Jo Tabu, emisioni më i ri në ekranin e Euronews Albania
Në Shqipëri vazhdon edhe sot që të jetë tabu diskutimi i temave për shëndetin seksual riprodhues, marrëdhëniet seksuale, fazat dhe ndryshimet që pëson trupi i njeriut ndërsa rritet. Këto tema janë ende turp apo shkaktojnë ndrojtje kur diskutohen, në pjesën më të madhe të familjeve shqiptare.
Edhe pse familja është vendi ku duhet të hidhen bazat për edukatën seksuale që marrin fëmijët. Kjo mungesë lirshmërie, i shtyn ata të sigurojnë informacione në rrugë jo të sigurta, të pasakta ose në rastin më të keq edhe të rrezikshme.
Euronews Albania vjen me një propozim të ri në programacionin e tij, emisionin “Jo Tabu”. Ai është konceptuar si një bashkëbisedim në familje, mes prindërve dhe fëmijëve, vëllezërve apo motrave mbi të ashtuquajturat tema delikate.
Personazhet do rrëfehen, por edhe do nxjerrin “sekrete” nga familjari që do të kenë përballë, gjithçka me një qëllim: të tejkalojmë barrierat që ka familja dhe shoqëria shqiptare në tërësi, kur vjen fjala për tema që kanë të bëjnë me edukatën seksuale.
Një peshë të veçantë në biseda do të ketë edhe bashkëjetesa me Covid -19 dhe mënyra se si ky virus po afekton këto çështje.
Ky emision synon të japë një shembull pozitiv se si marrëdhënia prindër – fëmijë mund të zhvillohet në trajtimin e temave që lidhen me edukatën seksuale përmes bisedave të çlirëta.
“Jo Tabu”, fton gjithë familjen ta ndjekë përmes ekranit të Euronews Albania çdo të hënë, të mërkurë dhe të premte, në orën 18:00.
Le të flasim hapur me fëmijët tanë sot që janë të vegjël, që ata të bëjnë të njëjtën gjë me ne, nesër kur të rriten!

Leave a Reply