Numri i vdekjeve tejkaloi atë të lindjeve në këto 3 qarqe të Shqipërisë
Blertina Koka
Instituti i Statistikave ka publikuar të dhënat e fundit statistikore mbi Popullsinë e Shqipërisë, 1 Janar 2019.
Sipas këtyre të dhënave, Popullsia e Shqipërisë në 1 Janar 2019, rezulton 2.862.427 banorë, duke pësuar një rënie me 0,3 %, krahasuar me 1 Janar 2018.
Gjatë vitit 2018, shtesa natyrore e popullsisë është 7.130 banorë (Lindje-Vdekje), duke pësuar një rënie prej 17,4 %, krahasuar me një vit më parë. Migracioni neto (Imigrantë-Emigrantë) është -15.030 banorë, duke shënuar një rënie prej 0,9 %, krahasuar me një vit më parë.
Shtesa natyrore e popullsisë (raporti lindje/vdekje) në tremujorin e katërt 2018 rezulton me rënie prej 26,2 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2017, dhe 17,4 %, krahasuar me një vit më parë.
Të dhënat tregojnë se numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2018 ka shënuar një rënie me 7/.7% krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2017, dhe rënie me 6.3% krahasuar nga viti 2017 në 2018.
Numri i vdekjeve në këtë tremujor gjithashtu ka shënuar një rritje prej 0,9 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2017. Ndërsa sa i përket numrit në total të vdekjeve brenda një viti, rezulton që ka pasur një rënie me 1,9 %, krahasuar me një vit më parë.
Në 3 qarqe të Shqipërisë, përkatësisht Korça, Vlora dhe Gjirokastra, numri i vdekjeve e ka tejkaluar numrin e lindjeve. Sipas INSTAT, Qarku i Gjirokastrës ka rezultuar me vlerë negative të shtesës natyrore të popullsisë gjatë gjithë vitit, ku numri i vdekjeve kalon me 217 numrin e lindjeve, për vitin 2018.
Lindjet
Lindjet Gjatë vitit 2018, të gjitha qarqet e vendit kanë pësuar rënie të numrit të lindjeve në krahasim me vitin 2017. Në tremujorin e katërt 2018, numri më i madh i lindjeve regjistrohet në qarkun e Tiranës me 2.423. Në tremujorin e katërt 2018, lindjet në Qarkun e Tiranës shënuan një rënie me 4,2 % në krahasim me tremujorin e katërt 2017. Numri më i ulët i lindjeve, në tremujorin e katërt 2018 regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me 138 lindje, me një rënie prej 12,7 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2017. Dhjetë qarqe pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e katërt 2018, krahasuar me tremujorin e katërt 2017. Rënien më të madhe në përqindje të lindjeve gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Korçës me 21,8 % dhe qarku i Vlorës me 19,1 %.

Vdekjet
Në dhjetë nga dymbëdhjetë qarqet e vendit, numri i vdekjeve ka pësuar rënie në vitin 2018 në krahasim me vitin 2017. Numri më i lartë i vdekjeve për tremujorin e katërt 2018 regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 1.334 vdekje, me një rënie prej 0,3 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2017. Numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 102 vdekje, me një rënie prej 28,2 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2017. Pesë qarqe pësuan rënie të numrit të vdekjeve në tremujorin e katërt 2018, krahasuar me tremujorin e katërt 2017. Rënia më e madhe në përqindjen e vdekjeve gjatë këtij tremujori regjistrohet në qarqet e Kukësit dhe Gjirokastrës, në krahasim me tremujorin e katërt 2017.

/ JoTabu.al

Leave a Reply