Dita Ndërkombëtare e Rinisë: Të rinjtë që krijojnë Paqen
Më datë 12 gusht, anëtarë të rrjetit “Zëri i të Rinjve” në Tiranë dhe zona të tjera të Shqipërisë, si në Vlorë, Cërrik, Shkodër etj, organizuan një sërë aktivitetesh për të kremtuar ditën që i është atribuuar rinisë që prej vitit 1999 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Që prej kësaj dite, çdo 12 gusht në të gjithë botën zhvillohen aktivitete advokuese, lobuese dhe ndërgjegjësuese për tematika që prekin të rinjtë.
Organizatat YMCA Albania, Klubi i të Rinjve “Petro Nini”, Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD), AIESEC Albania, në bashkëpunim me rrjetin e Edukatorëve Bashkëmoshatarë-Y-PEER Albania dhe me mbështetjen e zyrës së Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) realizuan një sërë aktivitetesh pranë instalacionit “REJA” në Tiranë.
Aktivitetet startuan me një Flash mob me të rinj artistë, të cilët tërhoqën vëmendjen e mbi 50 të rinjve pjesëmarrës në këtë aktivitet, si edhe shumë kalimtarëve dhe qytetarëve që kalonin aty pranë. Në fjalët përshëndetëse të të rinjve, në lojërat e tyre sa argëtuese aq edhe informuese, si edhe në diskutimet tematike mbi paqen, vetë të rinjtë dhanë mesazhe mbi angazhimin e tyre në procesin e paqes dhe sigurisë. U përmend Rezolut 2250 e Kombeve të Bashkuara, ku njihet roli pozitiv i të rinjve në procesin e paqes dhe sigurisë dhe domosdoshmëria e angazhimit të tyre në proceset edukuese dhe informuese.
Andi Rabiaj, një i ri pike fokale dhe koordinator i rrjetit të Edukatorëve Bashkëmoshatarë në Shqipëri (Y-PEER Albania), theksoi se: “Kjo rezolutë ka një lidhje sinergjike me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Axhendën 2030, duke nxitur kështu shtetet anëtare të OKB-së të adaptojnë kuadrin ligjor, për të nxitur pjesëmarrjen e të rinjve në politikat që nxisin paqen dhe sigurinë. Rreth 400 milionë të rinj sot në botë nuk kanë akses në shërbimet shëndetësore, përfshirë këtu edhe shërbimet e shëndetit seksual dhe riprodhues, të cilat janë jetësore për të rinjtë. Ne jemi të angazhuar si rrjet rinor, me mbështetjen e UNFPA-së, të punojmë me të rinjtë dhe për të rinjtë për të promovuar të drejtat e tyre”.
Klubi i të Rinjve “Petro Nini” prezantuan para bashkëmoshatarëve të tyre gazetën “Youth Building Peace”, ku janë angazhuar 10 të rinj nga shkolla e mesme “Petro Nini Luarasi” për të prodhuar artikuj të ndryshëm për gazetën.
Në ambientet e jashtme AIESEC Albania vendosi një Instalacion “Youth DAY”, që tërhoqi vëmendjen e shumë të rinjve, kalimtarëve, turistëve të cilët u afruan, bënë foto, u interesuan për tematikën dhe iu bashkuan kauzës së të rinjve.
Aktivitetet në kuadër të 12 gushtit u organizuan edhe në qytetin e Cërrikut, Vlorë, Shkodër etj, ku fokusi ishte promovimi i aktivizimit rinor.











Leave a Reply