Zëri i të Rinjve: Njihuni me Migena Xhaferaj
Bisedoi: Blertina Koka
Migena Xhaferaj vazhdon studimet për Kriminologji në Kolegjin Universitar “Bedër”. Ajo e sheh si pasion drejtësinë, por jo vetëm, ajo mendon se duke marrë shkas nga eksperienca, perspektiva e të rinjve për të ndihmuar në zgjidhjen e problematikave, është në fakt një faktor i rëndësishëm për të modeluar ambientin e duhur të profesionalizmit.
Ajo është një pjesëmarrëse aktive pranë SOS Fshati i Fëmijëve dhe organizatës së të rinjve Y-PEER Albania, ku në projektin e SOS FF të titulluar “Youth Coalition 2030” ajo është përzgjedhur si përfaqësuese kombëtare dhe ndërkombëtare, duke referuar problematikat dhe rekomandimet kryesore të fëmijëve dhe të rinjve të Fshatit SOS.
Migena e sheh veten si individ që posedon shumë motivacion, është energjike, pozitive dhe këmbëngulëse në arritjen e objektivave të saj. Gjithashtu, shprehet se është dëgjuese e mirë, e duruar dhe mendje hapur, përshtatet lehtë, bashkëpunuese me të tjerët dhe e ndjen veten se ka eksperiencë të mirë në lidhje me të drejtat në përgjithësi. Migena sheh si arritje të saj pjesëmarrjen në aktivitete dhe fushata të ndryshme advokuese, si dhe përfaqësimin e shumë problematikave të të rinjve dhe fëmijëve shqiptarë në rang kombëtar dhe jo vetëm.
Migena është e certifikuar edhe si operatore sociale dhe gëzon aftësi komunikuese, organizative, aftësi prezantuese, ato të përfaqësimit si dhe aftësia e të kuptuarit të shumë gjuhëve të ndryshme.
Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, realizuar nga shoqata Together for Life me mbështetjen e UNFPA Albania, Migena flet më shumë për përfshirjen e saj në shoqërinë civile si vullnetare, eksperiencat që ka fituar dhe çfarë duhet bërë për promovimin e vullnetarizmit si një eksperiencë pozitive për të rinjtë.
Mund të më flasësh pak për veten? (Mosha, arsimimi, eksperienca pune apo përfshirja në grupet vullnetare).
Unë jam Migena Xhaferaj, jam 23 vjeç dhe studioj master për Kriminologji në Tiranë.
Përveç angazhimit arsimor, kam qenë pjesëmarrëse në shumë aktivitete të tjera jashtë shkollore, me organizata të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, për një periudhë prej 5 vjetësh apo më tepër. Jam trajnuar në lidhje me tematika të ndryshme të fushës së të drejtave të fëmijëve, veçanërisht të fëmijëve pa kujdes prindëror, duke marrë pjesë në rolin e facilitatores, trajnueses, si edhe përfaqësueses së fëmijëve apo të rinjve shqiptarë, dhe jo vetëm. Trajnimet ku ka marrë pjesë janë titulluar “Trajnim për trajnuesit – Si të trajnojmë të tjerët në fushën e të drejtave të fëmijëve”, “Advokacia e projektit të të drejtave të fëmijëve” dhe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ajo ka kontribuar si facilitatore në tematikën “ Njih të drejtat e tua!”
