Rritja e prostatës, cilat janë shenjat dhe shqetësimet?
Nga prof. Alketa Koroshi
Me rritjen e gjëndrës së prostatës, fillon e bllokohet kanali i urinës e gradualisht humbet funksioni i fshikëzës së ujit, gjë që çon në zbrazjen jo të mirë të saj. Shqetësimet e të sëmurit kanë lidhje me urinimin: vështirësi në nxjerrjen e urinës, currili i urinës i dobët. Pacienti ka nevojë të shpeshtë për të vajtur në banjë, e sidomos fillon e ngrihet shpesh natën. Madhësia e prostatës nuk shkon gjithmonë paralelisht me simptomat e vështirësisë së urinimit. Disa njerëz që kanë prostatë shumë të rritur kanë pak shenja urinare e pak ankesa, ndërsa disa të tjerë, që kanë një gjëndër relativisht të vogël, kanë më shumë probleme shqetësuese.
Mund të ndodhë që një njeri që nuk e di fare se ka prostatë e zmadhuar, papritur nuk është në gjendje të urinojë as edhe një pikë. Kjo ngjet sidomos në ata që marrin ilaçe për të ftohje ose alergji. Këto ilaçe, që quhen simptikomimetik,e e pengojnë fshikën urinare të zbrazet. Bllokimi total i urinimit mund të ndodhë edhe nga alkooli, nga temperaturat e ulëta ose të qëndruarit një kohë të gjatë pa lëvizur. Kur njeriu ka këto shenja që përmendem, duhet të konsultohet me mjekun. Në shumicën e rasteve këto shenja lidhen me rritjen beninje të prostatës (të mirë), por ndonjëherë mund të jenë shprehje e kancerit të prostatës, që zbulohet nga mjeku me ekzaminime të posaçme.
Kur ka një kohë të gjatë me prostatë të rritur, pacienti mund të bëjë infeksione urinare dhe mund të dëmtohen veshkat. Veç asaj, mund të zhvillohen gurët e veshkave dhe mos mbajtja e urinimit, inkontinenca.
Si vihet diagnoza e rritjes beninje të prostatës?
Kur dyshohet për rritje të prostatës, është mirë të konsultohet pacienti me urologun. Mjeku është në gjendje të precizoje problemin e të përcaktojë nëse duhet bërë intervent kirurgjikal ose jo. Si rregull, diagnostikimi fillohet me një ekzaminim me gisht nga rektumi. Në këtë rast palpohet prostate e rritur dhe krijohet një ide e përgjithshme mbi madhësinë e prostatës. Kur mjeku kërkon të përjashtojë një kancer të prostatës, atëherë ai rekomandon testin e PSA.
PSA është një proteinë që prodhohet nga qelizat e prostatës dhe gjendet shumë e rritur në gjak kur ka kancer të prostatës. Por, kur ka dyshime, këshillohet bërja edhe e ekografisë së prostatës. Përveç kësaj, një ndihmë të madhe jep edhe bërja e biopsisë së prostatës, me anë të së cilës merret pak material indor nga prostata me anë të një gjilpërë dhe ky shihet më pas në mikroskop.
Po ashtu kanë vlerë matjet dinamike të currilit të urinës, si dhe cistoskopia, që është vendosja e një tubi nga poshtë nëpërmjet kanalit të urinës e pamja në brendësi të fshikës së urinës. Cistoskopia ndihmon mjekun të shohë madhësinë e gjëndrës, të identifikojë lokalizimin e gjëndrës e shkallën e obstruksionit./ JoTabu.al
Leave a Reply