Çfarë është vaksina kundër virusit HPV?
Vaksina kundër virusit HPV ndihmon që të parandalojë infektimin e personave nga mikrobi i quajtur “Virusi i Papilomes Humane,” ose ndryshe “HPV.”
Aktualisht qarkullojnë 2 lloje vaksinash kundër këtij virusi (Gardasil dhe Cervarix) të cilat ndihmojnë në parandalimin e kancerit e Qafës së Mitrës. Vajzat dhe gratë mund të zgjedhin midis njërës prej këtyre vaksinave. Të dyja këto vaksina realizohen me anë të injeksionit dhe përfshijnë 3 doza të aplikueshme në një afat kohor prej 6 muajsh.
Përse duhet kryer vaksina kundër HPV?
Vaksina kundër HPV ndihmon në parandalimin e infektimit nga virusi HPV. Infektimi nga virusi HPV mund të çojë në kancer cervikal (kancer i qafës së mitrës) tek gratë, ndërkohë që një infeksion i tillë mund të shkaktojë lytha gjenital si tek gratë ashtu edhe te burrat.
Në çfarë moshe është e këshillueshme të kryhet kjo vaksinë?
Shumica e mjekëve rekomandojnë që vajzat të kryejnë këtë vaksinë në moshën 11 – 12 vjeçare. Por kjo nuk përjashton faktin që ato, por edhe meshkujt, mund të kryejnë këtë vaksinë në çdo kohë, duke filluar nga mosha 9 deri 26 vjeç, sepse në këto grup mosha ka edhe efektivitetin më të lartë. Përjashtim bëjnë gratë shtatëzëna të cilat nuk duhet të bëjnë këtë vaksinë.
Vaksina kundër HPV funksionon më mirë kur bëhet përpara se një person të jetë prekur nga virusin HPV. Pra, kjo vaksinë nuk mund të kurojë një person i cili është i/e prekur tashmë nga virusi HPV dhe kjo është edhe arsyeja pse mjekët rekomandojnë bërjen e vaksinës përpara se të keni kryer marrëdhënie seksuale për herë të parë. Nëse ju keni kryer marrëdhënie seksuale, atëherë është mirë të konsultoheni fillimisht me mjekun tuaj me qëllim t’ju rekomandojë se si mund të silleni në vijim, pra nëse është e efektshme apo jo kryerja e vaksinës në rastin tuaj.
Leave a Reply