Në shumë prej pjesëmarrjeve, do të veçoja 3 fushata kryesore në kuadër të “Post 2015 and the Millenium Development Goals (MDG)”, të cilat më pas u referuan si “Sustainable Development Goals (SDG)”. Fushata e parë e ndërmarrë ishte “Future We Want” në bashkëpunim me BKTF, në janar deri në mars 2013, e cila organizohej në sesione në formë workshopi. Diskutimi shtrohej mbi 3 tematikat e rëndësishme të Pabarazisë, Punësimit të të Rinjve dhe Mjedisit. Raporti final i prodhuar nga pjesëmarrësit, me konkluzionet e nxjerra, do të dërgohej në Komitetin e Gjenevës. Fushata e dytë ishte “My World Survey”, një shërbim në formë pyetësori online i hartuar dhe mundësuar nga Kombet e Bashkuara për të pyetur individët në lidhje me çfarë shihnin ata si prioritet për një botë më të mirë. Rezultatet do të ndaheshin me liderët e botës për të vendosur agjendën me golat përfundimtarë, që do të zhvillohej në përmbushje të golave të “Millenium Development Goals” pas vitit 2015. Gjithkush mund të votonte në pyetësor duke zgjedhur 6 nga prioritetet në listë që mund të bënin ndryshimin më të madh në botën e tyre. Kam qenë trajnuese përgjatë gjithë procesit, si të plotësimit të pyetësorit si dhe përgjatë konsultimit me grupmosha të ndryshme të institucioneve rezidenciale publike dhe private. Fushata e tretë advokuese në kuadër të MDG ishte “Zërat e të Rinjve Shqiptare”, ku në një konferencë skype e mbajtur në New York me përfaqësues të lëvizjes ndërkombëtare, mbajta një fjalim lidhur me konsultimet e bëra për “Post 2015” në Shqipëri, pra c ‘problematika donin të rinjtë dhe fëmijët të zgjidheshin në vendin e tyre, si edhe për tematikën e “Dhuna e fëmijëve në Shqipëri”. Përveç të tilla organizimeve, kam qenë dhe jam një pjesëmarrëse aktive pranë SOS Fshati i Fëmijëve dhe organizatës së të rinjve Y-PEER Albania, ku në projektin e SOS FF të titulluar “Youth Coalition 2030” jam përzgjedhur si përfaqësuese kombëtare dhe ndërkombëtare duke referuar problematikat dhe rekomandimet kryesore të fëmijëve dhe të rinjve të Fshatit SOS.
Të jesh vullnetare dhe “Zëri i të Rinjve”…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Mund ta quaj deri diku një eksperiencë “mahnitëse”, për nga çfarë vlerash mund të shtosh në gamën e gjerë të personalitetit dhe njohurive vetjake. Nga ana tjetër, më e rëndësishme kjo, kuptova se nuk isha vullnetare, por isha një avokate me një qëllim të caktuar, një bashkëpunuese dhe lidere e ndryshimeve të vogla; por në të njëjtën kohë pjesë e emocioneve të mëdha që vijonin fill pas këtyre ndryshimeve të vogla, por të rëndësishme. Mësova të dëgjoj mirë, dhe të veproj më mirë, pikërisht në emër dhe për llogari të atyre që luftonin për të drejtën e të gjithëve.
Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo të “punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?
Sipas mendimit tim, nga te rinjte sot dhe jo vetem nga ata por edhe te grupmoshave me te medha, “vullnetarizmi” eshte te shfrytezohesh perkundrejt asnje te ardhure monetare, dhe pagesa e vetme qe mund te marresh eshte “shpresa” ; shpresa se dicka me e mire mund te vije nga cka ke dhene ne ate pozicion si vullnetare, apo shpresa se do te rastise pergjate kohes ne vullnetarizem te aplikosh ne pozicionin perfekt te punes me pagese mujore. Shfrytezimi, jo domosdoshmerisht qendron ne konotacion negativ, pasi ai shihet edhe si opsion i mire per te “vjele” disa aftesi nga vullnetarizmi, pikerisht duke e shfrytezuar pjesemarrjen ne organizate.
Çfarë të nxiti/ inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetare: vullnetarizimi, eksperienca që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizatat…
Më nxiti kurioziteti se çfarë mund të jepja nga vetja në ato organizime dhe fushata, çfarë mendimesh dhe kapacitetesh do të mund të arrija të krijoja apo të ndaja me të tjerët. Duke qenë se unë kam qenë fëmijë jo shume e shoqërueshme dhe me një natyrë të mbyllur, ndoshta më lindi nevoja natyrale e të qenurit pjesë e dickaje që në fakt më shqetësonte, siç janë shkelja e te drejtave të fëmijëve, dhe te bashkëluftoja për mirëqenien e tyre. Më vone kuptova se kjo ishte pikërisht arsyeja se përse isha bërë pjesë e një lëvizjeje të tillë siç janë organizatat vullnetare. Me vite të tëra më pas, eksperienca ime ishte e mbushur me sukses drejt kësaj fushe.
