Si e vlerësojnë të rinjtë informacionin e dhënë nga portali Jo Tabu?
Bisedoi: Blertina Koka
Jo Tabu është një portal informues për të rinjtë shqiptarë rreth shëndetit seksual dhe riprodhues. Ky portal, i realizuar nga shoqata Together for Life, në kuadër të rrjetit “Zëri i të Rinjve”, koordinuar nga “Observatori për të Drejtat e Fëmijëve”, me mbështetjen e UNFPA Albania, ka për qëllim të japë informacione të detajuara rreth këtyre çështjeve për të rinjtë shqiptarë.
Por, si e mendojnë të rinjtë informacionin e dhënë nga ky portal?
Në një intervistë të shkurtër për Jo Tabu, Ilma Lamçe, studente e Shëndetit Publik, na jep një opinion të sajin mbi nismën e ndërmarrë për informimin e të rinjve shqiptarë lidhur me shëndetin seksual dhe riprodhues, dhe për çfarë çështjesh specifikisht kanë nevojë të rinjtë që të informohen lidhur me këtë temë.
Informimi i të rinjve shqiptarë për shëndetin seksual dhe riprodhues. Çfarë mendoni për këtë nismë?
Një nismë e nevojshme për të rinjtë shqiptarë, e cila mendoj se ka ardhur në kohën e duhur. Në një kohë kur problemet që kanë adoleshentët janë të shumta, ku janë rritur rastet e shtatzënive të padëshiruara, e shtatzënive në moshë të vogël apo e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Dhe të gjitha këto probleme ndodhin si pasojë e mungesës së informacionit ose të keqinformimit.
Informimi i të rinjve mendoj se duhet të fillojë që në moshën e adoleshencës, në shkolla, por gjithashtu edhe në familje. Mendoj se përveç portaleve, prindërit duhet të kenë një rol kyç në informimin e të rinjve adoleshentë për shëndetin seksual.
Si studente e Shëndetit Publik, si e vlerësoni informacionin e dhënë nga portali Jo Tabu?
Unë e vlerësoj këtë nismë për informimin e të rinjve për shëndetin seksual. Është shumë e rëndësishme që të rinjtë të kenë ku të drejtohen për informacionin që u nevojitet apo për pyetjet që ata kanë. Kam parë që një nga rubrikat në këtë portal quhet “Pyet Specialistin”, për mendimin tim kjo është një rubrikë shumë e rëndësishme. E dimë që të flasësh për shëndetin seksual është e vështirë, gati “tabu” do e quaja, dhe të kesh një vend ku mund të drejtosh pyetje dhe të marrësh përgjigje nga specialist, është shumë e vlefshme për të rinjtë, dhe jo vetëm.
Informacioni që kanë të rinjtë është i pamjaftueshëm dhe çdo informacion që u jepet është në dobi të tyre. Mendoj se krahas informacionit përmes portalit, të rinjve do u shërbenin edhe sesionet informuese në shkolla.
Jeni përfshirë më parë në nisma të tilla për informimin e të rinjve mbi shëndetin?
Po, jam përfshirë. Në mënyrë vullnetare kam dhënë kontributin tim në informimin e të rinjve në disa prej gjimnazeve të Tiranës. Ka qenë një nismë shumë e bukur, ku përmes sesioneve informuese dhe ndërgjegjësuese mbi shëndetin seksual kemi arritur të japim disa këshilla të rëndësishme për adoleshentët. Kujtojmë që informacionet që kanë adoleshentët janë të vakëta dhe çdo informacion është i vlefshëm për ta.
Informacionet që të rinjtë marrin nga shkolla në lidhje me shëndetin seksual dhe riprodhues, mendoni se janë të mjaftueshme?
Duke kujtuar periudhën kur kam qenë vetë nxënëse, do të thosha pa më të voglin hezitim se informacionet kanë qenë shumë të pakta, për mos të thënë që kanë munguar. Orën e shëndetit seksual kujtoj që e zhvillonim duke u ndarë nga çunat. Mësuesja largonte djemtë nga klasa dhe u jepte vajzave disa këshilla, por edhe ajo vetë ishte në siklet kur fliste për shëndetin seksual. Edhe sot ky mentalitet vazhdon akoma në shkolla, ndoshta jo aq i theksuar sa vitet e mëparshme, por akoma mësuesit e kanë të vështirë t’u flasin të rinjve për shëndetin seksual.
Por informacioni është i pamjaftueshëm edhe nga familja, sepse për prindërit është ende tabu t’u flasin të rinjve për shëndetin seksual dhe riprodhues. Siç e quajnë ata, është “turp” të flasësh për këto tema me fëmijët.
Për çfarë çështjesh specifikisht mendoni se kanë nevojë më shumë të rinjtë për t’u informuar?
Mendoj se të rinjtë mbi të gjitha kanë nevojë të marrin informacion të përgjithshëm, sepse mungojnë informacionet bazike. Për mendimin tim, duhen të zhvillohen më shumë orë edukuese mbi shëndetin seksual dhe riprodhues, të rinjtë duhet të informohen për marrëdhëniet seksuale, mënyrat e mbrojtjes, pjekurinë seksuale, pra kur është trupi i formuar seksualisht, si edhe për sëmundjet që vijnë nga marrëdhëniet seksuale të pambrojtura. Mungesa e këtyre informacioneve çon në problem të shumta për adoleshentët, të cilat ndikojnë më pas gjatë gjithë jetës së tyre.
Pra, në vend që t’u mësojmë se si të kurohen, duhet t’u mësojmë si t’i parandalojnë problemet dhe sëmundjet që vijnë nga mungesa e informacionit për shëndetin seksual.
Dhe së fundmi, këshilloj gjithë të rinjtë që janë aktiv në portalin tuaj dhe do ta lexojnë këtë shkrim, të mos jenë të ndrojtur në lidhje me këtë temë, por të lexojnë dhe të kërkojnë informacione për shëndetin seksual dhe riprodhues./ JoTabu.al

Leave a Reply