Zëri i të Rinjve: Njihuni me Mariza Nare
Bisedoi: Blertina Koka
Mariza Nare vazhdon studimet për Farmaci në Universitetin e Tiranës. Që në shkollë të mesme ajo është bërë pjesë e shoqërisë civile si vullnetare, duke ofruar kontributin e saj fillimisht në vendin e lindjes, Lushnjë. Angazhimi si vullnetare shënon për të nisjen e një kapitulli të ri në jetë, duke i dhënë mundësinë të njohë dhe kanalizojë pasionet dhe energjitë.
E reja është bërë pjesë e disa organizatave jo-qeveritare, si: Shoqata MAYA, UN Youth Association of Albania, Yes Alumni Volunteers, Kryqi i Kuq Shqiptar, Këshilli Rinor i Vllehëve. Në veprimtarinë e saj të shumanshme shohim modelin e një të reje të përshtatur me frymën e kohës, gjithmonë në front të parë kur flitet për advokim dhe lobim të drejtave të të rinjve.
Një vajzë pozitive dhe energjike, që arrin të përcjellë të gjithë dashamirësinë dhe thjeshtësinë e saj tek njerëzit.
Për rubrikën “Zëri i të Rinjve” për Jo Tabu, realizuar nga shoqata Together for Life me mbështetjen e UNFPA Albania, Mariza flet më shumë për përfshirjen e saj në shoqërinë civile si vullnetare, eksperiencat që ka fituar dhe çfarë duhet bërë për promovimin e vullnetarizmit si një eksperiencë pozitive për të rinjtë.
Një prezantim për të gjithë ata që s’të njohin…
Unë jam Mariza Nare. Kam lindur në vitin 1996 në Lushnjë, por aktualisht jetoj në Tiranë. Jam 22 vjeç. Studioj për Farmaci, në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë, viti i pestë. Kam qenë aktive në aktivitete vullnetare të ndryshme që në periudhën e gjimnazit në vendlindjen time, Lushnjë. Më pas, me nisjen e universitetit në Tiranë, u përfshiva gjithnjë e më shumë në aktivitete vullnetare të ndryshme. Unë jam pjesë e disa organizatave jo-qeveritare si: Shoqata MAYA, UN Youth Association of Albania, Yes Alumni Volunteers, Kryqi i Kuq Shqiptar, Këshilli Rinor i Vllehëve. Prej shtatorit të vitit 2018, unë kam fituar mandatin 1 vjeçar si sekretare lokale e Shqipërisë në EPSA (European Pharmaceuticals Students Association) e cila është organizata më e madhe e studentëve të farmacisë në të gjithë botën. Shqipëria është pjesë e EPSA-s falë shoqatës MAYA , edhe unë jam përfaqësuesja e Shqipërisë në EPSA. Gjithashtu jam edhe pjesë e Bordit të Studentëve të Farmacisë. Ndërsa te organizata UN Youth Association of Albania kam mbajtur postin e drejtores së departamentit te Burimeve Njerëzore për 1 vit e gjysmë. Me të gjithë organizatat e sipërpërmendura, jam angazhuar dhe vazhdoj te angazhohem vullnetarisht, duke dhënë kontributin tim në shërbim të shoqërisë civile.
Të jesh vullnetare dhe “Zëri i të Rinjve”…si do ta përshkruash këtë eksperiencë?
Personalisht do ta cilësoja si një eksperiencë unike, sepse më ka ndihmuar të njoh veten më mirë, të përmirësoj aftësitë, të punoj në grup, të gjej motivime të reja, si edhe të kontribuoj në të mirë të komunitetit. Te jesh vullnetare dhe zëri i rinjve është një ndihmë e madhe në identifikimin e nevojave dhe problematikave të shoqërisë, por edhe përgjegjësi po aq e madhe individuale për të ngritur zërin për këto problematika, dhe për të punuar fort për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri.
Çfarë të nxiti/ inkurajoi që të bëhesh pjesë e shoqërisë civile si vullnetare: vullnetarizimi, eksperienca që fiton apo trajnimet që ofrohen nga organizatat…
Faktori kryesor që më nxiti për t’u bërë pjesë e shoqërisë civile ishte padyshim vullnetarizmi. Jam e bindur që përfshirja në punët vullnetare është një ndër vendimet më të mira që kam marrë në jetë, sepse më ka njohur me atë botën që po kërkoja prej kohësh. Para se të përfshihesha në punët vullnetare, kam qenë në një periudhë të jetës në të cilën nuk e dija se cfarë doja të bëja. Përfshirja shënoi një moment që hapi një kapitull të ri në jetën time, sepse më ndihmoi të njihja veten, pasionet dhe potencialet e mia, si edhe se si mund të kanalizoja energjitë. Duhet edhe ta pranoj që fillimi ka qenë i vështirë, sepse shumica e personave që më rrethonin, nuk e kuptonin këtë zgjedhje dhe nuk më inkurajonin, por kam pasur edhe shumë miq që më kanë inkurajuar dhe mbështetur në këtë zgjedhje. Pas përfshirjes në shoqërinë civile, kam njohur shumë persona dhe kam bërë shumë miq dhe mikesha që më motivojnë, frymëzojnë dhe më mbështesin vazhdimisht.
