Iniciativa e Burrave të Rinj
Është e vështirë të përshkruaj këtë projekt me një fjalë apo pak fjalë. Është e vështirë të thuash se cila është gjëja që të ka pëlqyer më shumë apo çfarë të ka lënë më shume mbresa, pasi nuk e di nëse do të ketë ndonjëherë projekt kaq të bukur dhe gjithëpërfshirës që më ka bërë të mësoj dhe të rritem kaq shumë… Kështu që, faleminderit YMI, faleminderit që më dhe mundësinë të isha pjese e Klubit Bëhu Burrë, faleminderit që rindeze brenda meje magjinë dhe dëshirën për të punuar për një shoqëri me sa më shume vlera dhe atribute. Këto 3 vite si Young Man Team Leader më kanë bërë të kuptoj sesa e vështirë është të flasësh për vlera dhe ideale, aty ku mentaliteti i kalbur ka ndryshkur shtyllat e shoqërisë, por gjithashtu sesa bukur është kur të rinjtë gjejnë veten tek këto vlera dhe ideale dhe sa të gatshëm janë të bëhen agjentë ndryshimi. Faleminderit YMI, faleminderit që pasuron fjalorin tonë me fjalë dhe slogane kaq të rëndësishme si: Barazi Gjinore, Stop Dhunës, Edukohu dhe Respekto.
Në shoqërinë ku jetojmë shumë gjëra merren të mirëqena, shumë vlera, shumë ideale kapërdihen, interpretohen dhe keqinterpretohen ashtu siç shoqëria i mendon më të duhura dhe të përshtatshme, por e vërteta është që rinia shqiptare, të rinjtë e Klubit Bëhu Burrë, ecin me hapin e kohës, nuk kërkojnë thjeshtë të përshtaten me mentalitetin, kërkojnë të përshtatin mentalitetin me të tashmen… Dhe e tashmja, sado e mbushur me vështirësi dhe probleme, i përket atyre që e ngrenë zërin për një të ardhme më të mirë. E tashmja i përket të rinjve, të cilët i përqafojnë vlerat dhe cilësitë e mira të jetës dhe bëhen shembull në shoqërinë e tyre.
Faleminderit YMI, që më kë dhënë besimin që duke edukuar brezin e ri, mund të edukojmë dhe brezat e tjerë. Faleminderit për rëndësinë që i jep familjes, që na tregon sesa e rëndësishme është të komunikojmë me të dashurit tanë rreth jetës sonë, faleminderit që na mëson rreth gjinisë, që na tregon që burrat dhe gratë janë të barabartë dhe që ndryshimet e vetme që kemi janë ato biologjike. Faleminderit YMI që na mëson rreth paragjykimeve, rreth etiketimeve, që na bën me raste, të ndihemi nën lëkurën e dikujt tjetër dhe të kuptojmë sesa shumë fjalët vrasin, po aq sa veprat. Faleminderit YMI që na tregon se çdo forme e dhunës është e patolerueshme dhe e pajustifikueshme, dhe që në fakt kush ushtron dhunë është pjesë e këtij cikli, dhe dikur gjithashtu ka qenë viktimë. Faleminderit YMI, që më pyet vazhdimisht “Si je”, që nuk heq kurrë dorë nga mbështetja e pakushtëzuar që më dhuron, që me tregon pa turp sesa i rëndësishëm është shëndeti mendor dhe më mëson që pa turp ta dua veten me çdo cilësi që unë kam. Faleminderit donatorëve si Austria Development Agency, OAK Foundation dhe Care International of Balkan që besuan tek ne.
Është e vështirë të të përshkruash YMI, por më beso, çdo gjë do ishte shumë më e vështirë po mos të kisha fatin e të punuarit dhe të mësuarit në këtë familje të madhe me ty.
Faleminderit YMI.
Xhoi Bare

Leave a Reply