Merret vendimi për universitetet: Ja kur do të zhvillohen provimet!
Ministrja e Arsimit Besa Shahini bëri me dije vendimet e marra për Arsimin e Lartë dhe mënyrën se si do veprohet. Shahini tha se pavarësisht mësimit online, shumë studentë e kanë të nevojshëm t’i rikthehen auditorëve, por kjo do të ndodhë në mënyrë të pjesshme.
Pritoritet për t’u kthyer në auditore do të kenë studentët që janë në prag diplomimi. Ata do të rikthehen për 3-4 javë në qershor dhe provimet do t’i zhvillojnë në korrik dhe javën e parë të gushtit.
“Universitetet kanë autonomi dhe riorganizimi i punës ishte detyra e universiteteve. Të gjitha universitetet i janë përgjigjur thirrjes, por jo të gjitha në të njëjtën mënyrë. Edhe për lëndët që kanë kaluar online, po kuptoj që nuk është mbajtur i njëjti standard i punës. Prioritet është puna me studentët që do të diplomohen”.
Shahini tha se për të gjithë ata studentë që do diplomohen:
– do të prioritizohet puna për ata që do diplomohen
– do të mundësohet kthimi në auditore në qershor për 3-4 javë
– provimet dhe riprovimet do të zhvillohen në korrik dhe javën e parë të gushtit për ata që do diplomohen
Ndërsa për gjithë vitet e tjera Shahini njoftoi se provimet dhe riprovimet do zhvillohen në tetor të 2020 ndërsa në auditor mund të kthehen në gusht.
Gjithashtu Shahini tha se mësimi online do të vazhdojnë deri në përfundim të orëve të planifikuara dhe se viti akademik, do të zgjatet deri diku tek dy javë.
Më pas, nga 25 gushti deri në fund të shtatorit mund të kthehen në auditore ata që nuk janë për t’u diplomuar, por ndjejnë nevojë për përsëritje apo punë laboratorike. Provimet do t’i mbajnë në tetor.
Ministrja Shahini bëri gjithashtu të qartë se mësime në auditore me numrat e mëparshëm të studentëve, nuk do të ketë më. Minimizimi i numrit të studentëve dhe sigurimi i distancimit fizik janë kushtet kryesore të rikthimit në universitete.

Leave a Reply