e bën.
Mendon se ka organizata në Shqipëri që janë shumë të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar? Çfarë bëjnë ato, sipas mendimit tënd, për t’i tërhequr apo përfshirë të rinjtë në grupet vullnetare?
Ka shumë organizata që kanë përfshirë shumë të rinj të jenë pjesë e tyre si vullnetar, kjo besoj në bazë të punës që kanë bërë ata ndër vite dhe kjo i josh të rinjtë pasi duan të jenë pjesë e organizatave. Puna e një organizate është ajo që tërheq të rinjtë dhe kjo është mënyra më e mirë për t’i tërhequr.
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje.
Të gjithë të rinjtë që duan të jenë vullnetarë apo pjesë e një organizate, thjesht ejani dhe kërkoni të jeni pjesë, mos u mendoni të analizoni, por veproni së ashtu e dëshironi. Ndonjëherë duhet të veprojmë me dëshirë dhe zemër, dhe jo me mendje, pasi mendja ndonjëherë bëhet pengesë e dëshirave që i ka zemra jonë. Prandaj, nëse e ndjeni, ejani dhe ndryshoni një ditë për dikë që s’ka njeri, s’ka mbështetje dhe kërkon energjinë tuaj, vullnetin tuaj për të ecur përpara.
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet të bëhet për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Pyesni vullnetarët vazhdimisht çfarë i ka shtyrë të jenë të tillë, pse u janë afruar organizatave dhe çfarë i mban të jenë akoma vullnetar. Komunikimi me ata është gjithmonë çelësi për ide të reja dhe si t’i mbani të motivuar dhe të gatshëm për ta bërë diçka me shumë dëshirë dhe pasion./ JoTabu.al

Leave a Reply