Kanceri i gjirit, çfarë ju rrezikon dhe si të ruheni
Kanceri i gjirit është rritja jashtë kontrollit dhe përhapja e qelizave jo normale të indit të gjirit. Këto qeliza grumbullohen dhe formojnë një tumor, i cili shtyp, përhapet dhe shkatërron indin normal të gjirit. Por a mund ta parandaloni? Në fakt janë disa faktorë që ua rrisin rezikun për kancer.
Njihuni me rrezikun
Askush nuk e di shkakun e vërtetë të kancerit të gjirit, apo nëse kanceri i gjirit ka një shkaktar të vetëm, apo jo. Dimë se disa njerëz janë më të rrezikuar për të zhvilluar kancer gjiri. Dimë se disa faktorë duken se rrisin rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri.
Çdo grua është e rrezikuar për kancer gjiri.
Faktorë rreziku per kancerin e gjirit janë :
• Mosha mbi 50 vjeç;
• Pasja e një kanceri gjiri më pare;
• Histori familjare të kancerit të gjirit (veçanërisht me nënën, motrën ose vajzën) të diagnostikuara përpara menopauses;
• Ndryshimet gjenetike prezente me genet BRCA1 ose BRCA2;
• Histori familjare me kancer të ovarit ;
• Femrat që nuk kanë lindur fëmijë ose lindjen e parë e kanë bërë në moshë më tëmadhe se 30 vjeç;
• Menstruacione në moshë shumë të hershme, para 12 vjeç;
• Menopauzë pas moshës 50 vjeç;
• Përdorimi i mjekimit me hormone (estrogjen + progesteron) për një kohë të gjatë, më shumë se 5 vite;
• Densitet të shtuar të indeve të gjirit (e dukshme në një mamogram);
• Një histori e një biopsie gjiri që tregon një numër të rritur të qelizave jonormale që nuk janë kanceroze (hiperplazi atipike);
• Trajtimi me rreze të sipërfaqes së gjirit, veçanërisht para moshës 30-vjeçare, p.sh., trajtimi i limfomave Hodgkin;
• Mbipesha dhe obeziteti, sidomos në menopauzë;
• Përdorimi i alkoolit;
• Duhanpirja;
• Marrja e kontraceptivëve nga goja e pakontrolluar nga mjeku;
• Dieta dhe ushqimet e pasura me yndyrna shtazore;
• Moskryerja e aktivitetit fizik.
POR, KUJDES! Rreth 70% e rasteve të Kancerit të Gjirit ndodh tek gra, të cilat nuk kanë faktorë që rrisin rrezikun për të zhvilluar kancer gjiri!
Kush zhvillon kancer gjiri
Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë në gratë. Ai mund të gjendet në çdo moshë, por shumica e rasteve gjendet në gratë në moshë mbi 50 vjeç. Kanceri i gjirit mund të gjendet dhe tek burrat por është shumë i rrallë.
Si mund të zbulohet kanceri i gjirit
Nese ju jeni nje nga keto gra me risk të lartë për Kancer Gjiri, ju mund të keni mundësi të kryeni:
• Teste depistuese në moshë me të re dhe më shpesh se rekomadimet;
• Vlerësim të riskut gjenetik ;
• Disa trajtime parandaluese si marrja e anti-estrogeneve ose kirurgjia profilaktike.
Ndiqni udhëzimet për ekzaminimet depistuese
Depistimi apo kontrolli është zbulimi i hershëm i kancerit kur ju nuk keni asnjë shenjë të sëmundjes. Këto ekzaminime për diagnostikimim e kancerit të gjirit mund t`ju ndihmojnë ta kapni atë në faza të hershme dhe kur ka më shumë mundësi për t’u trajtuar. Është e rëndësishme të dimë se asnjë test depistues për kancerin nuk është 100% i saktë. Për shembull, nëpërmjet një testi depistues, ndonjëhere mund të diagnostikohet kanceri kur nuk është, ose nuk arrin të diagnostikohet kur ka kancer.
Megjithatë testet depistuese shpëtojne me mijëra jetë.
Testet më të besueshme që përdoren për diagnostikim të hershëm të kancerit të gjirit janë mamografia dhe ekzaminimet klinike të gjirit.
1. Mamografia
Mamografia është ekzaminimi i gjirit duke përdorur doza të ulta të rrezeve X. Gjiri vendoset midis dy pjatave plastike, të cilat e shtypin gjirin për ta shtrirë atë. Kjo mund të jetë diçka e pakëndshme, por zgjat vetëm pak sekonda. Shtypja e gjirit ndihmon në marrjen e imazheve sa më të qarta, duke përdorur sa më pak rreze X. Edhe ekografia përdoret si teknikë për identifikimin e një kanceri të mundshëm të gjirit, por zakonisht, vetëm pas një mamografie.
2. Ekzaminimi klinik i gjirit
Një ekzaminim klinik i gjirit është një ekzaminim fizik i gjinjve nga personeli mjekësor i trajnuar.
Lloji dhe shpeshtesia e testeve depistuese ne mosha te ndryshme
Nëse ju jeni: 40-49 vjeç
Ju duhet: Ekzaminim klinik i gjinjve nga personel mjekësor i trajnuar, së paku çdo 2 vjet. Flisni me mjekun tuaj rreth rrezikut tuaj të kancerit të gjirit, përfitimet dhe rreziqet nga mamografia.
Nëse ju jeni: 50-69 vjeç
Ju duhet: Ekzaminim klinik i gjinjve nga personel mjeksor i trajnuar, së paku çdo 2 vjet. Mamografi çdo 2 vjet.
Nëse ju jeni: Mbi 70 vjeç
Ju duhet: Të flisni me mjekun se sa shpesh duhet të testoheni për kancer gjiri.
Shumë gra janë në jetë sot për arsye sepse ato kanë bërë depistime të rregullta për kancer gjiri.
Çfarë duhet të kuptojmë me dijeninë për gjinjtë?
Një pjesë e rëndësishme e kujdesit për trupin tuaj është njohja e gjinjve tuaj dhe mënyra se si ata ndryshojnë gjatë gjithë jetës.
Njihni gjinjtë tuaj
Nuk ka rëndësi se çfarë moshe keni, për të pasur gjinj të shëndetshëm, duhet të fillojmë me njohjen e tyre. Bëhuni e vetëdijshme për të kuptuar se çfarë është normale tek gjinjtë tuaj. Kjo arrihet vetëm duke bërë një kontroll të rregullt të tyre.
Shumë gra e zbulojnë vetë kancerin e gjirit të tyre, vetëm dukë parë dhe ndjerë ndryshimet në gjinjtë e tyre.
Indet e gjirit mbulojnë një sipërfaqe më të madhe se sa vetë gjinjtë. Shtrihen nga klavikula dhe nga sqetulla dhe përgjatë kockës së kraharorit. Gjiri mbështetet në muskujt e gjoksit që mbulojnë brinjët.
Për zvogëlimin e rrezikut tuaj…
• Mbani dhe ruani një peshë trupi të shëndetshme;
• Kryeni rregullisht aktivitet fizik;
• Konsumoni ushqime me yndyrna të pakta;
• Konsumoni perime dhe fruta;
• Mos konsumoni alkool;
• Konsultohuni me mjekun për përdorimim e kontraceptivëve ;
• Mos pini duhan dhe shmangni duhanpirjen pasive;
• Përdorni ushqyerjen me gji për fëmijën tuaj;
• Flisni me mjekun tuaj për vlerësimin e rrezikut tuaj;

Leave a Reply