COVID-19: Një këndvështrim gjinor
COVID-19 Një këndvështrim gjinor
Në mbrojtje të shëndetit dhe të drejtave riprodhuese, duke promovuar barazinë gjinore.
Shpërthimi i sëmundjeve ndikon ndryshe tek gratë dhe burrat dhe pandemitë i thellojnë edhe më
shumë pabarazitë ekzistuese për gratë dhe vajzat dhe diskriminimin e grupeve të tjera të margjinalizuara, siç janë personat me aftësi të kufizuara dhe ata në varfëri ekstreme. Kjo duhet
të merret parasysh, kur konsiderohen ndikimet e ndryshme mbi zbulimin e infeksionit dhe aksesin në trajtim për gratë dhe burrat.
Gratë përfaqësojnë 70 përqind të fuqisë punëtore të sektorit shëndetësor dhe social në të gjithë botën, ndaj vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet asaj se si ambjenti i punës mund t’i ekspozojë ato ndaj diskriminimit dhe të mendohet për shëndetin e tyre seksual dhe riprodhues dhe nevojat psikosociale si punonjëse shëndetësore të vijës së parë.
Në raste krizash, siç është shpërthimi i një pandemie, gratë dhe vajzat mund të jenë në rrezik më të madh dhune nga partneri intim apo forma të tjera të dhunës në familje, për shkak të rritjes së tensioneve familjare. Meqenëse sistemet që mbrojnë gratë dhe vajzat, përfshirë strukturat e komunitetit, mund të dobësohen ose prishen, duhet të zbatohen masa specifike për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga rreziku i dhunës nga partneri intim, në dinamikën e ndryshueshme të rrezikut të imponuar nga COVID-19.
Shëndeti dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese janë një çështje e rëndësishme e shëndetit publik, që kërkon vëmendje të madhe gjatë pandemive.
Shtatzënitë dhe lindjet e sigurta të fëmijëve varen nga funksionimi i sistemeve shëndetësore dhe respektimi i rreptë i rregullave për parandalimin e infeksionit. Mjetet për planifikim familjar dhe mallra të tjera të shëndetit seksual dhe riprodhues, përfshirë artikujt e shëndetit menstrual, janë thelbësore për shëndetin, fuqizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të grave, ndërkohë që sigurimi i këtyre mallrave mund të ndikohet, pasi zinxhirët e furnizimit sforcohen për t’iu përgjigjur pandemisë.
Vazhdimësia e kujdesit duhet të sigurohet në rast të ndërprerjes së shërbimit në institucione ose ndërprerjes së aksesit për gratë dhe vajzat e moshës riprodhuese. Pengesat duhet të adresohen, për të mundësuar aksesin e grave dhe vajzave në shërbime, përfshirë shërbimet e ndihmës psikosociale, veçanërisht për ato gra e vajza që mund të jenë subjekt i dhunës ose të cilat mund të jenë në rrezik të dhunës gjatë kohës së vetizolimit.
Mekanizmat e referimit të dhunës me bazë gjinore duhet të përditësohen, për të reflektuar ndryshimet në ambientet e disponueshme të kujdesit, ndërsa komunitetet kyçe dhe ofruesit e shërbimeve duhet të jenë të informuar në lidhje me ato mekanizma të përditësuara.
Gratë shtatzëna me sëmundje të frymëmarrjes duhet të trajtohen me përparësi, për shkak të rritjes së rrezikut të efekteve shtesë dhe njësitë e kujdesit antenatal, neonatal dhe ato të shëndetit të nënës duhet
të ndahen nga rastet e identifikuara me COVID-19.
Sistemet e mbikëqyrjes dhe përgjigjes duhet të përfshijnë seksin, gjininë, moshën dhe fazën e shtatzënisë.
Sigurimi i shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për individët e prekur, familjet, komunitetet dhe punonjësit e shëndetësisë është një pjesë kritike e përgjigjes. Të gjithë punonjësit shëndetësorë, përfshirë gratë, që i përgjigjen COVID-19 në vijë të parë, duhet të kenë pajisje mbrojtëse personale.
Duke pasur parasysh ndërveprimin e grave në vijën e parë me komunitetet dhe pjesëmarrjen e tyre në pjesën më të madhe të përkujdesit si pjesë e punës, ato përballen me një rrezik më të lartë të ekspozimit. Duke pasur një afërsi të tillë me komunitetet, gratë janë gjithashtu në pozicion të mirë për të ndikuar pozitivisht në hartimin dhe zbatimin e aktiviteteve parandaluese dhe angazhimin e komuniteteve.
Dhënia e kujdesit dhe mesazheve të sakta dhe mbështetëse duhet të bëhet me synimin për të përmirësuar sigurinë, dinjitetin dhe të drejtat e njerëzve. Ekspertiza dhe përvoja e UNFPA-së në angazhimin e komunitetit, mobilizimin shoqëror dhe rrjetet e gjera në grupe të ndryshme si rinia dhe organizatat e grave, udhëheqësit fetarë dhe tradicionalë, duhet të përdoren për të rritur ndërgjegjësimin, mbrojtjen dhe mbështetjen e të rinjve, grave, familjeve dhe komuniteteve. Kjo do të ndihmojë edhe në rritjen e njohurive të tyre mbi mbrojtjen ndaj COVID-19 për të ulur përhapjen e infeksionit, promovuar sjellje të shëndetshme, parandaluar transmetimin e COVID-19 midis komuniteteve dhe zvogëluar stigmën dhe diskriminimin.
UNFPA do të punojë ngushtësisht me qeveritë, OBSH, agjencitë e tjera që punojnë në shëndetësi (H6) dhe partnerët kombëtarë për të siguruar dhënien e informacioneve të sakta grave, përfshirë ato të moshës riprodhuese dhe grave shtatzëna, për parandalimin e infeksionit, rreziqet e mundshme dhe si të kërkojnë kujdes mjekësor në kohë dhe mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore.

Leave a Reply