75.Kur fillon edukimi seksual në shkolla?
Nuk ka dyshim, që themeli i çdo shoqërie është brezi i ri i edukuar. Edukimi seksual duhet të zërë një vend të rëndësishëm në edukimin e rinisë. Ne i çojmë fëmijët rreth 20 vjet nëpër shkolla për t’u mësuar një zanat, që të mund të përballojnë jetën, ndërsa për seksin, për këtë pjesë me shumë rëndësi të jetës së tyre, me të cilin ata do të përballen gjithë jetën dhe nga varet shumë jeta e tyre, nuk u flasim ose u flasim fare pak. Ky është një nga budallallëqet tona kolektive. Kur në shkollë fillon t’u flitet fëmijëve për anatominë e organeve riprodhuese dhe për trupin, atëherë, mund të themi, se fillon edukimi i tyre seksual.
Mësuesit dhe mësueset, që punojnë me nxënësit që kanë filluar të ndjejnë sfidat e zhvillimit trupor, e zhvillojnë lëndën e edukimit seksual në mënyra të ndryshme. Kjo varet sa mendjehapur dhe sa di mësuesi për jetën seksuale, nga njëra anë dhe nga aftësia e nxënësve për të kuptuar ato që thotë mësuesi, në anën tjetër. Mësuesi që bën lëndën e edukimit seksual duhet të jetë i përgatitur mirë shkencërisht. Mendoj se nuk duhet lejuar të edukojnë seksualisht vajzat ato mësuese, që kur i pyet për ciklin e tyre menstrual përgjigjen: “trupi i grave ka nevojë të pastrojë gjakun cdo muaj”. Edukimi seksual në shkollë nuk është vetëm biologji e as vetëm fiziologji, ajo është shumë më shumë. Ajo është dhe duhet trajtuar si një lëndë shumë komplekse.
Burimi: Dr. Adem Harxhi

Leave a Reply