Sportisti piktor, ëndërron të hapë një ekspozitë në fushë
Kristi Trungu është 17 vjeç dhe studion në shkollën kombëtare sportive në Durrës ‘Benardina Qeraxhia’. Ai është nga Shijaku i Durrësit dhe sporti është pjesë e pandashme e jetës së tij. Që i vogël ka ëndërruar të bëhet sportist. Nxitja më e madhe ka ardhur prej shokëve të tij, pasi shumica merren me sport.
Duke u rritur në moshë u rrit dhe pasioni për sportin, thotë Kristi. Me aktivitete sportive është marrë që i vogël, por puna intensive profesionale ka filluar kur u regjistrua në gjimnaz. Çdo ditë ushtrohet rreth katër orë. Disiplina që ka specialitet është atletika, konkretisht hedhje gjyleje. Për të ushtruar këtë disiplinë duhet të kesh disa tipare si gjatësia, pesha dhe Kristin këto tipare e bëjnë të dallohet nga të tjerët. Sportisti që e ka inspiruar është kampioni i Shqipërisë në atletikë, Adriatik Hoxha. Ai është shembull për të. Tipari që e dallon atletin e ri nga të tjerët është teknika në hedhje.
Ai është shpallur ksmpion Shqipërie për grupmoshën e tij. Ambiciet i ka të mëdha dhe një ditë e sheh veten kampion edhe në konkurse ndërkombëtare. Kristit i pëlqejnë sfidat prandaj ka zgjedhur të konkurojë në grupmoshën e të rriturve. “Jam i pamposhtur. Më pëlqejnë sfidat, prandaj konkuroj me më të rritur. Brenda moshës s’ma kalon njeri”. Sporti nuk është pasioni i vetëm për të. 17 vjeçari është i talentuar edhe në pikturë. Ka vizatuar që në moshën 6 vjeçare dhe ende s’ka rreshtur së ushtruari këtë pasion të bukur. Tashmë ka krijuar një koleksion pikturash të ndryshme dhe në ardhmen s’e përjashton hapjen e një ekspozitë në fushë.

Leave a Reply