Adenomioza, simptomat dhe shkaqet
Dr. Kozeta Mustafaraj, mjeke obstetër-gjinekologe
Adenomioza zhvillohet kur indi endometrial ( i cili normalisht vesh mitrën nga brenda) rritet në shtresën muskulare të mitrës. Kjo ndodh më shpesh gjatë moshës riprodhuese, ndoshta disa vite pas lindjes së fëmijës. Shkaku i kësaj sëmundje mbetet akoma i panjohur, por e sigurt është që zhduket pas menopauzës. Gratë që vuajnë nga adenomioza mund të kenë në të njëjtën kohë edhe endometriozë.
Simptomat
Adenomioza mund të jetë e heshtur dhe të mos japë asnjë shenjë, por më shpesh ajo mund të shkaktojë:
• Hemorragji menstruale në sasi të shtuar dhe të zgjatur;
• Dhimbje në formë krampesh apo të mprehta si thikë gjatë menstruacioneve
• Krampe menstruale që zgjatin gjatë gjithë ciklit dhe që keqësohen me kalimin e viteve
• Hemorragji gjatë menstruacioneve
• Dalje të koagulave gjaku gjate ciklit menstrual
Zmadhim të përmasave të mitrës në dyfishim të saj, ç’ka mund të japë rritje të pjesës së fundit të barkut dhe mund të ndihet më i dhimbshëm.
Kur duhet të takoni mjekun?
Nëse keni ndonjë ose më shumë nga shenjat e mësipërme, si hemorragjia e zgjatur në sasi të shtuar, me dhimbje të forta të cilat ju pengojnë aktivitetin e ditës.
Shkaqet
Shkaktari mbetet i panjohur, por ka disa teori qe përpiqen ta shpjegojnë:
• Rritje indore invaduese. Sipas së cilës adenomioza rezulton nga rritje direkte e qelizave endome triale nga sipërfaqja e brendshme e mitrës në shtresën muskulare të saj. Incizioni i bërë për lindjen e fëmijës me intervent mund të shërbejë si nxitës për këtë invadim.
• Me origjinë që nga zhvillimi: pra indi endometrial ndodhet që në momentin kur mitra formohet në fetusin femër.
• Inflamacionin i lidhur me lindjet: ndoshta një inflamacion i shtresës veshëse të brendshme të mitrës gjatë periudhës së lehonisë mund të shkaktojë një prishje të saj dhe favorizon këtë invadim
• Me origjinë nga qelizat burimore, është mundësia e fundit që mendohet.
Pavarësisht se si dhe pse adenomioza ndodh, zhvillimi i mëpasshëm i saj varet nga estrogjenet qarkullues.
Faktorët favorizues
• Ndërhyrje kirurgjikale të mëparshme, sikur lindja me S/C, apo heqja e fibromiomave
• Lindjet e fëmijëve
• Mosha e mesme (kjo ndoshta si rezultat i një ekspozimi më të gjatë ndaj estrogjenit)
Komplikacionet
Dhimbjet dhe hemorragjia që shoqërojnë adenomiozen, mund të pengojnë aktivitetin normal ditor, shkuarjen në shkollë apo punë dhe vështirësojnë lidhjet …çka mund të cojë në gjendje të irrituara, depresive, ankthi, apo zemërimi. Ndaj është shumë e rëndësishme konsultimi me mjekun. Përveç kësaj, hemorragjitë e zgjatura mund të çojnë në anemi dhe problemet shoqëruese të saj.
Përpara se të takoheni me mjekun, duhet të shkruani të gjitha shqetësimet që keni dhe çdo lloj mjekimi që merrni, në sasi dhe kohëzgjatje
Vendosja e diagnozës
• Shenjat dhe simptomat (anamneza)
• Ekzaminimi pelvik: shihet mitra e zmadhuar dhe e dhimbshme
• Ekzaminimi ekografik
• Rezonanca magnetike (MRI)
Në disa raste mund të merret biopsi në shtresën veshëse të mitrës, më thjesht për të përjashtuar ndonjë shkak tjetër të hemorragjisë, e vetmja mënyrë për të vërtetuar adenomiozën është ekzaminimi mikroskopik i indeve pas heqjes së mitrës.
Trajtimi
Adenomioza zhduket pas menopauzës, ndaj dhe trajtimi do të varet se sa afër kësaj faze ndodhet gruaja. Gjithsesi trajtimi përfshin:
• Preparatet antiinflamator. Për të kontrolluar dhimbjet menstruale dhe për te kufizuar sasinë e hemorragjisë: ibuprofen (Advil, Motrin IB ), naproksen etj, duke nisur dy tre dite para ardhjes së ciklit dhe në vazhdim të ciklit.
• Terapia hormonale. përdorimi i kontraceptivëve të kombinuar estro –progestativ, patche hormonal, unazat vaginale ulin sasinë e hemorragjisë dhe dhimbjet shoqëruese. Përdorimi i përbërësve vetëm progestativ apo i DIU me progestatov sikur Mirena, është një tjetër metodë trajtimi.
• Histerektomi. Nëse dhimbjet dhe hemorragjia është e pakontrollueshme me medikamente, rekomandohet heqja e mitrës, ndërsa heqja e vezoreve nuk është e domosdoshme.
Leave a Reply