Komunikimi prind–fëmijë për temat seksuale, të rinjtë shqiptarë: Tabu, frikë dhe mungesë informacioni
Përgatiti: Blertina Koka
Komunikimi prind-fëmijë është një dialog që askush s’do mund kurrë ta zëvendësojë. Çdo fjalë e thënë, e motivuar dhe e shpjeguar nga prindi, ka për fëmijën më shumë se një vlerë informative. Adoleshenca është një nga periudhat më delikate, një periudhë tranzicioni ku provohen një mori ndjesirash. Prindi është i pari që mund të ndihmojë adoleshentin të kuptojë dhe pranojë këtë moshë zhvillimi me një këndvështrim pozitiv.
Ndërkohë që vajzat rriten dhe trupi i tyre ndryshon, ato priren të pyesin nënat për ndryshimet që vërejnë. Sigurisht që nëna është burimi më i mirë i informacionit për vajzat që të mësojnë si të menaxhojnë periodat, qimet në trup apo për rritjen e gjoksit, por çfarë ndodh kur bëhet fjalë për shëndetin seksual dhe riprodhues? E njëjta gjë vlen edhe për komunikimin at-bir, sa të gatshëm dhe të përgatitur janë ata që t’u përgjigjen çdo lloj paqartësie apo pyetje që mund të kenë të rinjtë?
Po vetë të rinjtë, sa të hapur janë me prindërit? Me kë i ndajnë ata emocionet e para, ku mësojnë ata për herë të parë për pubertetin, shëndetin seksual dhe riprodhues, infeksionet seksualisht të transmetueshme etj?
Gjatë një interviste për Jo Tabu, 4 të rinj rrëfejnë komunikimin e tyre me prindërit lidhur me shëndetin seksual dhe riprodhues, kur prindërit u kanë folur për herë të parë lidhur mbi këto tema, a ka pasur raste kur ata nuk kanë pasur një përgjigje, apo i janë shmangur me pretekstin se janë akoma të vegjël për të diskutuar lidhur me këto tema.
Dy djem dhe dy vajza duket se nuk i diferencon vetëm gjinia, por edhe fakti se sa të hapur janë me prindërit. Ndoshta ishte thjesht rastësi, apo ndodh gjerësisht në shoqërinë shqiptare, por dy vajzat e pyetura nga Jo Tabu rrëfejnë se flasin me prindërit, sidomos me mamin, lidhur me këto tema, ndërsa djemtë mohojnë kategorikisht të kenë folur ndonjëherë me ta. Djemtë janë më të prirur të flasin me vëllezërit ose miqtë, ndërsa me prindërit thonë se nuk e besojnë se do të flasin ndonjëherë. Të pyetur nëse mendojnë se prindërit kanë informacione mjaftueshëm mbi shëndetin seksual dhe riprodhues, përgjigja e të katërve këtë herë është e njëjtë: Jo.
Sa të rëndësishëm e mendojnë ata komunikimin me prindërit? Shumë, por në moshë të vogël, rrëfen një 20-vjeçar, pasi “më vonë nuk është e thjeshtë të bëhen biseda të tilla”. E ndërsa adoleshentja tjetër, vetëm 14 vjeç, thotë se shpesh nëna i është shmangur pyetjeve të saj me pretekstin se është akoma e vogël.
Për më tepër, ju ftojmë të lexoni intervistën më poshtë…
- Adoleshenti 1. 18 vjeç
- Adoleshentja 2. 14 vjeç
- Adoleshentja 3. 18 vjeç
- Adoleshenti 4. 20 vjeç.
****************
Flisni me prindërit për çështje që lidhen me shëndetin seksual dhe riprodhues? Nëse po, me kë flisni më shumë? Nëse jo, arsyeja?
- Adoleshenti 1. Jo nuk flas, më vjen turp. Ndodh ndonjëherë të flas me vëllanë e madh. Është më e lehte të shprehem me atë. Se di, se marr dot guximin t’i pyes, më vjen turp. Dhe ata nuk është se më flasin.
