Dita Ndërkombëtare e Fëmijës Vajzë
Më 19 dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara deklaroi 11 Tetorin si Dita Ndërkombëtare e Fëmijës Vajzë, për të njohur të drejtat e vajzave dhe sfidat e vërteta me të cilat përballen vajzat në të gjithë botën.
Vajzat adoleshente kanë të drejtën për të qenë të sigurta, të edukohen dhe të bëjnë një jetë të shëndetshme, jo vetëm në vitet e para të jetës, por edhe kur të bëhen gra. Nëse mbështeten siç duhet gjatë viteve të adoleshencës, vajzat kanë potencialin të ndryshojnë botën – si punonjëse, mentore, lidere politike, sipërmarrëse, nënat e ardhshme.
Këtë vit, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë kërkohet vëmendja për rreth 600 miliona vajza adoleshente të cilat do t’i bashkohen fuqisë punëtore dekadën e ardhshme. Më shumë se 90% e atyre që jetojnë në vendet në zhvillim do t’i bashkohen sektorit informal, ku pagat e ulëta, abuzimi dhe shfrytëzimi janë të zakonshëm./ JoTabu.al

Leave a Reply