Vendet më të rrezikshme për gratë, ja kush renditet e para për dhunë seksuale
Një studim i ri nga fondacioni “Thomson Reuters” ka zbuluar se India është vendi më i rrezikshëm në botë për të qenë një grua.
Studimi u bazua mbi një sondazh të 550 ekspertëve për çështjet e grave, të cilët arritën në përfundimin se India është vendi më i keq në aspektin e dhunës seksuale ndaj grave, trafikimit të qenieve njerëzore për punë shtëpiake, punës e martesës së detyruar, si dhe skllavërisë seksuale.
Në mesin e të intervistuarve kishte profesionistë të fushës së ndihmës, akademikë, personel shëndetësor, punonjës të organizatave joqeveritare, politikëbërës, ekspertë të zhvillimit dhe opinionistë të jetës sociale.
India renditet si më e rrezikshmja gjithashtu për kërcënimet që gratë përballen nga praktikat kulturore dhe tradicionale, siç janë sulmet me acid, gjymtimi gjenital i femrave, abuzimi fizik dhe martesat e të miturve.
Të dhënat e qeverisë tregojnë se rastet e raportuara të krimeve kundër grave u rritën me 83% mes viteve 2007 dhe 2016, me katër raste të përdhunimit të raportuar çdo orë.
Vitet e fundit, krimet e dhunës seksuale të profilit të lartë kundër grave në Indi janë vendosur disa herë në qendër të vëmendjes. Më parë këtë vit, 8 burra hindu u akuzuan për përdhunim kolektiv të një vajze tetëvjeçare myslimane.
Indinë në listën e këtij studimi e ndjekin Afganistani, Siria, Somalia, Arabia Saudite, Pakistani, Republika Demokratike e Kongos, Jemeni dhe Nigeria.
Sondazhi u krye nga muaji mars deri në maj të këtij viti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë renditur në 10-shen e parë të “vendeve më të rrezikshme për gratë”, pas Nigerisë, u bë shteti i vetëm perëndimor që hyri në 10-shen e parë të vendeve më të rrezikshme për gratë.
Studimi e klasifikon SHBA-në në kategorinë “e rrezikshme” për gratë, e kryefjalë ngacmimin seksual, abuzimin seksual, dhunën seksuale dhe problemet e drejtësisë në proceset gjyqësore në lidhje me krimet seksuale në përgjithësi.

Leave a Reply