- Adoleshentja 2. Po! Të them të drejtën, me mamin po. Flasim shpesh për gjërat personale të një femre, që nuk mund t’i diskutosh me të tjerët, periudhën e periodave, dhimbjet, gjëra të tilla.
- Adoleshentja 3. Po, flas me mamin.
- Adoleshenti 4. Jo, nuk flas me asnjërin. Nuk ndihem rehat, më vjen siklet.
Në çfarë moshe kanë filluar prindërit t’ju flasin lidhur me shëndetin seksual dhe riprodhues?
- Adoleshenti 1: Nuk më kanë folur dhe nuk e di nëse do më flasin ndonjëherë.
- Adoleshentja 2: Kur isha 13 vjeç.
- Adoleshentja 3: Në moshën 14 vjeç.
- Adoleshenti 4: Nuk kanë filluar kurrë, vetëm disa herë këtu e atje, gjëra të përcipta dhe jo në detaje.
Ka ndodhur ndonjëherë që i keni bërë prindërve një pyetje lidhur mbi këto çështje dhe ju janë shmangur?
- Adoleshenti 1: Po
- Adoleshentja 2: Po, ka ndodhur të më shmanget.
- Adoleshentja 3: Nuk i kam bërë ndonjëherë pyetje të sikletshme, thjesht për gjëra që lidhen me femrat dhe kaq. Nuk e kam marrë guximin ta pyes për tema seksuale.
- Adoleshenti 4: Jo, nuk e kam pyetur kurrë.
Mendoni se nuk kanë ditur si t’ju përgjigjen apo u ka ardhur turp prej jush?
- Adoleshenti 1: Mendoj se ka pasur turp.
- Adoleshentja 2: Jo, thjesht u vu në siklet.
- Adoleshentja 3: ….
- Adoleshenti 4: ….
E keni të vështirë të flisni gjithmonë hapur me prindërit lidhur me këto çështje.
- Adoleshenti 1: Normal, është e sikletshme
- Adoleshentja 2: Jo, aspak!
- Adoleshentja 3: Normal që është e vështirë. Flas më tepër me shoqet në lidhje me këto tema.
- Adoleshenti 4: Jo, nuk e kam të vështirë, por nuk dua që të flas.
Në opinionin tuaj, mendoni se prindërit kanë informacione mjaftueshëm lidhur me këto tema dhe a dinë si t’i përcjellin tek ju.
- Adoleshenti 1: Mendoj se nuk kanë informacion të mjaftueshëm. Po të kishin, do na informonin më mirë, ose në të njëjtën mënyrë janë sjellë prindërit e tyre dhe mendojnë se është më e mirë heshtja ose mos diskutimi në lidhje me këtë temë.
- Adoleshentja 2: Mendoj se prindërit kanë informacione deri diku për këto tema, por ka raste që nuk na i thonë me pretekstin që jemi akoma të vegjël. Na thonë që do flasim kur të të vijë mosha.
- Adoleshentja 3: S’di të të them me siguri. Por që mendoj që nuk dinë mënyrat e komunikimit me ne në lidhje me këto tema, besoj.
- Adoleshenti 4: Nuk besoj se kanë informacion të mjaftueshëm.
Mendoni se është e rëndësishme biseda me prindërit?
- Adoleshenti 1: Mendoj që është e domosdoshme të flasësh me një nga prindërit, nëna apo babai, kushdo qoftë.
- Adoleshentja 2: Po, normal. Biseda me prindërit, në rastin tim mami, vlen gjithmonë.
- Adoleshentja 3: Pooo, është shumë e rëndësishme.
- Adoleshenti 4: Po, por duhet nga mosha të vogla, më vonë nuk është e thjeshtë të bëhen biseda të tilla./ JoTabu.al

Leave a Reply