Tefta nga Shqipëria ëndërronte të bëhej doktoreshë një ditë
Tefta Shakaj gjithmonë ka dashur që të studionte për mjekësi dhe të bëhej doktoreshë, por kjo nuk ishte e mundur për rininë e asaj kohe në Shqipëri.
“Ishim të detyruar të bënim çfarë na thoshin”, tregon ajo. Megjithatë, pasi përfundoi shkollën e mesme, iu dha një mundësi që i ndryshoi jetën: një program studimi 1-vjeçar për t’u bërë mami.
Pas përfundimit të trajnimit, Shakaj u emërua në një fshat të largët, ku nuk kishte as pajisje mjekësore apo personel. Jeta për të ishte shumë e vështirë. Megjithatë e bënte me shumë pasion profesionin e saj, duke u kujdesur për nënat shtatzëna dhe të sapolindurit.
“Shumë lindje i prisnim në shtëpi – pasi nuk kishte qendër shëndetësore”, tregon Shakaj. “Jam e lumtur që kam ndihmuar kaq shumë gra”.
Edhe sot, aksesi në informacion dhe shërbime për shëndetin riprodhues mbetet një sfidë në zonat rurale të Shqipërisë, që janë më së shumti vende të varfra, të izoluara dhe vulnerable.
Sfida të tilla hasen në të gjithë botën, tregon raporti i fundit i UNFPA-së, Gjendja e Popullsisë së Botës 2019. Pavarësisht progresit që është bërë që nga themelimi i UNFPA-së para 50 vitesh dhe Konferencës për Popullsinë dhe Zhvillimin para 25 vitesh, ku më shumë se 150 shtete, përfshirë edhe Shqipëri, ranë dakord që të ndiqnin një Plan Veprimi, akoma jo të gjithë kanë akses në të njëjtat të drejta dhe mundësi.
UNFPA vazhdon të japë kontributin e saj në Shqipëri për të përmirësuar shërbimet shëndetësore seksuale dhe riprodhuese, për të forcuar ndërveprimin multisektorial për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore dhe për të investuar në fuqizimin e grave dhe vajzave.
Shakaj kujton kohët e vështira të periudhës para viteve ’90 dhe rënien e regjimit komunist në Shqipëri. Ajo u martua dhe lindi dy fëmijë. Mund të kishte pasur edhe më shumë fëmijë nëse gjendja e saj ekonomike nuk do të ishte aq e keqe. Pastaj edhe burri iu sëmur dhe pati shumë shpenzime ekonomike për shërimin e tij. E pamundur të gjente kontraceptivë në atë kohë, ajo mbeti shtatzënë, dhe si shumë gra në atë periudhë në vendet e Evropës Lindore, edhe asaj iu desh të kryente abort.
Por pas viteve ’90 pati një kthesë pozitive për Shqipërinë.
Jeta po përmirësohet në Shqipëri, dhe beson se vajzat dhe nipërit e saj do të kenë më shumë mundësi zgjedhjeje. Metodat kontraceptive tani janë të disponueshme kudo, mentalitetet po ndryshojnë duke iu dhënë mundësi njerëzve të flasin më hapur për çështje lidhur me shëndetin seksual dhe riprodhues, kuadri ligjor për adresimin e dhunës me bazë gjinore gjithashtu është përmirësuar, dhe burrat dhe gratë po martohen në moshë më të rritur.
Vajza e Teftës për shembull ka zgjedhur të bëhet police, që do të thotë se po ndryshojnë pikëpamjet për barazinë gjinore.
Leave a Reply