Toksoplazmoza, kujdesi gjatë shtatzënisë
Toksoplazmoza është një infeksion i shkaktuar nga një parazit i quajtur Toksoplazmoza gondi, i cili prek kafshët , shpendët dhe njerëzit. Duke qenë se simptomat e saj janë të lehta, si lodhje, temperaturë apo dhembje koke, njerëzit shpeshherë nuk e dinë që janë prekur prej saj. Por, nëse ky infeksion prek femrat gjatë shtatzënisë, mund të jetë i rrezikshëm, pasi përmes placentës prek fetusin. Nëse gruaja preket një herë prej toksoplazmozës, ajo nuk rrezikon të preket më, pasi trupi i gruas bëhet imun.
Rreziku që një femër të infektohet me toksoplazmë gjatë shatzënisë është shumë i vogël, por nëse ndodh, ka pasoja të rënda për fetusin. Problemet janë: keqformime të fetusit, dëmtime në sistemin nervor qendror të fetusit, të cilat mund të shkaktojnë vonesë mendore ose epilepsi; mund të formojë lezione tek sytë e fetusit, të cilat mund të shkaktojnë verbëri të lindur. Nëse infeksioni ndodh 3 muajt e parë të shtatzënisë, rreziku për abort është i lartë, ndaj duhet treguar kujdes, ndërsa muajt e fundit problemet që mund të shkaktojë toksoplazma janë më pak serioze.
Siç e thamë, shkaktari i këtij infeksioni është një parazit i cili gjendet te:
-mishi i kafshës së infektuar
-vezët e gjalla
-qofte apo pastërma
-sallam dhe proshutë krudo
-qumështi jo i pasterizuar mirë
-feçet e maceve
-frutat dhe perimet të cilat janë kultivuar në terren të infektuar nga feçet
Prandaj këshillohet që gratë shtatzëna të tregojnë kujdes duke larë mirë frutat dhe perimet të cilat rriten në tokë; të lajnë duart mirë nëse prekin vendin ku qëndron macja; mos të përdorin mishin apo produktet e tij të gjalla, por të jenë të gatuara mirë, të pjekura mirë; duhet të përdorni doreza nëse merreni me pastrimin e luleve.

Leave a Reply