Për herë të parë në historinë e vendit, shtesa natyrore e popullsisë ishte negative në 2020-ën
Me vdekjet që arritën në nivele rekord në 2020-ën, si rrjedhojë e pasojave fatale të pandemisë së Covid-19 dhe tendencën rënëse të lindshmërisë, për herë të parë në historinë e Shqipërisë shtesa natyrore e popullsisë ishte negative në vitin që sapo lamë pas. Sipas të dhënave paraprake nga Drejtoria e Gjendjes Civile, vdekjet në total në vend ishin 28,026 persona në 2020-n, me një rritje të fortë prej gati 28% në krahasim me vitin e mëparshëm, ose rreth 6 mijë persona më shumë se viti i mëparshëm, duke shënuar një nivel rekord historik të lartë.
Për të njëjtën periudhë, sipas akt lindjeve, në vend u regjistruan rreth 27,600 lindje, me një tkurrje të lehtë prej 0.2%. Për herë të parë në historinë e vendit, vdekjet i tejkaluan lehtë lindjet (me rreth 400 persona). Ky është niveli më i ulët i shtesës natyrore të popullsisë, së paku që nga viti 1948, pak vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, sipas të dhënave të INSTAT.
Që prej kulmimit, në fillim të viteve ’90, shtesa natyrore e popullsisë ka ardhur në rënie të vazhdueshme, duke reflektuar rritjen e moshës mesatare të popullsisë, nivelin e lartë të emigracionit, zvogëlimin e familjeve dhe rënien e fertilitetit (aktualisht rreth 1.35 lindje për grua, ndër më të ulëtat në Europë). Në vitin 1900, shtesa natyrore e popullsisë ishte rreth 64 mijë persona, ndërsa në 2019-n zbriti në rreth 6 mijë persona, sipas të dhënave të INSTAT, duke shkuar drejt tendencës së barazimit të lindjeve me vdekjeve për një periudhë disa vjeçare. Por, pandemia e Covid-19 e përshpejtoi këtë proces, për shkak të numrit të lartë të fataliteteve.

Leave a Reply