Çfarë është pilula e emergjencës dhe kur duhet të merret
Lumturi Mërkuri, mjeke specialiste e Shëndetit Publik
Pilula e emergjencës është një medikament për përdorim oral, është projektuar për të parandaluar një shtatzëni të padëshiruar në rastin e marrëdhënieve të pambrojtura, të bllokojë ovulimin ose të parandalojë implantimin e vezës ndoshta të fekonduar, në qoftë se marrëdhëniet seksuale kanë ndodhur gjatë orëve ose ditëve të para të ovulacionit, domethënë në periudhën e probabilitetit maksimal të fekondimit. Metoda nuk është më efektive sapo të fillojë implantimi.
Pilula e emergjencës përdoret në këto raste:
• Prezervativi është vendosur keq, është çarë ose është hequr në mënyrë të parregullt.
• Ka pasur marrëdhënie seksuale pa përdorimin e një metode kontraceptive nga ju ose partneri juaj.
• Joefektiviteti i ndërprerjes së aktit seksual (për fat të keq një praktikë e përdorur dhe e pasuksesshme).
• Dëmtimi i plotë ose i pjesshëm i spirales.
• Marrja e gabuar e pilulës kontraceptive.
Sa shumë raste të shtatzënisë ekzistojnë pas një marrëdhënieje të rrezikshme?
Nëse marrëdhëniet seksuale ndodhin në periudhën pjellore të gruas (ovulacioni), probabiliteti është rreth 25%, edhe pse në fakt nuk është e lehtë të parashikosh ditën e saktë të ovulimit. Përveç kësaj, spermatozoidi mund të mbetet pjellor për 3-4 ditë pas marrëdhënieve seksuale.
Kontraceptivi emergjent është më efektiv në parandalimin e shtatzënisë sa më shpejt që të merren tabletat. Në fakt, është vlerësuar se parandalon 85% të shtatzënive të padëshiruara.
Si duhet të merret?
Dy tableta duhet të merren së bashku sa më shpejt të jetë e mundur, mundësisht brenda 12 orësh dhe jo më vonë se 72 orë (3 ditë) nga marrëdhëniet seksuale të pambrojtura. Efektiviteti i tij nuk është i garantuar nëse humbet një tabletë.
Cilat janë efektet anësore të mundshme?
Mund të ketë disa shqetësime me një dallim të dukshëm midis një gruaje dhe një tjetre. Megjithatë, këto janë çrregullime të lehta, si: të përziera, të vjella, marramendje, dhimbje koke, efekte të diarresë, që përgjithësisht zhduken brenda 48 orëve nga marrja e pilulës. Në rastin e vjelljes që shfaqet brenda 3 orëve nga marrja e tabletave, është e nevojshme të përsëritet trajtimi duke përdorur një paketë të re tabletash.
A mund të përdoret ky ilaç si një metodë kontraceptive normale?
Absolutisht jo sepse shërben për të zvogëluar rrezikun e shtatzënisë së padëshiruar dhe jo për ta parandaluar atë.
Në fakt, mekanizmi i veprimit të tij është i ndryshëm nga ai i pilulës kontraceptive: pilula e pengon ovulacionin, ndërsa kontracepsioni i urgjencës vepron në nivelin e ovulacionit, fekondimit dhe mukozës së mitrës, duke e bërë atë të papërshtatshme për implantim.
Për më tepër, kontracepsioni i urgjencës nuk është efektiv për ndërprerjen e një shtatzënie që ka filluar.
Kur mund të filloj ose rifilloj një metodë kontraceptive të rregullt?
Ju mund të filloni apo rifilloni një metodë kontraceptive të rregullt pothuajse menjëherë.
Leave a Reply