Faktorët që ndikojnë në vendimmarrjen e grave në Shqipëri lidhur me shëndetin riprodhues
50 vite më parë, planifikimi familjar u njoh si e drejtë njerëzore. Megjithëse metodat moderne të kontracepsionit janë të disponueshme dhe gjerësisht të aksesuesshme në sektorin publik dhe farmaci, gratë në Shqipëri besojnë se është më e përshtatshme, më e përballueshme dhe më pak e turpshme që të ndërpresin një shtatzëni të padëshiruar, në vend që të parandalojnë një të padëshiruar.

Pavarësisht programeve dhe përpjekjeve të vazhdueshme për të nxitur marrjen e metodave të kontracepsionit, prevalenca e përdorimit të kontraceptivëve tek shqiptarët është relativisht e ulët dhe aborti është metoda kryesore e planifikimit familjar. Të dhënat e INSTAT për vitin 2010 tregojnë se më pak se 11% e grave të moshës 15-29 vjeç përdorin metoda moderne kontracepsioni, ndërkohë që niveli i aborteve në Shqipëri shkon 180 aborte për 1000 lindje (gjashtë herë më i lartë se niveli mesatar në rajonin e BE-së).

Në kuadër të Ditës Botërore të Popullsisë, me fokus Planifikimin Familjar si një e Drejtë Njerëzore, u organizua një tryezë me përfshirjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe të shoqërisë civile, ku u prezantua raporti përfundimtar i titulluar “Faktorët që influencojnë në vendimmarrjen e grave për shëndetin e tyre riprodhues në Shqipëri”.
Ky raport vjen si rezultat i një studimi shkencor cilësor të zhvilluar në Shqipëri në periudhën Maj 2016-Janar 2017, të drejtuar nga doktorantja Florida Doci (Universiteti i Otavës, Kanada), nën mbikëqyrjen e Dr. Angel Foster (Universiteti i Otavës në Kanada).

Gjate kësaj periudhe disamujore, studiuesit vizituan dhe intervistuan 16 farmacistë në rrethin e Tiranës, zhvilluan 6 fokus grupe me gra dhe vajza në 4 rrethe të ndryshme të vendit, intervistuan 20 ekspertë të fushës së shëndetit seksual dhe riprodhues në vend, si edhe zhvilluan një anketë online ku morën pjesë 160 gra dhe vajza nga i gjithë vendi. Studimi kishte për qëllim të prodhonte një tablo të gjendjes aktuale të shërbimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues në Shqipëri, përfshirë këtu cilësinë e shërbimeve të planifikimit familjar, si edhe eksplorimin e faktorëve që ndikojnë në zgjedhjet e grave sa i përket shëndetit riprodhues, zgjedhjes së metodave të kontracepsionit (përfshirë edhe kontracepsionin e urgjencës) dhe planifikimit familjar.

Leave a Reply