Trupi Im, Jeta Ime, Bota ime! – një strategji e re për gjenetarën SDG
Deklaratë nga Dr. Natalia Kanem, Drejtore Ekzekutive e UNFPA, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, 12 gusht 2019
Duke filluar që nga komunitetet e deri tek kryeqytetet, të rinjtë kudo në botë po kërkojnë të drejtat e tyre, siç u pohua 25 vite më parë në Konferencën për Popullsi dhe Zhvillim (ICPD) të zhvilluar në Kajro. Prej dekadash, ne të UNFPA-së kemi qenë pranë një sërë të rinjsh në rrugëtimin e tyre nga adoleshenca në moshë madhore.
Për të riafirmuar angazhimin tonë për të ndihmuar të rinjtë të zhvillojnë një potencial të plotë në jetë, ne po zbulojmë sot strategjinë e re për rininë: “Trupi Im, Jeta Ime, Bota Ime!”. Kjo strategji vendos nevojat, aspiratat dhe idealet e të rinjve në fokus të punës sonë për të mbështetur arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndureshëm dhe agjendës ICPD deri në vitin 2030.
Strategjia “Trupi Im, Jeta Ime, Bota Ime” është bazuar tek ajo çfarë kemi mësuar për të rinjtë dhe nga të rinjtë në dhjetëra vite angazhim me dhe për ta. E bashkëkrijuar me mijëra të rinj aktivistë dhe advokues në të gjithë globin, kjo strategji është në përputhje me Rininë 2030, angazhimin më të gjerë të Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur shëndetin dhe të drejtat e të rinjve, për t’i fuqizuar ata, për të formuar të ardhmen e tyre dhe për t’u përfshirë në zhvillimin e vendeve të tyre.
Të pajisur me informacionin dhe përgatitjen e duhur, të rinjtë në të gjithë botën kanë potencialin për të sjellë ndryshime pozitive në botë. Ky potencial mund të realizohet vetëm nëse ata janë të shëndetshëm, të edukuar dhe kanë kontroll mbi trupin dhe jetën e tyre. Ne të UNFPA-së po bashkëpunojmë me qeveritë, shoqërinë civile dhe partnerë të ndryshëm dhe, mbi të gjitha, me vetë të rinjtë për t’u siguruar që ata kanë njohuritë dhe fuqinë për të bërë zgjedhje të duhura dhe për t’u përfshirë si qytetarë aktivë.
Në Konferencën për Popullsinë dhe Zhvillimin të zhvilluar në vitin 1994, qeveritë ranë dakord që të plotësojnë nevojat speciale të adoleshentëve dhe të rinjve, sidomos vajzave, për akses në edukim, shëndet, këshillim dhe shërbime të cilësisë së lartë për shëndetin riprodhues. Ky premtim është mbajtur për disa, por jo për të gjithë.
Këtë nëntor, UNFPA, Danimarka dhe Kenia do të mbajnë Samitin e ICPD25 në Nairobi, ku krerët e shteteve dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë do të kenë mundësi të angazhohen sërish për të realizuar vizionin e ICPD për një botë ku çdokush – përfshirë edhe të rinjtë – të kenë akses në informacione dhe shërbime për shëndetin seksual dhe riprodhues. Të rinjtë do të jenë të parët dhe në fokus të Samitit, ku do të ndajnë dëshirat dhe perspektivat e tyre, dhe mund të kontribuojnë me idetë, aftësitë drejtuese, energjinë dhe kreativitetin e tyre nën moton “Trupi Im, Jeta Ime, Bota Ime!”.
Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Rinisë, i bëj thirrje qeverive kudo në botë të mbajnë premtimet që u kanë bërë grave dhe të rinjve 25 vite më parë. Na u bashkoni në marshimin tonë për në Nairobi! Së bashku, mund t’i bëjmë realitet të drejtat dhe zgjedhjet për të gjithë të rinjtë./ JoTabu.al
Leave a Reply