Zëri i të Rinjve: Njihuni me Jusi Merkaj
Bisedoi: Blertina Koka
Jusi Merkaj vazhdon studimet për Menaxhim Logjistik dhe Marketing Ndërkombëtar. Që 15 vjeç ajo është bërë pjesë e shoqërisë civile si vullnetare, duke ofruar kontributin e saj në vendlindje. Vullnetarizmi, sipas saj, mund të promovohet vetëm duke i dhënë ngjyra, argëtim dhe spontanitet.
Me dëshirën e madhe për të ndihmuar të tjerët, dhe marrë buzëqeshje mirënjohjeje dhe vlerësimi, ajo vazhdon të japë kontributin e saj për të sjellë ndryshime të dukshme në komunitet.
Si eksperiencë të veçantë ajo përmend programin e shkëmbimit 3-mujor në Amerikë.
Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, realizuar nga Shoqata Together for Life me mbështetjen e UNFPA Albania, Jusi flet më shumë për përfshirjen e saj në shoqërinë civile si vullnetare, eksperiencat që ka fituar dhe çfarë duhet të bëhet për promovimin e vullnetarizmit si një eksperiencë pozitive për të rinjtë.
Mund të më flasësh pak për veten? (Mosha, arsimimi, eksperienca pune apo përfshirja në grupet vullnetare).
Jam Jusi Merkaj, 20 vjeç. Studioj pranë universitetit Epoka, aktualisht në vitin e dytë për Menaxhim Logjistik dhe Marketing Ndërkombëtar. Nga eksperiencat e punës, më të veçantë do të veçoja programin e exchange-it 3 muaj në Amerikë. Ishte një eksperiencë që më ndihmoi të rritesha dhe të kuptoja shumë anë të pazbuluara të vetes. Për sa i përket angazhimit në grupe vullnetare apo OJF, ka filluar qysh në moshën 15 vjeç në qytetin tim të vendlindjes dhe më pas vazhdova të ndjek të njëjtin ritëm edhe në Tiranë.
Kur mendon për fjalët “vullnetarizëm” dhe “vullnetar”, çfarë të vjen ndër mendje? Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo të “punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?
Vullnetarizmi është një veprimtari altruiste ku një individ ofron shërbime pa asnjë përfitim. Në përgjithësi janë të paktë ata persona që marrin anën pozitive nga ky definicion ose nga perceptimi që kanë për vullnetarizmin. E shohin më shumë si kohë e humbur dhe pa vlerë për t’i kushtuar një pjesë të mirë të ditës tënde.
Të jesh vullnetare…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Është ndjesi e veçantë. Të mbush me kënaqësi, krenari dhe ndihesh i vetë-arritur.
Çfarë të nxiti/ inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetare: vullnetarizimi, eksperienca që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizatat…
Mendoj se është një kombinim i të tri faktorëve. Në fillim kam trokitur me dëshirën për të përmirësuar komunitetin tim në dyert e organizatave, më pas pashë se mjedisi ku ata punojnë është plot energji pozitive dhe frymë produktive, dhe kështu, duke u zhvilluar çdo ditë e më shumë botëkuptimi yt për vullnetarizmin, fillon të bëhet pjesë e jotja.
Mendon se ia ka vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetare? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë? Çfarë të ka pëlqyer dhe jo nga ajo?
Ja ka vlejtur tërësisht. Është eksperience që të mëson atë që shkolla apo librat nuk e bëjnë dot. Më pëlqen te shoh buzëqeshje mirënjohjeje dhe vlerësimi nga ata që janë në nevojë, por nuk me ka pëlqyer të shikoj përbuzje dhe indiferencë nga njerëzit përreth.
Mendon se ka organizata në Shqipëri që janë shumë të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar? Çfarë bëjnë ato, sipas mendimit tënd, për t’i tërhequr apo përfshirë të rinjtë në grupet vullnetare?
Ka organizata të shumta në Shqipëri, të cilat duke ofruar një mjedis familjare, të ngrohtë dhe të dashur për të rinjtë, i bëjnë të mundur atyre që jo vetëm të praktikojnë vullnetarizmin, por edhe të krijojnë miqësi shumë të mira, të aftësohen në drejtime të ndryshme etj. Disa organizata që mund të përmend janë: Fundjavë Ndryshe, Kryqi I Kuq etj
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Përse? Përse jo? Çfarë këshille do t’iu jepje.
Unë inkurajoj çdo ditë rrethin tim shoqëror dhe këtë e bëj sepse e di se sa shumë benefite më ka dhënë mua. Të vetëm nuk e ndryshojmë dot botën, prandaj unë ju këshilloj të bëheni pjesë e organizimeve të tilla, sepse do ta kuptoni që duke fuqizuar të tjerët, keni fuqizuar veten.
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet të bëhet për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Vullnetarizmi promovohet vetëm nëpërmjet ndjenjës. Mundohu të japësh shembullin e duhur të vullnetarizmit brenda organizatës dhe ndjenja e mirë do të përcillet edhe tek te tjerët. Mundohu t’i japësh vullnetarizmit ngjyra, argëtim dhe shumë spontanitet brenda, pasi kështu të rinjtë do kuptojnë që nuk është një humbje kohe, por një vlerë e shtuar e ditës tënde./JoTabu.al

Leave a Reply