Mos fajëso veshjen! Histori të vajzave dhe grave të abuzuara seksualisht
Një uniformë shkolle. Një palë pizhama. Xhinse dhe një bluzë. Këto ishin vetëm disa nga rrobat që gratë dhe vajzat nga Moldavia kishin veshur kur u abuzuan seksualisht. Një ekspozitë me 10 veshje të tilla, të shoqëruar me histori të të mbijetuarave, synon të thyejë steriotipet rreth dhunës seksuale, që janë të përhapura në shoqërinë moldave.
“Fatkeqësisht, më shumë se 40% e meshkujve në vendin tonë mendojnë se nëse një grua ka një “reputacion të keq” ose nuk bën rezistencë ndaj një ngacmimi seksual, ky rast nuk mund të konsiderohet përdhunim”, thotë Natalia Valcu, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për të Drejtat e Grave, e cila ka organizuar këtë ekspozitë në bashkëpunim me UNFPA.
“Historitë reale, të prezantuara në këtë ekspozitë, thyejnë steriotipet dhe tregojnë se nuk ka lidhje me veshjen e gruas, por me sjelljen e një mashkulli abuzues”.
6 nga 10 gra dhe vajza mbi moshën 15 vjeç në Republikën e Moldavisë përjetojnë të paktën një formë të dhunës – psikologjike, fizike ose seksuale – nga bashkëshorti ose partneri. Dhuna seksuale është forma e tretë më e përhapur e dhunës e përjetuar nga vajzat, që lë shenja të rënda në jetët e tyre.
Historia e Julianës është një rast i këtyre pasojave negative në jetën e saj. E abuzuar dhe përdhunuar në moshën 15 vjeç, ajo preu flokët e saj të gjatë, filloi të vishej me rroba djemsh dhe, edhe tani, edhe pas një duzinë vitesh, ajo e ka të vështirë që të krijojë lidhje me të tjerët.
“I dashuri do të donte që të vishja fustan, të vendosja grim ose të rregulloja flokët, por nuk mundem, sepse kështu do të provokoja meshkujt”, thotë Juliana në historinë e saj, të shfaqur në ekspozitë.
“Nuk e dua këtë, nuk do të mundem kurrë të bëhem e bukur”.
“Dhuna seksuale mund të çojë në shtatzëni dhe lindje të paplanifikuara, infeksione seksualisht të transmetueshme dhe çrregullime psiko-emocionale për vajzat dhe gratë”, thotë Eugenia Berzan, nga UNFPA Moldova.
“Iu bëjmë thirrje të gjithë partnerëve që t’i mbështesin iniciativa të tilla, që ndihmojnë të dëgjohen zërat e grave dhe vajzave të grupeve vulnerable, për t’i dhënë fund dhunës dhe shkeljes së të drejtave të njeriut.
Ekspozita “Mos fajëso veshjen” u organizua si pjesë e fushatës globale UNiTE to End Violence against Women dhe fushatës vjetor 16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës me Bazë Gjinore.
Versioni origjinal i këtij artikulli u publikua në uebsajtin e UNFPA Moldova
Përshtati në shqip: Blertina Koka
Leave a Reply