A është aborti çështje e farmacistëve? Ku gabojnë të rinjtë
Shpesh kemi parë e dëgjuar vajza dhe gra që në raste aborti drejtohen direkt te farmacisti për të kërkuar pilulën e emergjencës ose medikamente të tjera.
Një pjesë e mirë e tyre nuk kanë informacionin e duhur për këto medikamente, por janë të detyruara të bëjnë ketë zgjidhje.
Sipas farmacistes Aida Zaka jo të gjithë ata që shkojnë në farmaci e bëjnë një gjë të tillë me dëshirë, por sepse janë të detyruar.
“Një pjesë e pacienteve kërkojnë ketë zgjidhje sepse janë të detyruara nga familja, burri, vjehrra etj. Një pjesë e mirë e pacienteve kanë status të pamartuar dhe detyrohen të bëjnë ketë lloj zgjedhjeje. Pjesa tjetër bëjnë ketë zgjedhje sepse nuk ka kosto kirurgjikale, është e shpejtë”.
Në të tria rastet ajo që vlen të theksohet është fakti që pacientet nuk kanë informacionin e duhur për zgjidhjen që po bëjnë, rreziqet që kjo “metodë” mbart. Metodat mjekësore të abortit ose abort mjekësor, përcaktohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si më poshtë:
“Përdorimi i barnave për ndërprerjen e shtatzënisë. Ndonjëherë mund të përdoren dhe termat “aborti jo-kirurgjik” ose “aborti mjekësor”. Aborti mjekësor më së shpeshti realizohet duke përdorur një kombinim të mifepristonit dhe misoprostol (ky është protokolli i rekomanduar pasi është më efektiv) edhe pse metotreksat nganjëherë përdoret në kombinim me misoprostol.
“Para së gjithash kur pacienti vendos të përdorë “pilulat e abortit”: duhet të nënshkruaj një formular të Marrëveshjes së Pacientit, ku thuhet se i kupton të gjitha rreziqet dhe përfitimet e përdorimit këtyre medikamenteve”, sqaron farmacista.
Farmacistja shton se Mifepristoni përdoret për t’i dhënë fund një shtatzënie, por duhet të shoqërohet patjetër me vizita te mjeku, pasi nuk mjafton vetëm të marrësh ilaçin në farmaci, sepse mund të të rrezikohet jeta.
“Mifepristoni përdoret për t’i dhënë fund një shtatzënie të hershme që nuk është më shume se 49 ditë (7 javë) pas ditës së parë të menstruacioneve të fundit. Trajtimi me Mifepriston duhet të shoqërohet patjetër me vizita tek mjeku gjinekolog. Nuk mund të merren “pilulat e abortit” nëse nuk mund të realizohen kontrollet mjekësore. Nuk mund të përdoret nëse pacienti është alergjik ndaj prostaglandinave ose medikamenteve që përmbajnë misoprostol (Cytotec ose Arthrotec), që kanë një çrregullim të gjakderdhjes ose mpiksjes së gjakut, siç është hemofilia, problemet me gjëndrat e veshkave (dështimi kronik i veshkave), në rastin e një shtatzënia jashtë mitrës (shtatzënia ektopike), në rastin e porfiria (një çrregullim enzimatik gjenetik që shkakton simptomat që prekin lëkurën ose sistemin nervor), nëse merr medikamente steroide ose hollues të gjakut, si varfarin.”
Sipas specialistëve për të siguruar që pilulat e abortit të merren saktë, personi duhet t’i referohet mjekut nëse ka probleme të tjera shëndetësore të tipit: Sëmundje të zemrës, presion të lartë të gjakut, sëmundje të mëlçisë ose veshkave, astma, bronkit, ose probleme të tjera të frymëmarrjes, nëse vuan nga diabeti (nëse përdor insulinë), anemi të rënda (mungesa e qelizave të kuqe të gjakut); nëse pi duhan 10 ose më shumë cigare në ditë. Pilulat e abortit nuk duhen përdorur në rastet kur bëhet ushqyerja e fëmijës me gji. Misoprostoli, medikamenti që bashkëshoqëron Miphepristonin, mund të shkaktojë dhimbje, të përziera, diarre dhe efekte të tjera anësore.

Leave a Reply