COVID19 kërcënon grupet e margjinalizuara të rrezikuar nga HIV AIDS
Grupet e margjinalizuara, të rrezikuar për t’u prekur me infeksionin HIV, përballen me një kërcënim edhe më të madh gjatë pandemisë COVID-19, thonë ekspertët.
Një vit më parë, 62% e njerëzve të prekur me HIV ishin nga grupet e margjinalizuara, si burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, transgjinorët, punëtorët e seksit dhe njerëz që injektojnë drogë – dhe partnerët e tyre seksualë. Por programet që synojnë këto grupe të margjinalizuara marrin vetëm rreth 2 përqind të fondeve të HIV, zbuloi një raport i fundit i Aidsfonds.
Kjo situatë mund të përkeqësohet ndërsa virusi COVID-19 përhapet dhe burimet financiare për programet e HIV ulen.
“Ndërsa ndryshimet mes dy viruseve janë të dukshme, paralelet midis tyre reflektojnë dobësitë që shfrytëzojnë këto viruse, duke kaluar më lehtë në grupe të margjinalizuara pa qasje në shërbime, informacione ose pajisje mbrojtëse”, tha në deklaratën e saj Drejtorja Ekzekutive e UNFPA, Dr. Natalia Kanem në Ditën Botërore të HIV AIDS.
Këto grupe rrezikojnë edhe më shumë nga pasojat e tjera të pandemisë: Informacioni paraprak nga një vlerësim i UNFPA në rajonin e Afrikës Lindore dhe Afrikës Jugore zbuloi se punonjësit e seksit – të cilët tashmë kanë nivele shumë të larta të prevalencës së HIV – kanë pësuar humbje ekonomike, shtim të rasteve të dhunës, dhe uljen e aksesit në shërbimet e parandalimit dhe trajtimit të HIV-it.
Një pandemi brenda një pandemie
Pandemia COVID-19 i është mbi vënë pandemisë prej dekadash të HIV-it, që mbetet një kërcënim masiv për jetën, shëndetin dhe mirëqenien në të gjithë botën, veçanërisht midis grupeve të margjinalizuara. Në vitin 2019, rreth 1.7 milionë njerëz u infektuan me HIV dhe 690,000 vdiqën nga sëmundjet e lidhura me AIDS, sipas shifrave të fundit të UNAIDS.
Ndërkohë, bllokimet e COVID-19, ora e ndalimit dhe kufizime të tjera po shkaktojnë humbje të mëdha të të ardhurave për punonjësit e seksit.
“COVID-19 erdhi si një surprizë – për të gjithë, por kryesisht për punonjësit e seksit, pasi shumica jetojnë me paga ditore,” deklaroi një advokues në Eswatini.
Por për shkak se puna e tyre është shumë e stigmatizuar, joformale dhe, në shumë vende, e kriminalizuar, punëtorët e seksit raportojnë se ata shpesh përjashtohen nga skemat e mbrojtjes sociale dhe paketat e tjera të ndihmës.
Çfarë duhet bërë?
Të gjithë njerëzit meritojnë akses në shërbime shëndetësore seksuale dhe riprodhuese të cilësisë së lartë, përfshirë parandalimin dhe trajtimin e HIV-it. UNFPA po bashkëpunon me partnerë në të gjithë botën për të mundësuar informimin dhe ofrimin e shërbimeve për këto grupe të margjinalizuara.
Në Indonezi, për shembull, UNFPA është duke bashkëpunuar me një rrjet kombëtar të punonjësve të seksit për të vlerësuar aksesin e tyre në testim dhe trajtimin e HIV-it.
Në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, një linjë telefonike rajonale ofron informacion dhe shërbime për njerëzit që jetojnë me HIV dhe grupet e margjinalizuar të prekur nga COVID-19.
Dhe në Guatemalë, UNFPA mbështet organizatën për avokim transgjinor OTRANS në arritjen e popullatave kryesore me informacion dhe kujdes.
Akoma, mbetet një punë e madhe për të bërë.
“Duhet t’i japim fund stigmës, diskriminimit dhe margjinalizimit me të cilën ballafaqohen grupet e margjinalizuara në betejën kundër HIV”, tha Dr. Kanem.
“Ata kanë të drejtë të mbrohen dhe të kujdesen për veten ashtu si gjithë të tjerët”.

Leave a Reply