SHENJAT DHE SIMPTOMAT E TESTOSTERONIT TË ULËT
Testosteroni i ulët është kur testikujt nuk prodhojnë mjaftueshëm hormonin testosteron. Testosteroni është i rëndësishëm për shëndetin e kockave, shëndetin e muskujve dhe funksionin seksual. Si rezultat, simptomat e zakonshme të testosteronit të ulët përfshijnë humbjen e densiteit të kockave, humbjen e masës muskulore dhe dëshirën e ulët seksuale.
Nivelet e testosteronit ulen natyrshëm me moshën, zakonisht midis 30 dhe 40 vjeç. Nëse keni testosteron të ulët të lidhur me moshën, nivelet tuaja ulen gradualisht. Kushtet shëndetësore, medikamentet dhe lëndimet mund të bëjnë që testosteroni juaj të ulet më shpejt ose më herët se zakonisht. Ndërsa disa burra mund të mos përjetojnë asnjë simptomë të testosteronit të ulët, të tjerët mund të kenë një gamë të gjerë simptomash.
Dëshirë e ulët seksuale
Meshkujt me testosteron të ulët shpesh përjetojnë një dëshirë të ulët seksuale. Nëse dëshira juaj për marrëdhënie seksuale është ulur, mund të keni më pak mendime seksuale. Pamjet, fjalët dhe prekjet mund të jenë gjithashtu më pak stimuluese seksualisht për ju. Humbja e interesit për marrëdhënie seksuale mund t’ju bëjë që të bëni marrëdhënie më rrallë.
Meqenëse niveli i ulët i testosteronit është një pjesë e natyrshme e plakjes, është normale të jeni më pak të interesuar për aktivitet seksual ndërsa rriteni. Sidoqoftë, mungesa e plotë e interesit për marrëdhënie seksuale zakonisht nuk konsiderohet normale.
Zvogëlimi i vëllimit të spermës
Testosteroni ndihmon vezikulat seminale dhe prostatën të krijojnë dhe sekretojnë spermën. Nëse keni testosteron të ulët, këto organe nuk do të jenë në gjendje të prodhojnë aq shumë lëngje, duke ju bërë që të derdhni më pak spermë.
Hulumtimi është i paqartë nëse nivelet e ulëta të testosteronit ndikojnë mjaftueshëm në numrin e spermës për të shkaktuar infertilitet. Por ndërsa një vëllim më i ulët i spermës mund të mos shkaktojë drejtpërdrejt probleme të fertilitetit, mund të ulë mundësinë tuaj për të lënë shtatzënë një partnere.
Disfunksioni erektil
Mosfunksionimi erektil është një gjendje që e bën të vështirë për ju arritjen dhe mbajtjen e ereksionit. Testosteroni është thelbësor për funksionin seksual. Testosteroni i pamjaftueshëm mund ta bëjë të vështirë mbajtjen e penisit në ereksion.
Megjithatë, vetëm testosteroni i ulët nuk është zakonisht shkaku kryesor i mosfunksionimit erektil. Disfunksioni erektil është një gjendje me shkaqe të ndryshme që lidhen jo vetëm me prodhimin e hormoneve, por edhe me rregullimin e sistemit nervor dhe qarkullimin e gjakut.
Rënia e qimeve në trup dhe fytyrë
Testosteroni i ndihmon meshkujt të zhvillojnë tipare si qime më të trasha të trupit dhe qime të fytyrës. Nëse keni nivel të ulët të testosteronit, mund të vëreni se qimet në sqetull, qimet pubike dhe qimet e gjoksit fillojnë të hollohen. Testosteroni i ulët mund të shkaktojë gjithashtu rritje të ngadaltë të mjekrës. Megjithatë, humbja e flokëve në kokën tuaj lidhet zakonisht me gjenetikën dhe tullacllëkun e modelit mashkullor, jo me nivelet e ulëta të testosteronit.
Lodhja
Lodhja kronike dhe humbja e energjisë janë efekte anësore të zakonshme të testosteronit të ulët. Lodhja mund të jetë e lehtë ose intensive. Edhe nëse flini mjaftueshëm, nivelet tuaja të ulëta të energjisë nuk do të përmirësohen nëse keni testosteron të ulët.
Arsyeja e saktë pse testosteroni i ulët shkakton nivele të ulëta të energjisë nuk është kuptuar plotësisht. Për disa njerëz, lodhja mund të lidhet me aneminë. Anemia është një gjendje ku trupi juaj ka nivele të ulëta të qelizave të kuqe të gjakut dhe lodhja është një simptomë e zakonshme. Testosteroni i ulët është lidhur me uljen e prodhimit të qelizave të kuqe të gjakut dhe anemisë.
