78.Kur mori vrull shërbimi i shëndetit seksual në Shqipëri?
Pas viteve 90-të, me ndryshimin e sistemit politik, Shqipëria filloi të përqafojë konceptet e planifikimit familjar, kontracepsionit modern, shëndetit riprodhues dhe seksual, duke formatuar dhe plotësuar kornizën ligjore të shëndetit riprodhues. Planifikimi familjar u konfirmua si një e drejtë njerëzore bazë. Që nga ajo kohë e deri tani, mjetet moderne kontraceptive shpërndahen falas në të gjitha shërbimet shëndetësore shtetërore. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë, në sektorin publik ofrohen falas pilula, prezervativë mashkullorë dhe injeksione. Ky shërbim ofrohet në mbi 431 pika shëndetësore si maternitete, poliklinika, qendra shëndetësore dhe në disa ambulanca fshati.
Ndërsa metodat të cilat kërkojnë një shërbim më të specializuar, si lidhja e tubave dhe dispozitivi intrauterine, ofrohen vetëm në qendra me obstetër dhe gjinekologë të specializuar. Në të njëjtën kohë, me mbështetjen e USAID-it dhe UNFPA-s, në Institutin e Shëndetit Publik, i cili është në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, është ngritur dhe funksionon Sistemi Kombëtar i Informacionit të menaxhimit logjistik, përmes të cilit grumbullohen statistika për shërbimet si dhe informacion logjistik mbi kontraceptivët. Kjo i jep mundësi Ministrisë së Shëndetësisë të përllogaritë nevojat kombëtare për kontracepsion modern si dhe të monitorojë ecurinë, progresin dhe mbarëvajtjen e programit kombëtar të planifikimit familjar dhe masën e përdorimit të tyre në shkallë vendi.
Burimi: Ana Subashi

Leave a Reply