Çfarë ndodh me organizmin e vajzës kur vijnë menstruacionet e para?
Mimoza Keta, mjeke gjinekologe
Në organizmin e kësaj vajze fillon të funksionojë vezorja. Janë dy gjendra (vezore) që ndodhen në fund të barkut, anash mitrës, të cilat fillojnë të prodhojnë hormone. Pra, kjo vajzë bëhet fertile, mund të sjellë në jetë një fëmijë. Vezorja prodhon dy hormone kryesore të rëndësishme që janë estrogjenët dhe progesteronet. Fillimi i prodhimit të këtyre hormoneve ndikon mbi shtresën e brendshme të mitrës, që quhet endometër. Në 14-ditëshin e parë të ciklit menstrual prodhohet më tepër estrogjen. Estrogjenët i veshin gjendrat e endometrit ngadalë dhe fillojnë t’i zmadhojnë ato. Në ditën e 14-të deri në ditën e 16-të të ciklit, niveli i progesteronit dhe estrogjenit mbetet i njëjtë. Ndërsa nga dita e 16-të e lart, niveli i progesteronit fillon të rritet. Në ditën e 28-të të ciklit, nëse marrim ciklin normal 28-ditor, ndodh ulja e nivelit të progesteronit. Në këtë kohë fillon një gjakrrjedhje nga poshtë, bie shtresa e brendshme e mitrës (që është përgatitur për një shtatzëni) në formën e një gjakrrjedhje, që quhet menstruacione./ JoTabu.al

Leave a Reply