Humbja e masës muskulore
Testosteroni ndihmon në stimulimin e sintezës së proteinave përgjegjëse për rritjen e muskujve. Meshkujt me testosteron të ulët shpesh humbasin masën e muskujve, duke i bërë muskujt të ndjehen të dobët dhe të duken më pak të përcaktuar.Humbja e muskujve mund të kontribuojë gjithashtu në energji të ulët.
Rritja e indit të gjirit
Njerëzit e çdo seksi kanë estrogjen dhe testosteron, por gratë kanë më shumë estrogjen për fertilitetin dhe rritjen e gjirit. Për meshkujt, prodhimi i pakët i testosteronit mund t’i bëjë nivelet e estrogjenit shumë të larta. Ky çekuilibër mund të shkaktojë gjinekomasti, një gjendje ku meshkujt zhvillojnë gjoks më të madh për shkak të niveleve më të larta të estrogjenit dhe niveleve të ulëta të testosteronit.
Gjinekomastia është më e zakonshme tek meshkujt mbi 60 vjeç, pasi ajo grupmoshë ka më shumë gjasa të ketë nivele të ulëta të testosteronit dhe rritje të yndyrës në trup (një faktor tjetër që mund të kontribuojë në zhvillimin e gjinekomastisë).
Njerëzit me kancer të prostatës, trajtimi i të cilëve përfshin bllokues të testosteronit, një klasë medikamentesh të njohur si antiandrogjenë, shpesh zhvillojnë gjinekomasti si një efekt anësor i uljes së testosteronit të tyre.
Humbja e densitetit kockor
Testosteroni është thelbësor për ruajtjen e densitetit mineral kockor, që është sasia e kalciumit dhe mineraleve në kockat tuaja. Pa densitetin e duhur mineral kockor, kockat tuaja kanë më shumë gjasa të thyhen. Hulumtimet zbulojnë se burrat me testosteron të ulët janë në rrezik më të madh për fraktura dhe osteoporozë.
Depresioni
Hulumtimet tregojnë se meshkujt e moshuar me testosteron të ulët shpesh zhvillojnë depresion dhe ankth. Megjithatë, lidhja midis simptomave depresive dhe testosteronit të ulët nuk është kuptuar mire. Kushtet e shumta mund të kontribuojnë në depresion, kështu që është e vështirë të thuhet nëse vetëm testosteroni i ulët është arsyeja e depresionit.
Simptomat tek femrat
Nivelet e testosteronit te femrat gjithashtu ulen me moshën, por testosteroni i ulët është një problem i pamundur për gratë. Më shpesh, nivelet e larta të testosteronit janë shqetësim. Në fakt, nuk ka udhëzime zyrtare që përcaktojnë matjen e niveleve të ulëta të testosteronit tek gratë.
Gratë ende kanë nevojë për një nivel të caktuar të testosteronit për dëshirën seksuale, rritjen e muskujve dhe shëndetin e kockave. Si rezultat, gratë me nivele më të ulëta të testosteronit mund të përballen me efekte anësore të ngjashme me burrat, si humbja e masës muskulore ose densiteti kockor dhe dëshira e ulët seksuale. Megjithatë, hulumtimet nuk kanë vërtetuar se këto efekte anësore lidhen drejtpërdrejt me testosteronin e ulët.
Simptomat tek fëmijët
Testosteroni i ulët nuk është i zakonshëm tek fëmijët, por është i mundur. Nëse djemtë përjetojnë testosterone të ulët para ose gjatë pubertetit, ata mund të kenë simptoma si:
- Shkalla e ngadaltë e rritjes, duke shkaktuar krahë dhe këmbë joproporcionale në raport me trupin
- Qime pubike të reduktuara
- Rritja e ngadaltë e testikujve dhe penisit që përfundimisht mund të kufizojë madhësinë e tyre
- Më pak thellim zëri
- Dobësi muskulore
- Rezistenca nën mesataren
Kur të konsultoheni me mjekun
Nëse vëreni ndonjë simptomë të testosteronit të ulët që ndikon në shëndetin, disponimin ose jetën tuaj seksuale, konsultohuni me një mjek.
Për të zbuluar nëse keni se keni testosteron të ulët, bëni test të nivelit të testosteronit.
Përmbledhje
Nivelet e ulëta të testosteronit janë një pjesë normale e plakjes së meshkujve. Disa njerëz mund të mos kenë simptoma pasi trupi gradualisht krijon më pak testosterone. Por në varësi të kohës, sa shpejt ose sa nivele bien, testosteroni i ulët mund të shkaktojë simptoma si ulja e dëshirës seksuale, energjisë dhe forcës së muskujve.
Burimi: Health /Përktheu për JoTabu.al: Anjela Hajdari
Leave a Reply