Mendon se ia ka vlejtur apo ka qenë “shpërblyese” përfshirja jote si vullnetare? Si do ta vlerësoje këtë eksperiencë?
Padyshim që ia ka vlejtur përfshirja si vullnetare. E vlerësoj shumë pozitivisht, sepse e konsideroj si eksperiencën që më ka ndryshuar jetën në të gjitha drejtimet. Përgjithësisht më ka pëlqyer puna vullnetare në Shqipëri, por ka edhe disa elemente që nuk më kanë pëlqyer. Një ndër to është fakti që vullnetarët dhe puna vullnetare nuk marrin vëmendjen dhe vlerësimin e duhur nga organet kompetente qeveritare ose nga media, sepse shpesh më ka ndodhur të vlerësohem më shumë në konferenca dhe trajnime në shtetet e huaja, sesa në vendin tim.
Si perceptohet në përgjithësi nga të rinjtë “vullnetarizmi” apo të “punosh si vullnetar” (pozitivisht apo negativisht)?
Mendoj që në vitet e mëparshme, pjesa më e madhe e të rinjve e kanë perceptuar negativisht, por kohët e fundit ky perceptim po shkon drejt kahut pozitiv, sepse të rinjtë janë ndërgjegjësuar për vullnetarizmin. Pas shumë trajnimeve, workshopeve dhe eventeve të tjera për këtë temë, të rinjtë janë informuar më tepër për vullnetarizmin, si edhe për potencialin dhe aftësitë e tyre për të sjellë ndryshime pozitive në shoqëri, ndaj edhe përfshirja e tyre në punët vullnetare është gjithnjë e më shumë në rritje. Bazuar nga eksperienca ime, shoh një interes më të madh nga të rinjtë për të bërë punë vullnetare, sepse e konsiderojnë si diçka ndryshe nga përditshmëria e tyre, si një mundësi të mirë për të njohur njerëz të rinj, si edhe për të fituar aftësi të reja që do t’i shërbejnë në të ardhmen.
A do t’i inkurajoje të rinjtë e tjerë të bëhen pjesë e vullnetarizmit? Çfarë këshille do t’iu jepje.
Padyshim që po, sepse përfshirja në punët vullnetare është një vendim që të ndryshon jetën në të gjitha drejtimet. Këshilla që do t’i jepja unë të rinjve është që duhet ta përdorni potencialin e madh që zotëroni për të bërë ndryshime pozitive, si për jetën tuaj, edhe për shoqërinë ku jetoni. Kanalizoni energjitë tuaja në gjëra që ju bëjnë të ndiheni mirë dhe të plotësuar, punoni dhe luftoni fort për ëndrrat tuaja. Në fund të ditës pas punëve vullnetare, do të ndiheni më të plotësuar, të motivuar dhe të kënaqur që keni sjellë ndryshime pozitive në shoqëri, sado te vogla qofshin ato.
Mendon se ka organizata në Shqipëri që janë shumë të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar? Çfarë bëjnë ato, sipas mendimit tënd, për t’i tërhequr apo përfshirë të rinjtë në grupet vullnetare?
Po, mendoj që ka shumë organizata të mira në tërheqjen e të rinjve si vullnetar. Në gjykimin tim, këto organizata punojnë shumë me postimet në rrjetet sociale, që janë një mjet shumë i fuqishëm në tërheqjen e vullnetarëve.
Çfarë këshille do t’i jepje një organizate që po kërkon të marrë të rinj si vullnetar? Çfarë duhet bërë për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive/e dobishme për të rinjtë?
Unë kam mbajtur për 1 vit e gjysmë postin e drejtores së departamentit të Burimeve Njerëzore te organizata UN Youth Association of Albania. Ky departament kishte si fokus kryesor tërheqjen e vullnetareve të rinj , ndaj, bazuar në eksperiencën time, do të këshilloja që, fillimisht organizata duhet të përcaktojë një plan të detajuar për tërheqjen e vullnetarëve, ku përfshihet edhe kategoria dhe numri i vullnetarëve që duan të tërheqin. Organizata duhet të punojë shumë edhe me marketingun, pra postimet në rrjetet sociale, që të tërheqin vëmendjen e te interesuarve. Për të promovuar vullnetarizmin si një eksperiencë pozitive, mund të bëjnë edhe postime në rrjete sociale të historive të suksesshme të personave që janë marrë me punë vullnetare. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që të realizohen edhe evente informuese për individët e interesuar për t’u bërë pjesë e organizatës, duke i informuar për strukturën organizative dhe funksionimin e organizatës, si edhe të theksojnë rolin dhe ndihmën e vyer të vullnetarëve në organizatë. Është thelbësore që vullnetarët të ndihen të përfshirë dhe aktivë në organizatë, sepse ata shpesh e konsiderojnë atë si një familje të dytë./ JoTabu.al

Congrats Mariza!