Mendon se ia vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetare? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë? Çfarë të ka pëlqyer dhe jo nga ajo?
Padyshim që ja ka vlejtur, pasi unë ndihem se kam miq dhe madje shumë të mirë e kudo, ndihem më e rritur profesionalisht dhe jam e aftë të diskutoj mbi tematika të cilat më parë nuk kam mundur të kem informacionin dhe kurajon e duhur. Nuk më pëlqente fakti që merrja pjesë në shumë trajnime dhe jo në shume evente ndërkombëtare, ku dhe unë mund të kisha një rol në to, por më vonë kuptova se në fakt kanë vlejtur më tepër aftësitë e fituara nëpërmjet trajnimeve e fushatave, sesa pjesëmarrja nëpër evente ndërkombëtare, pavarësisht kësaj pakënaqësie që kisha.
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje.
Do t’u thosha se ndërkohë që koha kalon shpejt, dhe ai/ajo ende nuk e di se çfarë dëshiron të bëjë në jetë, ndoshta pasionin e tij/saj nuk do ta gjejë në atë organizatë, por padyshim që do të zbulojë diçka nga vetja, e cila do ta shtyjë, sikur edhe sadopak, në rrugën drejt suksesit.
Mendon se ka organizata në Shqipëri që janë shumë të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar? Çfarë bëjnë ato, sipas mendimit tënd, për t’i tërhequr apo përfshirë të rinjtë në grupet vullnetare?
Ka, dhe besoj se ka të bëjë shumë cilësia dhe serioziteti i organizatës. Gjithashtu luan rol edhe fakti nëse është lokale apo ndërkombëtare si organizatë. Krijohet interes kur një i ri që është pjesëtar i organizatës, flet për organizatën tek moshataret dhe tregon mbi arritjet e saj, mbi pjesëtarët e tjerë apo dhe mënyrën e funksionimit. Të rinjtë shqiptare duhet të kenë më tepër akses drejt informacionit, ndaj organizatat vullnetare duhet që pa diskutim të promovohen nëpër shkolla, universitete e qendra të ndryshme, në mënyrë që të jetë pranë vullnetarëve të ardhshëm edhe në ambiente konkrete apo pa akses në internet.
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet të bëhet për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Do të thosha se nëse i riu/reja e ka marrë hapin për të qenë pjesë e organizatës, atëherë me siguri do të përjetojë një eksperiencë pozitive, pasi do të jetë në një ambient gjithëpërfshirës dhe me tematika aktuale e diverse. Ndërsa dobishmëria matet jo vetëm në sasinë e njohurive të marra prej organizimeve, por edhe në nivelin e kënaqësisë së vullnetarëve dhe të përfshirjes së tyre. Nga eksperienca personale, lidhur me pikën e parë të pyetjes, do të këshilloja organizatat të mëshonin më tepër përqendrim lidhur edhe me fushëveprimin e tyre, pikërisht situatat aktuale të të rinjve, sidomos ato lidhur me punësimin dhe me shkeljet e te drejtave të të rinjve, siç është e drejta për të pasur siguri dhe mbrojtje në rast ngacmimesh (harassment) në rrugë kompjuterike, nënat në moshë të re, depresioni tek të rinjtë, apo krimet e pasionit, siç po ndodh rëndomë në qytetet e Shqipërisë etj.
Në këtë formë do të rritej kërkesa për pjesëmarrje e të rinjve dhe interesi i tyre në pritshmëritë e projektit, si dhe në rezultatet reale të zgjidhjes së problematikës./ JoTabu.al

Leave a Reply