Pyet mjekun: Përse formohen kistet në vezore dhe sa ndikon pjelloria e vezëve?
Para një muaji motra u operua për arsye se kishte pëllcitur njëra vezë dhe i rridhte gjak. Tani këto ditë ka pas shqetësime nga barku. Vajti bëri një eko dhe i thanë se kishte kiste. Tani po përdor ca ilaçe. Theksoj se pas shtatzënisë se parë u detyrua të bënte edhe një fëmijë tjetër, për arsye se vezët i kishte shumë pjellore. Doja të dija se përse i ndodh kjo gjë apo çfarë mund të bëj. Mosha e saj është 35. Ju faleminderit!
Përgjigjet mjeku obstetër gjinekolog Rustem Celami:
Së pari nuk ka qartësi në atë që pyet. Sa i përket “pëllcitjes së njërës vezore të motrës”. Këto raste janë urgjenca mjekësore dhe shpesh ndërhyhet me operacion. Që nuk sqaron asgjë çfarë trajtimi ka marrë, apo ndjekjen që ka patur më tej. Së dyti, referon se ka dhimbje. Në fakt, pas operacionit ka dhimbje, dhe nëse dhimbja është e bezdisshme, duhet rivlerësim nga mjeku. Preferohet nga mjeku që e ka kryer procedurën, sepse supozohet se e njeh më mirë si rast. Pastaj referon se i kanë thënë se ka kiste, në vizitën që ka kryer. Edhe këtu nuk ka qartësi, çfarë natyre kistesh, pra mikrokiste apo kiste me dimensione më të mëdha. Thotë që i janë dhënë ca ilaçe, por nuk shpjegon çfarë ilaçesh i ka dhënë. Pastaj referon se pas shtatzënisë së parë është detyruar të bëjë fëmijë tjetër se i kishte vezët pjellore, që s’ka asnjë lidhje logjike, klinike e shkencore. Pra, në këto raste nuk mund të jepet përgjigje, përveçse duhet rekomanduar të ketë konsultë me mjekun apo mjeken gjinekologe, dhe të marrë vlerësimet dhe rekomandimet profesionale të mundshme./ JoTabu.al

Leave a Reply